Foshnja dhe nëna

Çfarë të bëni kur ta sjellni foshnjën në shtëpi?

Shumica e atyre që bëhen prindër për herë të parë janë të frikësuar dhe të shqetësuar në momentin kur të sjellin foshnjën e tyre në shtëpi. Zakonisht do t’ju duhen rreth gjashtë javë që të mësoheni dhe të gëzoheni me faktin që tashmë jeni prindërit e një foshnje. Këtu keni disa këshilla se çfarë mund të bëni:

  • Përqafoni shumë gruan tuaj. Thuani që po bën një punë të mrekullueshme me foshnjën.
  • Tregoni durim ndaj foshnjës dhe gruas tuaj. E gjithë kjo është një eksperiencë e re për ju dhe ju duhet kohë që të adaptoheni. Reagoni me dashuri dhe provoni të gjeni se çfarë ata kanë nevojë. Mbani mend të mos e llastoni foshnjën me shumë përkëdhelje dhe vëmendje.
  • Kërkoni ndihmë nga familjarët dhe miqtë me pastrimin, blerjen e gjërave, përgatitjen e ushqimit dhe kujdesjen ndaj fëmijëve tjerë. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë kur kanë një foshnje!
  • Përpiquni të pushoni kurdo që keni mundësi.
  • Ndihmoni nënës me foshnjën gjatë ushqyerjes. Nëse gruaja juaj e ushqen foshnjën me gji, ju mund t’ia sjellni fëmijën dhe t’i ndihmoni të ndihen rehat.
  • Babai i foshnjës është shumë i rëndësishëm për të, kështu që mos e lejoni askë t’ju largojë nga foshnja juaj; qoftë gruaja juaj, nëna apo vjehrra apo familjarë dhe miq të tjerë. Është shumë lehtë të ndiheni i larguar apo të ndjeni që nuk po i bëni gjërat si duhet. Kaloni kohë çdo ditë me foshnjën tuaj, duke përfshirë kohën vetëm dhe vetëm me foshnjën, dhe kjo ju mundëson t’i kuptoni më mirë nevojat e tyre dhe kështu mund të bëni më mirë punën tuaj dhe të zvogëloni stresin.
  • Shikoni videot tona. Si të bëhet mbajtja e foshnjës, ndërrimi i pelenave, mbështjellja në djep, larja e foshnjës, masazhimi i foshnjës, kontakti lëkurë-në-lëkurë dhe qetësimi i foshnjës që qanë. 
  • Shumica e foshnjave kanë shumë dëshirë të flenë në kraharorin e babait të tyre, sigurohuni që të qëndroni të zgjuar që të mbani foshnjën të sigurtë.

Rastet emergjente! Kur foshnja të ketë nevojë për ndihmën e parë.

Foshnjat do të sëmuren gjithsesi. Mesatarisht rreth 6-12 herë gjatë vitit të parë të lindjes. Larja e duarve (për 20 sekonda me sapun) është mënyra më e lehtë dhe më efektive për të larguar bakteriet, sidomos pas ndërrimit të pelenave apo përgatitjes së ushqimit. Imunizimi i foshnjës suaj është thelbësor që të siguroheni që ajo të jetë e shëndetshme dhe të evitojë sëmundjet e rrezikshme për jetë, klikoni këtu që të shihni se cilat imunizime i nevojitën foshnjës.

Kur duhet të kërkoni ndihmë urgjente për foshnjën?

Kontaktoni mjekun e foshnjës apo shkoni në spital menjëherë nëse foshnja juaj:

  • Ka gjak në të vjellur dhe jashtëqitje.
  • Ka problem me frymëmarrje (merr më tepër se 60 frymëmarrje brenda një minute), ose ka filluar të bëhet i kaltër rreth buzëve, hundës, thonjve të dorës apo në lëkurë.
  • Ka krizë. Kur një person ka krizë, i tërë trupi apo pjesë të trupit lëvizin pa kontrollë. Nganjëherë ndodh që edhe të mos marrë frymë.
  • Ka ngrënë diçka si detergjent, sapun, zbardhues apo pluhur për mbytjen e bakterieve që shkakton të vjella, diarre dhe vështirësi në frymëmarrje.
  • Vështirë zgjohet nga gjumi apo është shumë e lodhur.
  • Temperatura në anus është mbi 38áµ’C apo nën 36.5áµ’C.
  • Është lënduar dhe nuk i ndalet gjakderdhja.
  • Ka një apo më shumë episode të gërhitjes (apnea e gjumit). Gërhitja është ndërprerja e frymëmarrjes për një periudhë të shkurtër.
  • Lëkura apo sytë kanë ngjyrë të verdhë.

Shikoni këto video të Kryqit të Kuq Britanik që të mësoni si të reagoni në rast të situatave të tilla emergjente:

Ngulfatja

Kur foshnja nuk reagon por merr frymë

Kur foshnja nuk reagon dhe nuk merr frymë

Për më shumë video të ndihmës së parë emergjente, vizitoni: http://www.redcross.org.uk/What-we-do/First-aid/Baby-and-Child-First-Aid

Kur mund ta dërgoni foshnjën për vizitë gjatë orarit të rregullt të punës?

Kontaktoni mjekun e foshnjës gjatë orarit të punës nëse foshnja juaj:

  • Ha më pak se zakonisht apo ka ndryshime në apetit.
  • Qanë, vjellë apo nuk rehatohet gjatë tërë kohës.
  • Shpesh ka diarre. Kjo është vështirë të dallohet tek foshnjat që ushqehen me gji pasi ato kanë jashtëqitje të butë. Kontaktoni mjekun e foshnjës nëse jashtëqitjet e foshnjës janë shumë të buta apo të lëngshme në 6-8 pelena radhazi.
  • Ka kapsllëk dhe nuk ka fare jashtëqitje.
  • Vjellë (më shumë sesa vetëm rrjedhje e gojës) më shumë se 2-3 herë në ditë.
  • Është ftohur dhe nuk bëhet më mirë apo bëhet edhe më keq pas disa ditësh.
  • Ka puçrra.
  • Ka më pak se gjashtë pelena të lagëta gjatë 24 orëve. Kjo mund të jetë shenjë e dehidrimit (mospirja e mjaftueshme). Shenja të tjera të dehidrimit përfshijnë sytë e mbushur me ujë, pjesa e butë e kokës (fontanela) është zbutur shumë, apo foshnja nuk ka fare lot kur qanë.
  • Nga veshët i rrjedh lëng.
  • Kur kërthiza apo penisi është shumë i butë. Kontrolloni nëse ka skuqje, gjakderdhje apo qelb në këto pjesë.
  • Është më e zbehtë sesa zakonisht.
  • Është më pak aktive sesa zakonisht.

Të ushqyerit me gji: roli juaj

Ruajtja e shëndetit të familjes është një përgjegjësi e madhe, ju doni të bëni zgjedhje të shëndetshme. Kjo është arsyeja pse ju, babai i foshnjës, duhet të inkurajoni partneren që të ushqejë foshnjën me gji. Studimet tregojnë se qëndrimi i babait është një faktor shumë i rëndësishëm në fillimin apo vazhdimin e të ushqyerit me gji nga e ëma. Këtu i keni disa mënyra që ju mund ta mbështesni gruan tuaj që ajo të ushqejë foshnjën me gji:

Inkurajojeni atë

Bëjani me dije se sa krenarë jeni që ajo po i dhuron foshnjës fillimin më të mirë të mundshëm të jetës. Mund të ndihmoni që ajo të mos marrë parasysh fjalët dekurajuese dhe kritikat që mund të marrë nga familjarët dhe miqtë, sidomos nëse foshnja juaj po merr mjaftueshëm qumësht. Ky është një shqetësim i natyrshëm, por ju mund të siguroni nënën apo tjerët në disa mënyra:

  • Foshnja ka 3-5 pelena të lagura dhe 3-4 pelena të ndotura kur ajo është 3 deri në 5-ditëshe. Foshnja ka 4-6 pelena të lagura dhe 3-6 pelena të ndotura kur ajo është 5 deri në 7-ditëshe. Pas gjashtë javëve, numri i pelenave të ndotura mund të ulet në një në çdo disa ditë.
  • Foshnja ushqehet 8-12 herë në ditë, apo çdo 2-3 orë, në disa javët e para.
  • Foshnja lëshon tinguj të gëlltitjes (mund ta keni vështirë ta dëgjoni, kështu që dëgjoni apo shikoni me kujdes).
  • Foshnja duket e relaksuar dhe e kënaqur pas të ushqyerit.
  • Gjinjtë e nënës janë më të butë pas ushqyerjes së foshnjës.
  • Foshnja duhet të arrijë peshën e lindjes brenda dy javëve. Mos u brengosni nëse foshnja humb peshë në ditët e para pas lindjes pasi që foshnjat normalisht humbin 10% të peshës së lindjes në ditët e para.

 “Sidomos në disa javët e para, kur mungesa e gjumit dhe ndryshimi i hormoneve mund të bëjë që nëna të mendojë dy herë a të ushqejë foshnjën me gji apo jo, është babai i foshnjës ai që sugjeron “le ta provojmë edhe një herë”, apo i përkujton nënës që “foshnjat ushqehen më rrallë pas javës së tretë”, dhe këto sugjerime kanë shumë vlerë.” Cili është roli i babait në të ushqyerit me gji?

Ndihmoni nënës

Kjo përfshin të bëni punët e shtëpisë, të ndihmoni në kujdesjen ndaj fëmijëve të tjerë apo të qetësoni foshnjën kur ajo qanë. Kjo do t’i mundësojë nënës që të pushojë, një gjë shumë e rëndësishme për nënat që ushqejnë foshnjën me gji.

3.Disa fakte të rëndësishme

  • Pothuajse çdo nënë mund të ushqejë foshnjën me gji dhe madhësia e gjinjve nuk ka rëndësi. Nënat do të kenë pothuajse gjithmonë qumësht të mjaftueshëm, për sa kohë ato pijnë mjaft ujë dhe ushqejnë foshnjën shpesh  (sa më shumë ta ushqejë foshnjën, as më shumë qumësht do të ketë).
  • Qumështi i hershëm i nënës, i quajtur kulloshtër, është i vetmi ushqim që i nevojitet foshnjës. Është i mbushur me vitamina, minerale, proteina dhe imunizues që e ndihmojnë foshnjën të jetë e shëndetshme. Ndërmjet ditës së tretë dhe të pestë pas lindjës, nëna do të fillojë të ndjejë mbushjën e gjinjve, e cila nënkupton që ajo ka filluar të prodhojë qumësht.
  • Të ushqyerit me gji brenda një ore pas lindjës ka dhënë dëshmi që e rrit suksesin e të ushqyerit me gji. Për më tepër, javët e para janë më të rëndësishmet pasi që kjo është koha kur përcaktohet kapaciteti i prodhimit të qumështit. Kështu që mbështetja dhe inkurajimi juaj në këto javët e para është shumë i rëndësishëm.
  • Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon ushqyerjen ekskluzive me qumësht gjiri për gjashtë muajt e parë, kështu që nëse është e mundur, mos i jepni foshnjës ujë apo qumësht formulë gjatë kësaj kohe. Ushqyerja e foshnjës me diçka tjetër përveç qumështit të gjirit ndërhynë në aftësinë e nënës për të prodhuar mjaft qumësht. OBSH rekomandon që foshnja të ushqehet me gji deri sa të bëjë dy vjet apo edhe më tepër dhe kjo poashtu përmendet edhe në Kuran (paragrafi 233).
  • Të ushqyerit me gji prodhon hormone në trupin e gruas tuaj që e ndihmon atë të lidhet me foshnjën, e cila nënkupton që ajo do të kuptojë më mirë nevojat e foshnjës. Poashtu kjo e rrit vetëbesimin e saj si nënë.
  • Të ushqyerit me gji nuk i bën gjinjtë tuaj të qëndrojnë më të varur, por shtatzënia juaj mund të bëjë që ato të rriten dhe të ndryshojnë formë pas lindjës. Gjatë kohës sa jeni shtatzënë, gjinjtë rriten dhe ligamentet që mbajnë ato mund të zgjerohen dhe është ky zgjerim që mund të bëjë që gjinjtë tuaj të rrinë të varur. Kjo do të ndodhë edhe nëse ju nuk ushqeni foshnjën tuaj me qumësht gjiri.
  • Kuptoni se pse të ushqyerit me gji është zgjedhja më e mirë​

Qumështi i gjirit është më i shëndetshmi për foshnjat

  • Qumështi i gjirit i ka të GJITHA vitaminat, mineralet dhe elementet ushqyese që i nevojiten foshnjës. Qumështi me formulë nuk mund të ofrojë vitaminat që gjenden në qumësht të gjirit siç është hekuri, që foshnja të marrë të gjitha elementet e duhura ushqyese.
  • Qumështi i gjirit tretet më mirë sesa ai me formulë.
  • Foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri kanë më pak mundësi për diarre, kapsllëk dhe dhimbje barku sesa ato që nuk ushqehen me qumësht gjiri. 

  • Qumështi i gjirit përmban antitrupa për të luftuar infeksionet.
  • Foshnjat kanë më pak gjasa për obezitet, që të vuajnë nga diabeti apo ndonjë sëmundje tjetër. 

  • Foshnjat e ushqyera me qumësht gjiri kanë rrezik më të ulët që të vuajnë nga astma, alergjitë dhe disa lloje të kancerit. 

  • Qumështi i gjirit përmban përbërës të veçantë që ndihmojnë në zhvillimin e trurit.
  • Të ushqyerit me gji ul rrezikun që fëmija të ketë sindromin e vdekjes së papritur të fëmijës dhe vdekjen e fëmijës nga shkaqe tjera.

Të ushqyerit me gji është më shumë sesa thjesht një e ushqyer. Është mënyra më efektive që të qetësoni foshnjën kur ajo është e frikësuar, e lodhur, e uritur apo e stërmunduar.  

Të ushqyerit me gji është më e shëndetshmja për nënën

  • Të ushqyerit e foshnjës me gji ndihmon mitrën e nënës që të ngushtohet, zvogëlon rrezikun për gjakderdhje dhe rrezikun për të pasur hemorragji pas lindjes. 
  • Mund të ndihmojë nënën që të humbë peshë më shpejtë. 

  • Zvogëlon rrezikun e nënës për të pasur kancer në gji apo kancer vezor, dhe osteoporozë (dobësim të eshtrave) më vonë në jetë. 

  • Ndihmon nënën që të luftojë ndryshimet e disponimit pas lindjes dhe mund të parandalojë apo kufizojë efektet e depresionit të pas lindjes.

Të ushqyerit me gji ju kursen para

  • Ju mund të kurseni në paratë nga blerja e formulës, shisheve, mjeteve ndihmëse dhe faturat mjekësore. Në Kosovë, çmimi për qumësht me formulë për një vit kushton mbi €1,000. Poashtu të ushqyerit me gji është shumë praktik pasi që nuk keni nevojë të gjeni ujë të pastër, të ngrohni qumështin apo të pastroni shishet!
  • Ju do të sëmureni shumë më rrallë.  â€¨

Është më e mirë për ambientin pasi do të ketë me pak mbeturina dhe mbetje plastike.

Përshtatur nga Departamenti i Agrikulturës, Ushqimit dhe Shërbimeve Ushqimore të Shteteve të Bashkuara, Programi Special Suplementar për Gra, Fëmijë dhe Foshnje (WIC). (2002)

4.Kërkoni ndihmë

Nënës mund t’i duhet kohë që të mësohet plotësisht me të ushqyerit me gji. Nëse gruaja juaj nuk ndihet rehat apo ka dhimbje gjatë të ushqyerit, kjo mund të ndodhë për shkak të kapjës së gabuar të gjirit nga foshnja apo sepse kanalet e gjirit mund të jenë bllokuar. Shumë nëna të reja kanë nevojë për ndihmë në fillim. Na kontaktoni, pasi që ne mund t’ju ndihmojmë duke ju dhënë këshilla rreth të ushqyerit me gji nga persona të kualifikuar.  â€¨

5.Përfshihuni

Disa baballarë mund të ndihen të lënë anash nëse partnerja e tij ushqen me gji foshnjën, por ka shumë gjëra tjera që ju mund të bëni për t’u lidhur me foshnjën:

  • Foshnjat pëlqejnë shumë kontaktin lëkurë-në-lëkurë me babain! 

  • Flisni, uluni pranë, këndoni, lëkundni, lexojini, bëni të gromësijë apo ndërrojani pelenat. 

  • Mësoni foshnjën që ka edhe një botë tjetër përveç asaj të nënës. Bëni që gjatë ditës të keni kohë vetëm për ju dhe foshnjën tuaj. Forcimi i lidhjes me foshnjën do të bëjë jetën më të bukur për të dy ju - dhe për nënën poashtu. 

  • Nëse e shihni foshnjën duke kërkuar për gjirin e nënës, duke thithur gishtin, duke lëshuar tinguj të thithjes, dërgojani nënës për ta ushqyer. Shikojeni grushtin e vogël të foshnjës dhe mbani mend se ajo është afërsisht edhe madhësia e stomakut të saj. Foshnja ka nevojë të ushqehet shpesh (çdo 2-3 orë) në disa javët e para të jetës. 


Qetësoni foshnjën që qanë

Gjatë disa muajve të parë, foshnjat qajnë rreth një orë e gjysmë në ditë për arsye të ndryshme: uria, dhimbja, frika, lodhja apo thjeshtë duan që ta mbani. E qara e vazhdueshme mund të shkaktojë shumë stres dhe lodhje kështu që është e rëndësishme që të gjeni mënyra të qetësoni foshnjën. Baballarët mund të kenë rol shumë të rëndësishëm në këtë rast, duke marrë foshnjën kur nënat të ndihen të lodhura.

Nëse foshnja qan, provoni të:

  • Kontrolloni nëse foshnja është e uritur.
  • Kontrolloni që të siguroheni që nuk i është ndotur pelena. Nëse kjo ka ndodhur, ndërroni atë.
  • Vini re shenjat e sëmundjës dhe dhimbjës. Kontrolloni nëse ajo ka temperaturë më të lartë se 38áµ’C, nëse i është ënjtur mishi i dhëmbëve apo ka infeksion të veshit.
  • Lëkundni foshnjën apo ecni me të.
  • Këndoni apo flisni me foshnjën.
  • Ofroni një biberon apo një lodër.
  • Bëni një xhiro me karrocë.
  • Bëni një xhiro me makinë. Sigurohuni që ta lidhni mirë në ulsën e makinës.
  • Mbështjellni foshnjën me një batanije.
  • Lëshoni muzikë të lehtë apo lëshoni diçka në televizor. Sigurohuni që zëri të mos jetë i lartë.
  • Ndizni fshesën me rrymë, ndizni makinën e tharrjës së rrobave apo lëshoni ujin në rubinet apo vaskë. Disa foshnje i pëlqejnë këta tinguj.
  • Mbani foshnjën afër trupit tuaj. Merrni frymë qetë dhe ngadalë.
  • Nëse asgjë tjetër nuk funksionon, vendosni foshnjën në krevatin e saj, mbylleni derën dhe kontrollojeni pas 10 minutash.

Poashtu ekziston një teknikë e njohur botërisht që prindërit e kanë përdorur për të qetësuar foshnjën dhe ta vënë në gjumë për disa minuta. Kjo metodë aktivizon reflekset e foshnjës duke bërë pesë hapa të thjeshtë që imitojnë mitrën e nënës së tyre: Pesë S-të: 1) mbështjellja me batanije, 2) poziciononi në krah apo bark, 3) shush, 4) lëkundja (swing), 5) thithja (suck). Shikoni këtë video për të mësuar këtë teknikë në disa minuta.

Është e rëndësishme që ju t’i përgjigjeni foshnjës shpejtë që ta siguroni që ajo nuk është vetëm. Mos u brengosni, nuk e llastoni duke e mbajtur shumë në dorë. Studimet kanë treguar se foshnjat që janë mbajtur shpesh kanë qarë shumë më pak. Ato poashtu rriten dhe bëhen më të pavarura, sipas një hulumtimi nga Johns Hopkins University, një nga institucionet më të mira botërore të shëndetësisë.

Nëse foshnja juaj qanë më gjatë sesa zakonisht dhe asgjë që ju bëni nuk e qetëson, kontaktoni mjekun e foshnjës për të kontrolluar nëse mund të ketë ndonjë arsye mjekësore apo nëse është e sëmurë. Ajo mund të ketë dhimbje barku (ngërçe) (të qara të mëdha për më shumë se 3 orë në ditë, kjo ndodh në 1 nga 10 foshnje).

Mbani mend, kurrë mos e TUNDNI foshnjën tuaj. Nëse filloni të nervozoheni, leni foshnjën diku të sigurtë dhe largohuni. Poashtu mund të thirrni ndonjë familjar apo mik për t’ju ndihmuar. Nuk duhen më shumë se disa sekonda tundje që të shkaktoni dëmtime afatgjata në trurin e foshnjës, që rezulton në sindromin e foshnjës së tundur (SFT). SFT është shkaku kryesor i vdekjeve nga abuzimi i fëmijëve në Shtetet e Bashkuara. Mosha mesatare e viktimave është ndërmjet 3 dhe 8-muajsh. Në shumicën e rasteve, personi që dëmton foshnjën është mashkull në të njëzetat. Ai shpesh është babai i foshnjës apo i dashuri i nënës. Rreth gjysma e foshnjave që kanë SFT, vdesin.

Image

Shëndeti fizik dhe mental i gruas tuaj

Lindja e një fëmije shkakton një barrë të madhe fizike dhe emocionale në gruan tuaj, kështu që lexoni. Çfarë të bëni kur të sjellni foshnjën në shtëpi që të mësoni si mund të ndihmoni. Ndihmoni gruas që të pushojë mjaft dhe të hajë mirë (mbani ushqime të shëndetshme në shtëpi, mos kapërceni vaktet, dhe kërkoni nga familjarët dhe miqtë t’ju ndihmojnë me ushqimin), mbani mend, ajo nuk mund të kujdeset për fëmijën si duhet nëse është shumë e stresuar apo e rraskapitur.

Pas lindjës së foshnjës, gruaja juaj mund të jetë më e ndjeshme emocionalisht për shkak të ndryshimeve hormonale, dhimbja nga lindja, mungesa e gjumit apo përshtatja emocionale në të bërit nënë. Ndryshimet e disponimit të pas-lindjës (“Baby Blues”) zgjasin për disa javë pas lindjës dhe largohen vetë. Por nëse këto ndryshime nuk largohen dhe ju mendoni se gruaja juaj po bëhet edhe më keq, ajo mund të jetë duke vuajtur nga depresioni i pas-lindjës dhe ka nevojë për ndihmë. Rreth 15% e grave vuajnë nga depresioni i pas-lindjës brenda vitit të parë të lindjës së foshnjës. Nëse gruaja juaj mendon që ta lëndojë veten e saj, apo foshnjën, kontaktoni mjekun menjëherë. Për më shumë informata rreth depresionit të pas-lindjës, klikoni këtu.

Nëse gruaja juaj ka ndonjë nga këto shenja paralajmëruese fizike brenda muajit të parë pas lindjës së foshnjës, kontaktoni mjekun e saj menjëherë:

  • Gjakderdhje të madhe që depërtojnë përtej fasuletës intime të femrave.
  • Ethe me temperaturë 38áµ’C apo më lartë.
  • Probleme me urinim (djegie, gjak apo pamundësi për të urinuar).
  • Rrjedhje vaginale që ka erë të rëndë apo si të peshkut.
  • Rritje e dhimbjës së vendit të epiziotomisë apo të çarës.
  • Ënjtje, skuqje apo nxehtësi të madhe në pjesën rreth gjoksit me ethe apo ndjenja si të gripit.

Marrëdhënia seksuale dhe jeta pasi të bëheni me fëmijë

Si ju, ashtu edhe partnerja juaj, jeni duke u mësuar që të keni foshnjën afër. Të qenit prind mund të jetë shqetësuese si për ju ashtu edhe për gruan tuaj. Flisni me njëri tjetrin. Të flisni rreth ndjenjave që keni mund t’ju ndihmojë që të mos ndiheni të lënduar apo të nervozuar. Sa më shpejt që të mundeni, gjeni kohë vetëm për ju të dy. Kërkoni nga dikush që i besoni që të kujdeset për foshnjën për një orë apo dy dhe dilni për një shëtitje apo për darkë.

Zakonisht, është në rregull të kryeni marrëdhënie seksuale 4-6 javë pas lindjës, edhe pse jo të gjithë presin aq gjatë, dhe jo të gjithë janë gati aq shpejtë. Nëse gruaja juaj ka pasur një lindje të vështirë, ajo mund të ketë nevojë për më shumë kohë që të rikuperohet fizikisht. Edhe nëse ajo është fizikisht e gatshme, ajo mund të mos jetë gati emocionalisht. Lindja e foshnjës është një katrahurë hormonale për gruan, dhe ajo mund të ketë nevojë për më shumë kohë që të rikuperohet. Ajo poashtu mund të frikësohet se do të ketë dhimbje apo është e lodhur nga kujdesi për foshnjën. Edhe nëse nuk keni marrëdhënie seksuale, ju mund të vazhdoni të bëni gjëra intime; prekja, puthja, masturbimi apo seksi oral janë të gjitha opsione që gruaja juaj mund të jetë e interesuar për t’i bërë. 

Gruaja juaj mund të jetë e turpëruar nga trupi i saj pas lindjes. Kështu që kujtojani se ajo është e mrekullueshme, dhe bëni të ndihet femër. Në përgjithësi, nënave për herë të parë ju duhen 6-12 muaj për t’u rikthyer në peshën e para-lindjes, dhe mos u befasoni nëse gruaja juaj duket sikur është ende shtatzënë edhe disa muaj pas lindjes. Poashtu, marrëdhënia seksuale mund të jetë ndryshe. Për shkak të ndryshimeve hormonale, vagina e gruas mund të jetë e tharrë (jo për shkak se ajo nuk tërhiqet seksualisht nga ju), kështu që përdorni lubrifikues. Lejoni gruan që të kontrollojë marrëdhënien dhe t’ju tregojë se cilat janë pozitat më të rehatshme për të. Ajo mund të jetë më e ndjeshme, më e lodhur apo e frikësuar nga dhimbja. Mos u brengosni, jeta juaj seksuale do t’i rikthehet normalitetit shumë shpejtë.

Pushimi i atësisë në Kosovë

Në vazhdim do të shihni se çfarë lejohet sipas ligjeve të Kosovës:

  • Pushim i paguar për lindjen apo adoptimin e fëmijës: Dy ditë pune (Neni 50)
  • Pushim i papaguar për lindjën apo adoptimin e fëmijës: Dy javë, në çdo kohë derisa fëmija t’i mbush tre vjeç (Neni 50)
  • Pushimi i lehonisë: 45 ditë deri në 12 muaj (6 muajt e parë – me kompensim 70% të pagës bazë, 3 muajt e ardhshëm – me kompensim të 50% nga paga mesatare e Kosovës, 3 muajt e fundit – pa kompensim) (Neni 49)
  • Pushimi i detyruar i lehonisë: 28 ditë para datës së përcaktuar të lindjës deri në 6 muaj (Neni)
  • Pushimi prindëror: Pas skadimit të pushimit të detyruar të lehonisë, nëse prindërit pajtohen, pjesa tjetër e pushimit të lehonisë mund të përdoret nga babai i fëmijës (Neni 49)
  • Pushimi i atësisë: Nëse nëna ka vdekur apo e ka braktisur fëmijën, apo për arsye të pranuara nuk është në gjendje të kujdeset për fëmijën, të drejtat e babait janë të njëjta si të nënës (Neni 49, 50)
  • Fëmija që ka nevojë për kujdes të veçantë – njëri prind: Pas skadimit të pushimit të lehonisë nga nëna, ka të drejtë të punojë me orar të plotë apo të përgjysmuar derisa fëmija të mbush 3 vjeç apo nëse fëmija ka nevojë për kujdes të veçantë (Neni 52)
Ligji Nr. 03/L–212 i Punës, http://www.assem- blykosova.org/common/docs/ligjet/2010-212-eng. pdf. Burimi: State of the World' Fathers, Balkan Review, Care International Balkans & MenCare
 
Category: Foshnja dhe Nëna

Ligjërata mbi temën Për Baballarët

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit