Jeta seksuale

A mund të kemi marrëdhënie seksuale gjatë shtatzënisë, si do të ndyshojë trupi i partneres sime pas lindjes, dhe kur do të mund të kemi marrëdhënie seksuale përsëri?

Fakte rreth kënaqësisë seksuale gjatë shtatzënisë

  • Shumica e grave mund të vazhdojnë të kenë marrëdhënie seksuale deri në momentin kur të vijë koha për lindje. Aktiviteti seksual nuk e dëmton foshnjën. Foshnja mbahet e sigurtë nga qeska amniotike, qafa dhe muskujt e mitrës. Poashtu ekziston një shtresë e trashë mukoze që e mbyll qafën e mitrës dhe mbron foshnjën nga infektimi.  

  • Është normale që dëshira seksuale e femrës të ulet gjatë tremujorit të parë për shkak të ndjeshmërisë së gjirit, lodhjes dhe ndjesisë për të vjellë. Gra të tjera e shohin këtë si një rast kur ato nuk kanë nevojë të shqetësohën për kontrollin e lindjes apo se mos mbeten me barrë që e bën marrëdhënien seksuale edhe më të këndshme. Kur të vijë tremujori i dytë, shumë gra janë më pak të lodhura, kanë më pak ndjesi për të vjellë dhe përjetojnë rritje të dëshirës seksuale.
  • Baballarët mund të mbështesin dhe/ose rrisin vetëvlerësimin e partnerit të tyre në lidhje me trupin e tyre që po ndryshon duke dhënë komente pozitive.

  • Përderisa trupi ndryshon gjatë shtatzënisë, çiftet mund të kenë nevojë të provojnë pozicione të ndryshme seksuale për të gjetur se çfarë është më e rehatshme për gruan. Disa gra zbulojnë kënaqësi të reja apo më të mëdha seksuale gjatë shtatzënisë si pasojë e eksperimentimeve të tilla. “Spooning” (mbështetja nga prapa me partnerin) përderisa partnerët qëndrojnë ulur ofron mjaft hapësirë për stimulim manual,kurse duke qëndruar shtrirë ofron hapësirë për stimulim më të rehatshëm oral. Poashtu, eksperimentimi me jastëk dhe pajisje mbështetëse mund të ndihmojë që të lehtësojë dhe mbështesë një numër të pozicioneve dhe aktiviteteve seksuale.
  • Për shkak të ndjesisë së të qenit me barrë, në disa momente gjatë shtatzënisë, disa gra mund të mos ndihen rehat me marrëdhëniën seksuale vaginale, kështu që zgjedhin seksin manual, oral apo masturbimin.
  • Ngërçet janë normale pas marrëdhëniës seksuale gjatë shtatzënisë. Mitra ngushtohet gjatë orgazmës dhe shtrëngimet e tilla të barkut (kontraksionet) mund të jenë më të forta gjatë shtatzënisë pasi që mitra rritet.
  • Nëse partnerja rrezikon të përjetojë komplikime të shtatzënisë (gjakderdhje vaginale, rrjedhje të lëngut amniotik etj.), mjeku do t’ju sugjerojë që të mos keni marrëdhënie seksuale. Tregohuni të hapur me mjekun tuaj dhe pyesni atë se çfarë aktiviteti tjetër seksual mund të bëni.
Fragment i nxjerrë nga Kapitulli 6: Marrëdhëniet, Seksi dhe Mbështetja Emocionale në Trupi Im, Unë Vetë: Shtatzënia dhe Lindja © 2008 Boston Women’s Health Book Collective

Marrëdhënia seksuale dhe jeta pasi të bëheni me fëmijë

Si ju, ashtu edhe partnerja juaj, jeni duke u mësuar që të keni foshnjën afër. Të qenit prind mund të jetë shqetësuese si për ju ashtu edhe për gruan tuaj. Flisni me njëri tjetrin. Të flisni rreth ndjenjave që keni mund t’ju ndihmojë që të mos ndiheni të lënduar apo të nervozuar. Sa më shpejt që të mundeni, gjeni kohë vetëm për ju të dy. Kërkoni nga dikush që i besoni që të kujdeset për foshnjën për një orë apo dy dhe dilni për një shëtitje apo për darkë.

Zakonisht, është në rregull të kryeni marrëdhënie seksuale 4-6 javë pas lindjes, edhe pse jo të gjithë presin aq gjatë, dhe jo të gjithë janë gati aq shpejtë. Nëse gruaja juaj ka pasur një lindje të vështirë, ajo mund të ketë nevojë për më shumë kohë që të rikuperohet fizikisht. Edhe nëse ajo është fizikisht e gatshme, ajo mund të mos jetë gati emocionalisht. Lindja e foshnjës është një katrahurë hormonale për gruan, dhe ajo mund të ketë nevojë për më shumë kohë që të rikuperohet. Ajo poashtu mund të frikësohet se do të ketë dhimbje apo është e lodhur nga kujdesi për foshnjën. Edhe nëse nuk keni marrëdhënie seksuale, ju mund të vazhdoni të bëni gjëra intime:prekja, puthja, masturbimi apo seksi oral janë të gjitha opsione që gruaja juaj mund të jetë e interesuar për t’i bërë.  

Gruaja juaj mund të jetë e turpëruar nga trupi i saj pas lindjes. Kështu që kujtojani se ajo është e mrekullueshme, dhe bëni të ndihet femër. Në përgjithësi, nënave për herë të parë ju duhen 6-12 muaj për t’u rikthyer në peshën e para-lindjes, dhe mos u befasoni nëse gruaja juaj duket sikur është ende shtatzënë edhe disa muaj pas lindjes. Poashtu, marrëdhënia seksuale mund të jetë ndryshe. Për shkak të ndryshimeve hormonale, vagina e gruas mund të jetë e tharë (jo për shkak se ajo nuk tërhiqet seksualisht nga ju), kështu që përdorni lubrifikues. Lejoni gruan që të kontrollojë marrëdhënien dhe t’ju tregojë se cilat janë pozitat më të rehatshme për të. Ajo mund të jetë më e ndjeshme, më e lodhur apo e frikësuar nga dhimbja. Mos u brengosni, jeta juaj seksuale do t’i rikthehet normalitetit shumë shpejtë.

Category: Për Baballarët

Ligjërata mbi temën Për Baballarët

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit