Shenja paralajmëruese pas lindjes

Përmbajtja e marrë nga March of Dimes

Trupi juaj kalon nëpër ndryshime të shumta pas lindjes së foshnjës. Këto ndryshime i ndihmojnë trupit tuaj të rimarrë veten nga shtatzënia, si dhe ju ndihmojnë juve të bëheni gati për t’u kujdesur për foshnjën tuaj. Është normale të mos ndiheni rehat, të ndiheni e lodhur dhe të keni dhimbje, përderisa trupi juaj po shërohet pas lindjes.

Megjithatë, shqetësime dhe probleme të tjera shëndetësore mund të jenë shenja që ju keni nevojë për kujdes mjekësor. Kontaktoni mjekun tuaj nëse keni ndonjë nga këto shenja paralajmëruese:

  • Gjakderdhje më të madhe se sa gjatë një cikli të zakonshëm menstrual, apo që bëhet më keq.
  • Jashtëqitje, dhimbje apo skuqje që nuk hiqet apo bëhet më keq. Këto mund të jenë si pasojë e prerjes cezariane, epiziotomisë ose çarjës perinale (çarje midis vaginës dhe zorrës së trashë).
  • Ndjenjë të trishtimit që zgjatë më tepër se 10 ditë pas lindjes.
  • Temperaturë më të lartë se 38⁰C.
  • Dhimbje ose therje kur shkoni në banjë.
  • Dhimbje, ënjtje apo zbutje të këmbëve, sidomos rreth pulpit.
  • Damarë të kuq ose kapilarë që dhembin në gjoksin tuaj.
  • Dhimbje të madhe në pjesën e poshtme të barkut, ndjesia për të vjellë apo edhe vjellje.
  • Rrjedhje e lëngjeve të vaginës që kanë erë të keqe.

Besojini instinkteve tuaja. Nëse ndjeni që diçka nuk është në rregull, kontaktoni mjekun tuaj. Shumë nga këto probleme mund të trajtohen lehtë, mirëpo nëse shenjat e rrezikut injorohen dhe nuk trajtohen, ato mund të shkaktojnë probleme serioze. Kontaktoni mjekun apo shkoni menjëherë në spital nëse mendoni që jeta juaj mund të jetë në rrezik, apo keni ndonjërën nga këto shenja:

  • Gjakderdhje që nuk mund ta kontrolloni.
  • Dhimbje të gjoksit.
  • Probleme në frymëmarrje.
  • Shenja të tronditjes si p.sh. ethe, lëkurë të ftohtë dhe të djersitur, marramendje, alivanosja apo zemra e çuar peshë (rrahje të shpejta të zemrës)

Gjashtë javët e para pas lindjes

Përmbajtja e marrë nga March of Dimes

Gjatë shtatzënisë, trupi juaj ka ndryshuar shumë përderisa ka punuar për të mbajtur foshnjën të sigurtë dhe të shëndetshme. Tani që foshnja juaj ka lindur, ndryshime të tjera ndodhin në trupin tuaj. Disa nga këto ndryshime janë fizike si p.sh. gjoksi juaj mbushet me qumësht. Ndryshimet e tjera janë emocionale, si rritja e stresit. Ja se çka mund të prisni.

Çka është dhimbja perinale?

Zona ndërmjet vaginës dhe zorrës së trashë quhet perineum. Gjatë shtrëngimeve dhe procesit të lindjes, kjo zonë hapet madje mund edhe të çahet. Dhimbjet do të jenë edhe më të mëdha nëse keni pasur epiziotomi (prerja e hyrjes së vaginës për të ndihmuar foshnjën të dalë jashtë). Për të menaxhuar dhimbjen e perineumit, ju mund të bëni:

  • Ushtrimet Kegel. Këto ushtrime do t’i forcojnë muskujt në zonën e legenit, e cila ndihmon në shërimin e perineumit. Për t’i praktikuar këto ushtrime, shtrëngoni muskujt që ju përdorni për të ndaluar urinimin. Mbani muskujt e shtrënguar për 10 sekonda dhe pastaj lëshojini.
  • Vendosni një leckë të ftohtë në zonën perinale. Përdorni akull të mbështjellur me një leckë. Ju po ashtu mund të blini lecka të gatshme të cilat i mbani në frigorifer.
  • Uluni mbi jastëk.
  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Pastroni vaginën sa herë që shkoni në banjë. Kjo do t’ju ndihmojë të parandaloni infeksionet kur epiziotomia juaj shërohet.
  • Pyesni mjekun tuaj për medikamente që ju ndihmojnë të lehtësoni dhimbjen.

Çka janë dhimbjet e paslindjes?

Dhimbjet e paslindjës janë ngërçe që ndjeni përderisa mitra juaj kthehet në madhësinë e saj të rregullt. Menjëherë pas lindjës, mitra juaj është e rrumbullakët, e fortë dhe peshon rreth 1.14kg. Afër 6 javë pas lindjës së foshnjës, mitra peshon rreth 57gr. Këto ngërçe duhet të kalojnë pas disa ditësh. Pyesni mjekun tuaj për medikamentet pa recetë që mund t’i merrni për lehtësim të dhimbjeve.

Çfarë ndryshime në trup mund të ndodhin pas prerjes cezariane?

Lindja me prerje cezariane është një operacion i vështirë prandaj do t’ju duhet një kohë për t’u shëruar. Ju mund të ndiheni shumë e lodhur në ditët apo javët e para pas lindjës me prerje cezariane. Kjo ndodh për shkak se ju humbni shumë gjak gjatë operacionit. Poashtu, mund të keni dhimbje në varrën nga prerja në barkun tuaj. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Pyesni mjekun tuaj për medikamente kundër dhimbjës dhe konsultohuni me të para se të përdorni ndonjë medikament të blerë pa recetën e mjekut.
  • Kërkoni nga partneri, familja apo shoqëria që t’ju ndihmojnë në kujdesin e fëmijës dhe punëve të shtëpisë.

Çfarë është rrjedhja e lëngjeve nga vagina?

Ekziston një lëng trupor që rrjedh nga vagina, rrjedhja e të cilit mund të rritet gjatë dhe pas shtatzënisë. Pas lindjes së foshnjës, trupi liron gjakun dhe indet që kanë qenë brenda mitrës. Në ditët e para, ky lëng është më i rëndë, me ngjyrë të kuqe të qelët dhe mund të përmbajë mpiksje të gjakut. Pas një kohe, rrjedhja bëhet më e lehtë dhe me ngjyrë më të qelët. Kjo rrjedhje mund të vazhdojë për disa javë, për një muaj apo edhe më tepër. Përdorni fasuleta intime të femrave deri sa rrjedhja e lëngjeve nga vagina të ndalet.

Çfarë është bllokimi i gjirit?

Bllokimi i gjirit ndodh kur gjinjtë fryhen pasi të mbushen me qumësht. Kjo mund t’ju shkaktojë dhimbje. Kur ju të filloni gjidhënien, dhimbja duhet të fillojë të largohet. Nëse nuk planifikoni ta ushqeni foshnjën me gji, kjo do të zgjasë deri sa gjinjtë të ndalojnë së prodhuari qumësht. Klikoni këtu për të mësuar për mënyrat se si mund ta menaxhoni bllokimin e gjirit.

Çfarë është dhimbja e thithkave?

Nëse jeni duke dhënë gji, ju mund të hasni në dhimbje në zonën e thithkave dhe përreth tyre gjatë ditëve të para, sidomos nëse në thithkat tuaja ka çarje. 

Çfarë është ënjtja?

Shumicës së grave ju ënjten duart, këmbët dhe fytyra gjatë shtatzënisë. Kjo shkaktohet nga lëngjet e shtuara në trup që ju ndihmojnë në përgatitjen e trupit për dhimbjet dhe procesin e lindjes. Mund të kalojë një kohë para se të hiqet e ënjtja edhe pasi që të lind foshnja. Ja se çfarë mund të bëni për të menaxhuar ënjtjen e trupit:

  • Shtrihuni në anën e majtë të trupit dhe ngrini këmbët lartë.
  • Mundohuni të qëndroni e qetë dhe vishni rroba të gjëra.

Çfarë janë hemorroidet?

Hemorroidet janë vena të ënjtura dhe që dhembin brenda dhe përreth anusit. Ato iu shfaqen shumicës së grave gjatë shtatzënisë. Hemorroidet mund të përkeqësohen pas lindjes së foshnjës. Ja se çfarë mund të bëni për të menaxhuar hemorroidet:

  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Përdorni një spërkatës ose krem që shitet pa recetën e mjekut për të lehtësuar dhimbjen. Konsultohuni me mjekun për llojet e lejueshme për përdorim.
  • Hani ushqime që përmbajnë shumë fibra, si fruta, perime si dhe bukë me drithëra të papërpunuara.
  • Pini shumë ujë.
  • Mundohuni të mos sforcoheni në rast të turbullimeve të barkut.

Çfarë është kapsllëku?

Kapsllëku ndodh kur keni gazëra me dhimbje ose vështirësi për të dalur jashtë. Kapsllëku mund të shfaqet pas lindjes së foshnjës. Ja se çfarë duhet të bëni për të menaxhuar kapsllëkun:

  • Hani ushqime që përmbajnë më shumë fibra.
  • Pini shumë ujë.
  • Pyesni mjekun për medikamente të nevojshme.

Çfarë probleme të urinimit mund të shfaqen pas lindjes së foshnjës?

Ju mund të ndjeni dhimbje ose therje kur urinoni. Ju poashtu mund ta keni të vështirë të urinoni, ose e kundërta, ju mund ta keni të vështirë të ndaloni së urinuari. Kjo quhet mospërmbajtje e urinës. Nëse keni dhimbje, therje, probleme në urinim apo në mbajtjen e urinës:

  • Pini shumë ujë.
  • Lëshoni ujin në lavaman kur shkoni në banjë.
  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Nëse dhimbja vazhdon kontaktoni mjekun tuaj.
  • Bëni ushtrimet Kegel për të forcuar muskujt e legenit. Kjo do t’ju ndihmojë në rastin e mospërmbajtjes së urinës.

Pse mund të djersini më tepër pas lindjes së foshnjës?

Kjo ndodh tek shumë nëna të reja, sidomos gjatë natës. Djersitja shkaktohet nga të gjitha hormonet që krijohen në trupin tuaj pas shtatzënisë. Ja se çfarë mund të bëni në këtë rast:

  • Vendosni një peshqir mbi çarçafë dhe jastëkë ashtu që të mos i lagni ato.
  • Mos përdorni shumë batanije apo vishni rroba të trasha për në shtrat.

Pse mund të ndiheni e lodhur pas lindjes së foshnjës?

Ju mund të humbni shumë gjak gjatë procesit të lindjes. Kjo do të shkaktojë lodhjen e trupit. Po ashtu, foshnja me siguri nuk do t’ju lë të flini gjatë tërë natës. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Flini kur foshnja fle, edhe kur ai/ajo bën një sy gjumë gjatë ditës.
  • Hani ushqim të shëndetshëm si fruta, perime, bukë dhe pasta me drithë të papërpunuar, mish pa dhjamë dhe mish pule. Kufizoni ëmbëlsirat dhe ushqimet e yndyrshme.
  • Kërkoni nga partneri, familja apo shoqëria t’ju ndihmojnë në kujdesin e fëmijës dhe punëve të shtëpisë.

Kur do të mund të ngeleni shtatzënë përsëri?

Nëse nuk praktikoni gjidhënien, menstruacionet do t’ju vijnë rreth 6 deri në 8 javë pas lindjes së foshnjës. Nëse praktikoni gjidhënien, ju mund të mos e filloni ciklin menstrual për muaj të tërë. Disa gra nuk do të kenë cikël menstrual përderisa ushqejnë foshnjën me gji. Është e mundur që ju mund të ovuloni (të lironi vezë) para se menstruacionet të rifillojnë. Kjo do të thotë që mund të mbesni shtatzënë, pavarësisht nëse praktikoni ose jo gjidhënien. Përdorni masa mbrojtëse për t’u siguruar që të mos mbesni shtatzënë pa qenë gati. Nëse jeni duke dhënë gji, konsultohuni me mjekun për llojin e mjeteve mbrojtëse të lejueshme për përdorim, sepse jo të gjitha janë të sigurta për t’u përdorur gjatë gjidhënies.

A mund të humbni në peshë pas lindjes së foshnjës?

Tani është koha mjaft e përshtatshme për të pasur një peshë të shëndetshme, pa marrë parasysh sa keni peshuar para shtatzënisë. Nëse keni peshë të shëndetshme, ju do të ndiheni më mirë, si dhe mundësia për të hasur në sëmundje si diabeti apo tensioni i lartë i gjakut është më e vogël. Gjithashtu, është më mirë nëse keni një peshë të shëndetshme në rast se mbesni shtatzënë prapë apo nëse planifikoni të keni një fëmijë tjetër në të ardhmen. Ja se çfarë mund të bëni që të humbni në peshë:

  • Flisni me mjekun për një peshë të shëndetshme. Nëse ju keni pasur ca kilogramë të tepërta para shtatzënisë, ju do të doni të humbni më shumë sesa peshën e fituar gjatë shtatzënisë.
  • Hani ushqime të shëndetshme. Kufizoni ëmbëlsirat dhe ushqimet me shumë yndyrë.
  • Pini shumë ujë.
  • Merruni çdo ditë me ndonjë aktivitet. Ecja dhe noti janë aktivitete të mira për nënat e reja.
  • Ushqeni foshnjën tuaj me qumësht gjiri. Kjo do t’ju ndihmojë të digjni kalori, dhe të bini në peshë më shpejtë se sa sikur të mos praktikonit gjidhënien.
  • Mos u ndjeni keq nëse nuk humbni në peshë aq shpejt sa do të donit. Trupit (dhe barkut) tuaj i duhet pak kohë për t’u kthyer në formën e mëparshme.

Çfarë ndryshime mund të ndodhin në lëkurë pas lindjes së foshnjës?

Ju mund të keni të çara në vendet ku lëkura është zgjatur, si p.sh. në bark, kofshë, gjinj dhe të pasme. Përdorni kremra dhe losione në lëkurë për të menaxhuar të çarat.

Çfarë ndryshime mund të pësojnë flokët pas lindjes?

Flokët tuaja mund të jenë dukur më të dendura dhe me qime më të plota. Pas lindjes së foshnjës suaj, flokët mund të ju dobësohën. Humbja e flokëve zakonisht zgjat 3 deri në 4 muaj pas lindjes së foshnjës. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Hani shumë fruta dhe perime. Këto do të mbrojnë dhe të ndihmojnë në rritjen e flokëve.
  • Mos i kapni flokët në bisht, gërsheta si dhe mos përdorni shnolla dhe llokne. Ato mund të tërheqin dhe të bëjnë presion në flokun dhe kokën tuaj.
  • Thani flokët me temperaturë të ulët.

Ndryshimi i disponimit pas lindjes (Baby Blues) dhe Depresioni pas Lindjes

Ndryshimet hormonale, dhimbja nga lindja, mungesa e gjumit dhe të bërit nënë mund t’ju shkaktojnë gjendje më të luhatshme emocionale. Ju mund të jeni e lumtur në të shumtën e kohës, mirëpo ndonjëherë ju shumë lehtë mund të nervozoheni dhe të qani, të ndiheni e mërzitur apo e hutuar. Rreth 80% e nënave për herë të parë vuajnë nga kjo gjendje. Kjo gjendje fillon tre deri në pesë ditë pas lindjës dhe zgjatë për disa javë. Edhe pse kjo është gjendje mjaft e vështirë emocionale, ju nuk do të keni ndonjë problem fizik. Kjo gjendje zbutet dhe largohet me kalimin e kohës. Nëse kjo gjendje nuk kalon dhe ju keni përshtypjen që po bëheni më keq, është e mundur që ju vuani nga depresioni i pas-lindjes dhe keni nevojë për ndihmë. Rreth 15% e femrave vuajnë nga ky depresion gjatë vitit të parë të lindjes. Për më shumë informata rreth depresionit të pas-lindjes, duke përfshirë simptomat dhe trajtimin e tij, klikoni këtu.

 
Category: Lindja

Ligjërata mbi temën Lindja

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit