Shikoni videon Shtatzënia gjatë javëve 15-20 

Si po ndryshon trupi im dhe si po rritet foshnja ime?

Image
Image
Image

Vajzë apo djalë: kush vendos?

Kur të vijë java e 18-të, ju duhet të jeni në gjendje të dini se a do të lindni vajzë apo djalë. Sperma e babait përcakton gjininë e fëmijës varësisht nëse ajo përmban kromozomin X apo Y. Në vezën e nënës tashmë është kromozomi X, kështu që gjinia e foshnjës përcaktohet nga kromozomi X apo Y i spermës së babait. Studimet tregojnë që gjasat që ju të keni vajzë apo djalë janë të trashëguara, që do të thotë se nëse babai ka shumë vëllezër gjasat janë më të mëdha që foshnja të jetë djalë, përderisa nëse ka më shumë motra gjasat janë më të mëdha që foshnja të jetë vajzë. Ka shumë tregime/mite të gjërave që mund të bëni për të ngjizur/pasur vajzë apo djalë; pozicionet gjatë marrëdhënies seksuale (femra qëndron mbi apo shtrirë në njërën anë), vendet ku kryeni marrëdhënie, koha kur kryeni marrëdhënie (në ditët teke apo në mbrëmje), apo edhe ushqimet që ju apo burri juaj konsumoni (ushqime të njelmëta, guaca deti etj.) Por nuk ka asnjë dëshmi mjekësore që mund të vërtetojë se këto tregime në realitet funksionojnë.

Çfarë janë ushtrimet ‘Kegel’ dhe pse të praktikohen?

Ushtrimet Kegel forcojnë bazën e legenit tuaj dhe ndihmojnë në parandalimin apo trajtimin e mos-vazhdimit të mundshëm të shtatzënisë. Po ashtu mund ta bëjnë shumë më argëtuese marrëdhënien seksuale. Nëse ende nuk keni filluar t’i bëni ato, duhet të filloni menjëherë. Këtu keni një udhëzues hap pas hapi:

  1. Për t’ju ndihmuar të gjeni muskujt e duhur, imagjinoni se po tentoni të ndaloni urinimin. Duhet të keni një ndjesi të “shtrëngo dhe ngrit”. Kini kujdes të mos i përdorni edhe muskujt e barkut, kofshës apo ato të prapme dhe mos e mbani frymën. Për t’u siguruar që të qëndroni të relaksuar mund të vendosni dorën në belin tuaj përderisa bëni këto ushtrime.
  2. Shtrëngoni këta muskuj për pesë sekonda, pastaj pushoni (relaksohuni) për pesë sekonda tjerë. Provoni këtë për katër apo pesë herë me radhë.  
  3. Keni parasysh që me praktikë këto ushtrime do të bëhen më të lehta për ju, kështu që mos u brengosni nëse nuk mund t’i përdorni muskujt e duhur që në fillim.
  4. Pas një kohe, synoni që të mbani shtrëngimin e muskujve për 10 sekonda, duke pushuar më pas për 10 sekonda ndërmjet shtrëngimeve të barkut (kontraksioneve). Po ashtu mund të provoni të shtrëngoni muskujt sa më shpejt që të mundeni për 10 sekonda, duke pushuar për 10 sekonda dhe përsërisni këtë disa herë.
  5. Duhet të synoni t’i bëni së paku tri seri me nga 10 ushtrime në ditë. Bëni ushtrimet Kegel me fshikëzën bosh. Ju mund t’i bëni këto ushtrime në mënyrë të përmbajtur pothuajse në çdo kohë; ulur në divan, në karrige apo edhe kur jeni në veturë.

Kur do ta ndjej foshnjën që lëvizë?

Shpesh ndodh që nënat të ndjejnë shkelmimin e parë të foshnjës në javët 18-20. Konsultohuni me mjekun tuaj nëse nuk keni ndjerë asnjë goditje nga java e 24-të.

Nëse e vëreni se keni ndonjë nga këto shenjë, të cekura më poshtë, menjëherë kontaktoni mjekun tuaj ose shkoni në spital, sepse ato mund të jenë shenja paralajmëruese se di­çka është duke rrezikuar shëndetin tuaj apo të fetusit (foshnjës suaj në bark).

  • Dhimbje të mëdha dhe/apo të vazhdueshme të barkut.
  • Gjakderdhje vaginale, sidomos nëse është e kuqe e çelët.
  • Vjellje të shumta dhe të pakontrolluara që shkaktojnë dehidrim.
  • Kokë-dhembje, marramendje ose shikim të dyfishtë ose të turbullt për 2-3 orë.
  • Të ftohtë dhe/ose temperaturë të lartë (38°C ose më tepër).
  • Ënjtje të menjëhershme në fytyrë, duar dhe këmbë ose keni shtuar peshë që nuk mund ta shpjegoni.
  • Lëvizje të rrallë ose mungesë të lëvizjes së foshnjës suaj pas muajit të gjashtë.

Testet gjatë shtatzënisë

Ju duhet të vizitoni mjekun tuaj të paktën dy herë gjatë tremujorit të dytë. Edhe nëse nuk ju kërkohet, tregoni mjekut për të gjitha simptomat tuaja edhe nëse ato ju duken normale, siç është lodhja apo dhimbjet. Mos lejoni që mjeku të shpejtojë me ekzaminimin tuaj ose t’ju bëjë që të mendoni që ata janë shumë të zënë. Është e vërtetë që ata mund të jenë njëmend të zënë, por prapëseprapë, shtatzënia juaj për ju është gjëja më e rëndësishme në botë.

Në vijim do të shihni se çfarë mund të prisni në një vizitë te mjeku gjatë tremujorit të dytë të shtatzënisë:

18-20 javë:

  • Vizita te mjeku me pyetje mbi problemet dhe shqetësimet që i keni pasur që nga vizita e fundit, si jeni ndjerë, nëse e keni ndjerë foshnjën duke lëvizur apo jo, nëse keni pasur rrjedhje të lëngshme apo gjakderdhje. Mamia do të masë peshën dhe tensionin e gjakut dhe mund të ndodhë që kontrollon edhe urinën.
  • Këshilla nga mjeku për t’u kujdesur për shëndetin tuaj, shenjat e rrezikshme, teste tjera që mund t’i konsideroni (p.sh. teste tjera të gjakut dhe/ose amniocenteza – ekzaminim për të parë anomali në fetus - nëse keni rrezik të lartë për sëmundje gjenetike), dhe ndryshimet që duhet të prisni deri në vizitën e ardhshme.

Ultrazë për të kontrolluar zhvillimin e fetusit p.sh. madhësinë, shtypjen e gjakut, anomalitë strukturore, shëndetin e placentës.

25-28 javë:

  • Vizita te mjeku me pyetje për problemet dhe shqetësimet që i keni pasur që nga vizita e fundit, si jeni ndjerë, dhe si po lëviz foshnja. Mjeku do të dëgjojë rrahjet e zemrës së foshnjës dhe të masë barkun tuaj (nëse mjeku juaj ka ultrazë do të kontrollojë zhvillimin e foshnjës). Mamia do të masë peshën dhe tensionin e gjakut.
  • Këshilla nga mjeku për t’u kujdesur për shëndetin tuaj, shenjat e rrezikshme, ndryshimet që duhet të prisni deri në vizitën e ardhshme dhe përcjelljën e lëvizjeve ditore të foshnjës.
  • Testet laboratorike për të kontrolluar gjakun (anemia, antitrupat Rh, testi për diabet gestational) dhe urinën (niveli i proteinës).
*Numri i vizitave që ju duhet të bëni do të varet nga historia juaj mjekësore dhe nëse ka pasur komplikime që kërkojnë kontrolle dhe hapa të mëtutjeshëm. OBSH rekomandon që të bëhen së paku katër vizita gjatë shtatzënisë mes javëve 16, 24-28, 32, 36 të shtatzënisë për të evituar komplikimet e mundshme. Sidoqoftë, në shumë vende, gratë vizitojnë mjekun një herë në muaj, dhe një herë në javë gjatë muajit të fundit të shtatzënisë.
^Testi i gjakut së bashku me ultrazërin njihen si ekzaminim i kombinuar i tremujorit të parë, i cili ofron një vlerësim të rrezikut të fetusit që mund të ketë sindromin Down, si dhe probleme të tjera kromozomale dhe defekte në lindje. Këto teste nuk janë të detyrueshme; mund të vendosni që mos t’i bëni këto teste. Këto teste nuk janë definitive por mund të ofrojnë shenja që tregojnë se fetusi mund të ketë defekt gjenetik. Ka dy teste diagnostike që ofrojnë një rezultat të caktuar: 1) Marrja e mostrave për testin Chorionic villus (një test i bërë në shtatzëninë e hershme nëpërmjet të cilit mund të zbulohen anomalitë kongjenitale në fetus), që bëhet në javët 11-12; ose 2) Amniocenteza (ekzaminim për të shikuar nëse ka anomali në zhvillim të fetusit), që bëhet në javët 16-20. Këto teste janë invazive (futja e një tubi, kateteri, për të marrë një vështrim nga afër) dhe zakonisht kanë një rrezik të vogël të dështimit të shtatzënisë, kështu që ato zakonisht bëhen vetëm kur gruaja shtatzënë mund të ketë rrezik më të lartë të problemeve gjenetike apo kromozomale. Mjeku juaj do t’ju këshillojë nëse një test invaziv është i nevojshëm, por prapëseprapë ky test nuk është i detyrueshëm dhe vendimi për të bërë apo jo një test të tillë është plotësisht i juaji.

Çfarë duhet të dini rreth prerjeve cezariane?

Nuk është zgjedhje e duhur që lindja të bëhet me prerje cezariane, përveç rastit kur ka ndonjë arsye mjekësore si p.sh. komplikimet në lindje siç është fëmija i lidhur (në pozitë me kokën lartë), apo prerje të mëparshme cezariane. Prerja cezariane mund të shkaktojë probleme për ju dhe foshnjën tuaj, veçanërisht në lindjet e ardhshme. Çdo lindje me prerje cezariane rritë rrezikun për komplikime serioze në shtatzënitë e ardhshme, që edhe është arsyeja se pse mjekët rekomandojnë lindje të rregullt vaginale/natyrale nëse keni plane për të lindur fëmijë të tjerë. Jini të vëmendshëm kur mjekët mund t’ju shtyjnë që të lindni me prerje cezariane pa dhënë ndonjë arsye specifike mjekësore, pasi që lindja me prerje cezariane shpesh kushton më tepër sesa lindjet vaginale, e cila mund të jetë me e përshtatshme për mjekët pasi që këto lindje mund të aranzhohen gjatë ‘orarit zyrtar të punës’.

Disa njerëz mendojnë se lindja me prerje cezariane mund të jetë më e lehtë, më pak e dhimbshme dhe më pak e komplikuar, kështu që është e rëndësishme të bëhet ndarja mes miteve dhe realitetit.

Miti 1: Më e përshtatshme. Po, mund të ndihmojë që të planifikoni më mirë ndihmën familjare dhe pushimin mjekësor, por a e dini që ju:

  • Nuk do të jeni në gjendje të aranzhoni lindjen me prerje cezariane para javës se 39-të, kështu që duhet të jeni të gatshëm nëse foshnja vendos që të dalë para asaj kohe.
  • Do ta bëni më të vështirë rikuperimin nga një operacion i vështirë përderisa do të duhet të kujdeseni për foshnjën e porsalindur dhe fëmijët tjerë nëse keni.
  • Do të qëndroni në spital për një kohë më të gjatë (mesatarisht tri ditë, në vend të një ose dy).
  • Do të duhet të kufizoni aktivitetet fizike për disa javë.
  • Do të keni dhembje nga prerja që do ta bëjë gjidhënien më të parehatshme.
  • Keni dukshëm më shumë gjasa të riktheheni në spital për komplikime të mëtutjeshme.

Miti 2: E shmangni dhimbjen e lindjes. Po, ju mund të mos ndjeni shumë dhembje gjatë operacionit, por a e dini që:

  • Me shumë gjasë koha juaj e rikuperimit do të jetë më e gjatë, më e vështirë sesa shumica e femrave me lindje vaginale/natyrale.
  • Do të keni dhembje në javët pas lindjes dhe do të keni nevojë për medikamente.
  • Do të keni vështirësi në bartjen, kujdesin dhe ushqyerjen e foshnjës së porsalindur dhe fëmijëve tjerë më të mëdhenj që mund të kenë nevojë për kujdes më të madh pas lindjes së vëllait apo motrës.
  • Me shumë gjasë do të ndjeni dhembje gjatë lindjes dhe pas lindjes po ashtu kur barnat të mos kenë më efekt apo të japin efekte anësore në trupin tuaj.

Miti 3: Ju i minimizoni komplikimet. Po, ju mund të shmangni komplikimet që ndodhin në një përqindje të vogël të lindjeve vaginale/natyrale, por a e dini që ajo mund të sjellë:

  • Rreziqe fizike për nënën, menjëherë pas lindjes po ashtu edhe në të ardhmen. Pasi që kjo është një ndërhyrje e rëndë kirurgjike, ajo do të përcillet me rreziqe për komplikime siç janë infeksionet, gjakderdhje dhe dëmtim të organeve tjera. Kur të keni një lindje me prerje cezariane, gjasat janë mjaft të mëdha që edhe lindjet e ardhshme t’i kryeni me prerje cezariane, dhe kjo shkakton probleme në shtatzënitë e ardhshme siç është bllokimi i shtratit të fëmijës dhe mitrës. Shumica e të çarave që ndodhin gjatë lindjeve vaginale ndodh që të shkaktojnë shqetësime të lehta apo mund të kërkojnë qepje të plagës — por zakonisht u duhet një kohë mjaft e shkurtër për t’u shëruar.
  • Rreziqe psikologjike për nënën duke përfshirë ndjenja negative rreth lindjes, dhe kontakt më të pakët me foshnjën menjëherë pas lindjes, që mund të pengojë lidhjen dhe gjidhënien, e po ashtu të rrisë rrezikun për ballafaqim me depresionin pas lindjes.
  • Rreziqe për foshnjën pasi që foshnjat e lindura me anë të prerjes cezariane mund të kenë më shumë probleme me frymëmarrje dhe aspekte tjera shëndetësore.

Miti 4: Ruani ‘ngushtësinë e vaginës’. Studimet kanë dëshmuar se aktiviteti afatgjatë seksual mbetet i njëjtë dhe nuk ndikohet nga lindja vaginale. Ngushtësia paraprake e vaginës rikthehet brenda gjashtë muajsh pas lindjes së fëmijës së parë. Ju mund t’i bëni ushtrimet Kegel që të ktheni ngushtësinë e vaginës suaj pas lindjes vaginale.

Category: Tremujori i dytë

Ligjërata mbi temën Shtatzënia

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit