Provoni këto këshilla që të lehtësoni shqetësimet e zakonshme gjatë shtatzënisë:

Ndryshimi i gjoksit

  • Përdorni sytjena të rehatshme nga materiali i pambukut dhe mundësisht pa tel mbajtës (pasi që pambuku 'merr frymë' më mirë se materialet sintetike). Nëse keni ndërmend ta ushqeni fëmijën tuaj me gji, madhësia e sytjenave duhet të jetë një numër më i madh se që i keni pasur gjatë shtatzënisë, prandaj blini sytjena për gjidhënie në muajt e fundit të shtatzënisë.
  • Nëse gjoksi juaj ka rrjedhje, përdorni pambuk për një përdorim brenda sytjenave dhe ndërroni disa herë në ditë. Gjithashtu, lejoni gjoksin tuaj të thahet i pa mbuluar disa herë në ditë dhe pas dushit.

Kapsllëku

  • Pini shumë lëngje, sidomos ujë të pastër. Shmangni pijet e gazuara si Koka Kolla (Coca Cola) dhe pijet tjera që përmbajnë kafeinë si çaji ose kafeja.
  • Hani fruta dhe perime të pasura me fibra, sidomos fruta të thata si kajsia dhe kumbulla.
  • Bëni ushtrime të lehta si dhe ecni, çdo ditë.
  • Shmangni pastruesit/laksativët (lehtësues të përkohshëm të kapsllëkut)  e tjerë përpos atyre natyrorë dhe gjithmonë konsultohuni me mjekun tuaj para se t’i përdorni.

Marramendja

  • Lëvizni ngadalë kur jeni ulur ose kur ngriheni.
  • Mos rrini në këmbë për periudha të gjata.
  • Pushoni kur keni nevojë dhe kur është e mundshme.
  • Ushqehuni me porcione të vogla çdo 2-3 orë.
  • Pini shumë lëngje. Mbani mend: tentoni të pini dy litra ujë çdo ditë.
  • Gjatë tremujorit të fundit, kur pushoni ose flini, shtrihuni anash në krah e jo në shpinë.
  • Konsultohuni me mjekun tuaj nëse keni nevojë për shtesa të hekurit.

Lodhja

  • Pushoni dhe flini kurdo që keni mundësi.
  • Bëni ushtrime të lehta si dhe ecni, çdo ditë. Kjo ju bën më pak të lodhur, e jo më shumë.
  • Ushqehuni me dietë të shëndoshë (racione e rregullta dhe të vogla janë më të mira) dhe merrni mjaft hekur dhe acid folik (përmes shtesave të ndryshme).
  • Kufizoni kafeinën që gjendet në çaj/kafe, lëngjet e gazuara dhe çokolatat. Këto mund të ju ofrojnë një shtytje të vogël të energjisë, por në fund të fundit ju lodhin më tepër.
  • Pranoni që keni nevojë për më tepër pushim dhe bëni ndryshime në jetën tuaj për t’iu përshtatur këtij ndryshimi, si p.sh. shmangni përgjegjësitë shtesë kur është e mundur.
  • Mos përdorni medikamente pasi që ato të cilat ju heqin lodhjën nuk janë të shëndetshme gjatë shtatzënisë.

Kokë-dhembja

  • Ushqehuni me racione të vogla dhe të shëndetshme çdo 2-3 orë.
  • Pini shumë lëngje. Mbani mend: tentoni të pini dy litra ujë çdo ditë.
  • Praktikoni relaksimin, si p.sh. duke marrë frymë thellë, duke lexuar një gazetë ose duke bërë masazhë.
  • Merrni ajër të pastër duke ecur.
  • Mundohuni të flini 8 orë çdo natë dhe pushoni gjatë ditës kur është e mundshme.
  • Përdorni një leckë të ftohtë ose të nxehtë duke e vendosur në ballë.
  • Mendoni se çfarë mund t’ju shkaktojë kokë-dhembje, p.sh. kafeja (e cila shkakton lodhjën e syve) dhe përpiquni t’iu shmangeni këtyre.
  • Merrni vetëm acetaminophen (paracetamol) dhe kurrë mos e tejkaloni sasinë e rekomanduar. Shmangni ibuprofen-in dhe kurrë mos përdorni aspirin sepse kjo e rritë mundësinë për gjakderdhje.
  • Kontaktoni mjekun tuaj ose paraqituni në spital nëse kokë-dhembja juaj është e fortë, e shpeshtë dhe zgjat shumë, ose nëse përfshin shikim të turbullt, me pika ose keni ënjtje.

Urthi 

  • Ushqehuni me porcione të vogla gjatë ditës.
  • Mundohuni të mos shtriheni pasi që jeni ushqyer apo të ushqeheni së paku 2 orë para gjumit.
  • Shmangni çokolatat dhe ushqimin e yndyrshëm, të thartë (acidik) dhe djegës (pikant), p.sh. domatet, frutat citrikë, uthullën, biberin, sidomos pak para gjumit.
  • Ushqehuni me produkte të qumështit sepse ka mundësi që përkohësisht të lehtësojnë simptomat.

Hemorroidet

  • Shmangni kapsllëkun.
  • Mos rini ulur në tualet për periudha të gjata ose mos shtyni tepër gjatë jashtëqitjes.
  • Për të lehtësuar simptomat së paku përkohësisht, vini pambuk të ftohtë mbi hemorroide. Shmangni medikamentet që përmbajnë anestezion lokal pasi që kjo mund të lëndojë foshnjën tuaj.
  • Bëni ushtrimet Kegel rregullisht.
  • Qëndroni në vaskë për 15-20 minuta për të lehtësuar simptomat përkohësisht.

Dhimbjet e këmbëve/ngërçi dhe shqetësimet në pjesën e poshtme të shpinës

  • Merrni sasi të mjaftueshme të kalciumit duke konsumuar produkte nga qumështi.
  • Bëni ushtrime të lehta, si p.sh. ecje për 20-30 minuta.
  • Qëndroni në vaskë.
  • Kërkoni nga bashkëshorti apo shoku një masazhë të lehtë.
  • Bëni ushtrimet e lëkundjës së legenit për dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës.
  • Mos rrini për periudha të gjata në këmbë ose ulur.
  • Mbani këmbët lartë sa më shpesh.
  • Mos vishni këpucë me take të larta.
  • Praktikoni mbajtjen e pozitës së duhur duke u ulur drejt dhe lëshuar krahët poshtë.
  • Keni kujdes kur peshoni objekte; përkulni gjunjët dhe mos e përkulni belin.

Ndryshimet e humorit/qejfit

  • Flisni për ndjenjat dhe shqetësimet tuaja me bashkëshortin apo shokun.
  • Shijoni një aktivitet që ju pëlqen ose bëni diçka për vetën tuaj, si p.sh. manikyr.
  • Shpenzoni kohë duke bërë aktivitete që ju pëlqejnë, sidomos bashkë me bashkëshortin tuaj.
  • Bëni ushtrime të lehta, si p.sh. ecje për 20-30 minuta.
  • Pushoni dhe flini kur keni mundësi, mundohuni të shmangni mbilodhjën.
  • Ushqehuni me dietë të shëndetshme (racionet e vogla dhe të rregullta janë më të mira) dhe merrni mjaft hekur dhe proteina.
  • Merrni pjesë në ligjërata për procesin e lindjës ose lexoni mbi shtatzëninë dhe procesin e lindjës; njohuritë për atë se çfarë ju pret ju ndihmojnë të lehtësoni tensionin.

Të përzierat dhe të vjellat (sëmundja e mëngjesit):

  • Ushqehuni më shujta të vogla dhe të shpeshta gjatë gjithë ditës. Mbani gjëra të vogla me vete siç janë biskotat.
  • Mundohuni të mos shtriheni pasi që të keni ngrënë.
  • Mundohuni të shmangni ushqimet dhe erërat që ju bëjnë të villni dhe shmangni ushqimin e yndyrshëm, të thartë (acidik) dhe djegës (pikant).
  • Pini lëngje sidomos gjatë ushqimit. Mundohu të pini nga dy litra ujë çdo ditë. Nëse keni vjellur shumë, pini elektrolite/pije që përmbajnë jone (blini pije sportive ose përgatiteni vet duke përzier ujë më kripë).
  • Merrni ajër të pastër; dilni të ecni ose hapni një dritare.
  • Merrni vitaminat e shtatzënisë kur ushqeheni ose para gjumit.
  • Provoni të përdorni xhenxhefil për të qetësuar barkun.
  • Merrni më shumë vitamina B6 duke ngrënë më shumë banane, arra, bishtaja, karota, lulelakra, patate, mish dhe peshk. Mund të përdorni edhe shtesa tjera.
  • Konsultohuni me mjekun tuaj se a janë të sigurta medikamentet në barnatore që nuk kanë nevojë për recetë të mjekut.

Këmbët e ënjtura

  • Shmangni kafeinën, të cilën e përmban çaji, kafeja, Koka Kolla (Coca Cola) dhe çokolatat.
  • Bëni ushtrime të lehta, si p.sh. ecni për 20-30 minuta.
  • Bëni masazh këmbëve, sidomos para se të shkoni në krevat.
  • Zgjatni këmbët, sidomos para se të shkoni në krevat.

Ndryshimi i lëkurës

  • Për ndryshime në ngjyrën e lëkurës, shmangni rrezitjën e cila mund të errësojë ngjyrën.
  • Për akne ose pezmatime tjera, lani fytyrën si zakonisht.
  • Për vijat/çarjet nuk mund të përdorni asgjë në lëkurën tuaj për t’i shmangur, por mundohuni që të mos shtoni më tepër peshë gjatë shtatzënisë që edhe është shkaktari më i zakonshëm i të çarave në lëkurë.
  • Për lëkurën që kruhet, shmangni dushet e nxehta, vishni rroba të gjëra dhe mos dilni në ditë të nxehta.
  • Mos u shqetësoni! Shumica e këtyre ndryshimeve largohen pas lindjës.

Problemet me gjumë

  • Bëni ushtrime të lehta, si p.sh. ecni për 20-30 minuta.
  • Lajuni në vaskë para gjumit.
  • Para gjumit, pini ujë të nxehtë me limon ose qumësht të nxehtë.
  • Hani darkën së paku dy orë para gjumit dhe shmangni sheqerin.
  • Shmangni kafeinën, të cilën e përmban çaji, kafeja, Koka Kolla (Coca Cola) dhe çokolatat.
  • Mos përdorni medikamente pasi që asnjë nga ato që ndihmojnë me gjumin nuk është e sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë.
  • Praktikoni relaksimin, si p.sh. duke marrë frymë thellë, duke lexuar një gazetë ose duke bërë një masazhë.
  • Zvogëloni çfarëdo zhurme ose ndriçimi që nuk ju lë të flini.
  • Provoni pozita të ndryshme për të fjetur, p.sh. të flini në krah me një jastëk mes këmbëve.
  • Pushoni dhe flini gjatë ditës nëse është e mundshme.
  • Mos u shqetësoni! Ndryshimi i hormoneve më vonë gjatë shtatzënisë do të thotë që është normale të flini vetëm nga 2-3 orë pa ndërprerje. Kjo është vetëm mënyra e foshnjës për t’ju përgatitur për ndryshimet që do të përjetoni më vonë në jetë.

Ënjtjet

  • Mos qëndroni në këmbë për periudha të gjata dhe mos u ulni këmbëkryq.
  • Ushqehuni me ushqime që kanë proteina të larta siç janë fasulet, djathi, peshku, mishi i kuq dhe pula.
  • Pini ujë të nxehtë me limon.
  • Shtrihuni me një jastëk nën zogun e këmbëve dy ose tri herë në ditë.
  • Mos vishni rroba të ngushta si pantallona, pantallona të ngushtë ose çorape deri te gjuri.
  • Bëni ushtrime të lehta, si p.sh. ecni për 20-30 minuta.
  • Mundohuni të pini dy litra ujë në ditë.

Sekrecionet/Lëngjet vaginale/infeksionet

  • Mundohuni të vishni funde në vend të pantallonave.
  • Vishni brekë 100% nga pambuku.
  • Ndërroni brekët gjatë ditës nëse është e mundshme.
  • Hani jogurt ose merrni shtesa tjera probiotike.
  • Kufizoni produktet nga sheqeri dhe kafeina.
  • Mos e bëni shpëlarjën e vaginës (dush me ujë, me spërkatje me ujë), përveç nëse ju ka udhëzuar mjeku.
  • Kontaktoni mjekun tuaj nëse lëngu ju djeg, kruhet, i vjen era ose shkakton ënjtje.
  • Mos përdorni medikamente pa recetën e mjekut.

Vena të zgjeruara

  • Bëni ushtrime të lehta, si p.sh. ecni për 20-30 minuta.
  • Mos vishni rroba të ngushta si pantallona, pantallona të ngushta ose çorape deri te gjuri.
  • Vishni çorape përkrahëse nëse keni plane të qëndroni apo ecni për periudha më të gjata. Vishini ato sapo të zgjoheni.
  • Mundohuni të mos qëndroni në këmbë ose ulur në një vend për periudha të gjata dhe mos u ulni këmbëkryq. Nëse keni nevojë të uleni për periudha më të gjata, ngrihuni në këmbë çdo 30-60 minuta, zgjatni këmbët dhe ecni.
  • Shtrihuni me një jastëk nën zogun e këmbëve dy ose tri herë në ditë.
  • Mos vishni këpucë me take të larta.
Category: Zbutja e shqetësimeve

Ligjërata mbi temën Shtatzënia

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit