Kur duhet të shkoni në spital?

Kjo varet nga gjendja e vetë gruas shtatzënë: komplikimet/rreziqet e larta të shtatzënisë, lindja e parë, distanca nga spitali, dhe preferencat personale. Të gjitha këto mund të përcaktojnë kohën se kur ju do të duhet të arrini në spital. Ju nuk keni nevojë të shkoni në spital që në shenjat e para të shtrëngimeve të barkut, dhe në fakt është më mirë që të qëndroni në shtëpi gjatë dhimbjeve të hershme pasi që gruaja juaj do të ndihet shumë më rehat. 

Ju mund të matni kohëzgjatjen e shtrëngimeve të barkut të gruas suaj dhe të niseni për në spital kur ato të jenë vazhdimisht nga pesë minuta ndërmjet, përveç në rastet kur ju jetoni në një distancë më të largët nga spitali, në të cilin rast do të duhet të niseni më herët. Këshillohuni me mjekun tuaj se kur është koha më e mirë për të shkuar në spital. Arsye tjera (shenja të rrezikshme) për të shkuar menjëherë në spital janë nëse:

  • Gruas suaj i kanë shpërthyer ujërat apo ka rrjedhje të lëngut amniotik i cili është i verdhë/kaftë/gjelbërt apo ka ngjyrë të gjakut.
  • Foshnja është më pak aktive sesa zakonisht.
  • Gruaja ka gjakderdhje vaginale (përveç në rastet kur është vetëm gjak sipërfaqësor), dhimbje të vazhdueshme të mëdha të barkut, apo ethe.
  • Shtrëngimet e barkut fillojnë para javës së 37-të (këto nuk janë kontraksionet Braxton Hicks; lexoni më poshtë).
  • Gruaja ka kokë-dhembje të mëdha dhe të vazhdueshme, ndryshime në të parë, dhimbje të madhe apo plogështi në pjesën e sipërme të barkut, dhe ënjtje jo-normale. Këto janë shenja të para-eklampsisë (kur gruaja vuan nga më shumë se një nga simptomat e lartpërmendura).

Ju mund ta ndihmoni që të dalloni nëse gruaja ka dhimbje të vërteta apo të rrejshme të lindjes. Poashtu të quajtura si kontraksionet Braxton Hicks, këto shtrëngime të barkut paraqesin një ngushtim pa dhimbje në abdomenin e saj të poshtëm. Ka gra që këto shtrëngime nuk i ndjejnë fare, përderisa disa tjera fillojnë t’i ndjejnë ato në tremujorin e dytë apo të tretë të shtatzënisë, por zakonisht ato bëhen më të forta gjatë muajit të fundit të shtatzënisë. Ato nuk nënkuptojnë se gruaja juaj është gati për lindje, kjo është vetëm një mënyrë e trupit për t’u përgatitur për lindje. Këtu i keni disa shenja që e dallojnë procesin e vërtetë të lindjes nga procesi i rrejshëm:

Dhimbjet e vërteta të lindjes

Dhimbjet e rrejshme të lindjes

Shtrëngimet e barkut (kontraksionet) janë të rregullta dhe vijnë në intervale gjithmonë e më të shkurtëra dhe bëhen më të gjata dhe më të forta.

Intervalet e këtyre shtrëngimeve janë të çrregullta dhe nuk bëhen më të shpeshta apo më të forta.

Shpërthimi i ujërave që rezulton në rrjedhje apo shpërthim të lëngjeve. Shtrëngimet e barkut(kontraksionet) mund të fillojnë para apo pas shpërthimit të ujërave.

Shtrëngimet e barkut(kontraksionet) ndalen gjatë pushimit, kur nëna ndalon aktivitetet e saja, gjatë ecjes apo ndërrimit të pozitave.

Depërtimi në shtresën e mukozës. Dhimbjet e lindjës mund të mos vijnë edhe disa ditë, por ato janë afër.

Dhimbja e shtrëngimeve të barkut nuk është e njejtë (në një moment janë më të forta dhe në një moment tjetër zvogëlohen dukshëm)

Dhimbje e vazhdueshme në pjesën e poshtme të shpinës, veçanërisht nëse janë të përcjella më një ndjenjë të ngërçeve të ngjashme me ato që përjetohen para ciklit menstrual.

Dhimbja është e përqendruar vetëm në pjesën e përparme.

Ndihmoni gruan gjatë dhimbjeve të lindjes

1. Të dini se çfarë të prisni

 Dhimbjet e lindjës nuk janë të njëjta me atë çfarë shihni në televizion. Ato nuk vijnë gjithmonë me dhimbje dhe piskama, nganjëherë ujërat nuk shpërthejnë deri në momentin kur foshnja të lindë dhe pothuajse asnjëherë nuk ndodh që foshnja të lindë vetëm disa momente pasi të kenë filluar dhimbjet e lindjës. Për shumicën e femrave, veçanërisht nënat që lindin për herë të parë, dhimbjet aktive të lindjes fillojnë 6-8 orë para lindjës, por ato mund të fillojnë edhe 18 orë apo më tepër para se foshnja të lindë. Asnjë grua shtatzënë nuk e përjeton njejtë lindjën. Ju ndihmon shumë nëse i kuptoni fazat e ndryshme të lindjës dhe sa zgjat secila prej tyre:

Faza e parë – përbëhet nga tri periudha:

  • E hershme: kjo është pjesa ku ju mund ta mbani gruan të shpërqendruar, të relaksuar dhe ta leni të pushojë. Gjatë dhimbjeve të hershme të lindjes është më së miri që ajo të qëndrojë në shtëpi pasi do të ndihet më rehat dhe mund të ketë familjen dhe miqtë afër për t’i ndihmuar. Inkurajoni që të urinojë. Ju poashtu mund të matni shtrëngimet e barkut, të keni gati çantën për spital dhe të siguroni transportin deri në spital.
  • Aktive: gruaja juaj duhet të jetë tashmë në spital. Aktualisht, spitalet publike në Kosovë nuk ju lejojnë që të qëndroni me gruan pasi ajo të jetë shtruar në repartin e maternitetit, por shpresojmë që kjo do të ndryshojë shumë shpejt. Studimet kanë dëshmuar që gratë të cilat janë me përcjellës kanë lindje shumë më të shpejta dhe me më pak komplikime sesa ato që janë pa përcjellës. Shtrëngimet e barkut (kontraksionet) bëhen më të forta dhe më të shpeshta përderisa periudha aktive e lindjës të vazhdojë.
  • Periudha e Tranzicionit: kjo do të jetë pjesa më e vështirë për gruan pasi që qafa e mitrës në këtë periudhë hapet maksimalisht.

Faza e dytë – përfshin shtyrjen dhe lindjën e foshnjës suaj. Kohëzgjatja mesatare për nënat që lindin për herë të parë është një orë.

Faza e tretë – nxjerrja e placentës, zakonisht brenda 5-30 minuta pasi që foshnja të lindë.

Image

2. Ndihmoni të qëndrojë e qetë

 Sa më e relaksuar që gruaja të jetë gjatë dhimbjeve të lindjës, me e lehtë do të jetë për të. Shpërqëndroni duke shikuar një film me të, ndihmoni që të praktikojë teknikat e frymëmarrjës, jepjani një masazhë të lehtë dhe inkurajojeni që të bëjë një dush.

3. Matni shtrëngimet e saj të barkut 

Kur të matni shtrëngimet e barkut, filloni të numëroni nga fillimi i një shtrëngimi deri në fillimin e një shtrëngimi tjetër. Mund përdorni matësin tonë të shtrëngimeve që t’i ruani apo thjeshtë shënoni në një letër. Mos u brengosni që të matni kontraksionet shpesh gjatë Periudhës së Hershme, por vetëm kontrolloni kohë pas kohe nëse ato po bëhen më të shpeshta.

4. Mos shkoni në spital shumë herët

 Matja e shtrëngimeve do t’ju tregojë se kur do të duhet të shkoni në spital. Nëse është shumë herët, mbani gruan të shpërqëndruar duke shikuar një film apo dalur për shëtitje, apo nëse dhimbjet fillojnë natën ju mund ta ndihmoni që të fle prapë. Shikoni me kujdes këshillat tona rreth dhimbjeve të vërteta apo të rrejshme të lindjës.

Kontakti lëkurë-në-lëkurë pas lindjes

Nëse gruaja juaj ka lindur me prerje cezariane, ajo nuk do të jetë në gjendje të mbajë foshnjën lëkurë-në-lëkurë pas lindjës. Por ju mundeni! Praktikimi i kontaktit lëkurë-në-lëkurë është shumë i rëndësishëm për fëmijën pasi që:

  1. Mundëson mirëmbajtje më të mirë të temperaturës për foshnjën se sa në një inkubator.
  2. Ndihmon foshnjën të ruajë rrahjet e zemrës, nivelin respiratorë dhe shtypjën normale të gjakut.
  3. I ofron foshnjës nivel të mirë (lartë) të sheqerit në gjak.
  4. Foshnja është e lumtur dhe qanë më pak.
  5. Gjasat janë më të larta që foshnja ushqehet vetëm me gji dhe për periudhë më të gjatë.
  6. Foshnja më lehtë i jep shenja nënës se kur është gati të ushqehet.
  7. Ju dhe foshnja juaj krijoni lidhje shumë më të shpejtë dhe më të fortë.

Si të filloni kontaktin lëkurë-në-lëkurë me foshnjën tuaj:

  1. Menjëherë ose disa minuta pas lindjës, vendoseni foshnjën, të veshur vetëm me një pelenë dhe kapele, mbi gjoksin tuaj në mënyrë që ajo të mund të pushojë gjoks mbi gjoks.
  2. Kthejeni kokën e foshnjës në atë pozitë që të ketë të hapur frymëmarrjën.
  3. Mbulojeni foshnjën me një batanije.
  4. Sigurohuni që edhe ju ndjeheni rehat; uluni një pozitë gjysmë të shtrirë (as ulur as ngritur).
  5. Lejoni foshnjën të qëndrojë ashtu së paku një orë menjëherë pas lindjës.
  6. Vazhdoni të ushtroni kontaktin lëkurë-në-lëkurë për së paku tre muaj. 
Image

 

 

Category: Lindja

Ligjërata mbi temën Për Baballarët

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit