Si është kur ke dhimbje të lindjes?

Dhimbjet e lindjes janë të ndryshme për çdo femër. Gratë zakonisht i përshkruajnë dhimbjet e lindjes si:
  • Ngërçet, si kur jeni në ciklin menstrual apo vuani nga diarreja.
  • Dhimbje të pjesës së poshtme të shpinës që lëviz herë në pjesën e përparme e herë në të prapme.
  • Turbullime të barkut,që pastaj bëhen shumë më të forta përderisa dhimbjet vazhdojnë.
  • Më vonë, (në periudhën Aktive) ju mund të vuani nga ndjesia për të vjellë, të villni, të keni të ftohtë, keni dhimbje të shpinës, ethe dhe të ndiheni e dëshpëruar dhe pa disponim.

Çfarë e shkakton dhimbjen?

Frika e rrit tensionin, tensioni intensifikon dhimbjen, dhe dhimbja shkakton nervozizëm dhe ankth që çon në frikë dhe tension. Këtë cikël mund ta ndërpreni me ndihmën e njohurive rreth teknikave të relaksimit, që zvogëlojnë perceptimin dhe ndjesinë e dhimbjes.

Pragu i dhimbjes është niveli ku një person përjeton dhimbje, dhe kjo ndryshon nga personi në person. Toleranca e dhimbjes është aftësia për të toleruar dhimbjen, e cila po ashtu varet nga individi. Të gjithë e ndiejmë ndryshe dhe në shkallë të ndryshme. Nëse unë do t’ju pickoja fort dhe pas 30 sekondave ju të bërtisni “ooo!”, unë kam arritur pragun e dhimbjes. Nëse unë vazhdoj t’ju pickoj dhe ju bërtisni “mjaft! pas 30 sekondave tjerë, atëherë unë kam arritur pragun e tolerancës. Nëse e keni mësuar teknikën e përballimit siç është frymëmarrja e kontrolluar, ju do të mund të filloni ta përdorni atë kur të keni thënë “mjaft!” dhe do të mund ta përballoni dhimbjen për më gjatë.

Shumica e grave do të përjetojnë dhimbje gjatë lindjes. Por përgatitja dhe mbështetja në përgjithësi do të rrisin tolerancën tuaj ndaj dhimbjes. Lindja e fëmijës është një proces natyral që çdo femër është në gjendje ta bëjë dhe përballoj. Dhe mbani mend, kjo është një dhimbje e mrekullueshme dhe me një qëllim; pas tërë asaj pune të vështirë ju do të sillni në jetë një foshnje të mrekullueshme! Shumica e femrave thonë se dhimbja zhduket kur foshnja të jetë në duart tuaja.

Si ta bëni lindjen më të lehtë?

Trupi juaj prodhon hormone në mënyrë natyrale që t’ju ndihmojë me dhimbjet dhe ju mund të rrisni nivelin e këtyre hormoneve duke bërë këto në vijim:

  1. Bëni ushtrimet të relaksimit: shikoni më poshtë për një udhëzues hap-pas-hapi.
  2. Bëni një masazhë: kërkoni nga partneri juaj apo mamia që t’ju fërkojnë pjesën e poshtme të shpinës, që shumë gra thonë se është shumë qetësuese veçanërisht gjatë shtrëngimeve të barkut (kontraksioneve).
  3. Bëni një dush: mund ta bëni këtë nëse qëndroni në shtëpi gjatë periudhës së hershme.
  4. Kërkoni për mbështetje: nëse qëndroni në shtëpi gjatë periudhës së hershme mund të keni një person që ju mbështet (partneri, nëna, vjehrra, ndonjë shoqe etj.)
  5. Ndërroni pozitat: nuk ju ndihmon nëse thjeshtë qëndroni e shtrirë në shpinë, kështu që mundohuni të ecni dhe ndërroni pozitat.

Më e rëndësishmja është që të keni besim në vetvete. Ju mund ta bëni! Trupi juaj është i bërë që ju ta përballoni këtë. Gratë kanë lindur fëmijë që kur njerëzimi ekziston. Mos u frikësoni, ky është një proces natyral.

Ushtrimet e relaksimit

Ekzistojnë një mori e ushtrimeve të ndryshme të relaksimit që ju mund t’i bëni për t’ju bërë lindjen më të lehtë.

  1. Përfytyrimi:

Provoni të krijoni një pamje qetësuese në mendjen tuaj, si për shembull:

- Përdorni imagjinatën pozitivisht që të mendoni një skenë apo vend të këndshëm ku ju do të dëshironit të ishit.

- Përfytyroni qafën e mitrës suaj si një lule që po hapet, imagjinoni atë tek hapet dhe foshnjën tuaj tek shkon poshtë e më poshtë gjatë çdo shtrëngimi.

- Krijoni një pikë përqendrimi, një figurë, person, apo një rrugë që e mbani mend/imagjinoni si p.sh. shkallë apo ndonjë shëtitore.

2. Ushtrimet me zë:

Provoni të përsërisni me zë (apo me vete) ndonjë frazë që ju pëlqen, si për shembull:

- Unë mund t’ia dal, unë mund t’ia dal.

- Një frymë për ty, një frymë për mua.

- Unë të dua, ti më do.

Po ashtu mund të numëroni me zë apo vetë me vete.

3. Teknikat e frymëmarrjes:

Shoqata Amerikane e Shtatzënisë, shikoni http://americanpregnancy.org/labor-and-birth/patterned-breathing/

Frymëmarrja e ngadalshme

Filloni frymëmarrjen e ngadalshme kur shtrëngimet të jenë të forta, kur ju nuk mund të flisni apo ecni pa ndërprerje.

  1. Filloni më një frymëmarrje—një psherëtimë të madhe me të filluar shtrëngimet. Kur e nxirrni frymën, lironi tërë presionin (lëshoni trupin nga koka te këmbët).
  2. Rrini e përqëndruar.
  3. Merrni frymë ngadalë me hundë dhe nxirrni atë me gojë, duke mundësuar tërë ajrin të qarkullojë me një psherëtimë. Pushoni deri sa të keni nevojë për më tepër ajër.
  4. Në çdo nxjerrje të frymës, mundohuni të relaksoni një pjesë tjetër të trupit.

Frymëmarrje të lehta dhe të shpejta

Shumica e grave e ndiejnë nevojën që të kalojnë në frymëmarrje të lehtë gjatë periudhës aktive të lindjes. Lejojani shtrëngimeve të barkut që të ju udhëzojnë se kur të përdorni frymëmarrjen e lehtë. Merrni dhe nxjerrni frymën shpejtë nga goja rreth një herë në sekondë. Mbani frymëmarrjen të lehtë dhe të butë. Frymëmarrjet duhet të jetë pa zë, por nxjerrja e frymës duhet të dëgjohet qartë.

  1. Filloni me një frymëmarrje — një psherëtimë të madhe me të filluar shtrëngimet. Kur e nxirrni frymën, lironi tërë presionin (lëshoni trupin nga koka te këmbët).
  2. Rrini e përqëndruar.
  3. Merrni frymë ngadalë me hundë dhe nxirrni atë me gojë. Shpejtoni dhe lehtësoni frymëmarrjen kur shtrëngimet të intensifikohen. Nëse shtrëngimet e barkut bëhen më të forta, atëherë juve do t’ju duhet të shpejtoni frymëmarrjen më herët. Nëse shtrëngimet rritën ngadalë, edhe frymëmarrja juaj shpejtohet gradualisht për një kohë më të gjatë. Mbani gojën dhe krahët të relaksuara.
  4. Përderisa frymëmarrja juaj shpeshtohet me rritjen e shtrëngimeve, merrni dhe nxirrni frymën lehtë nga goja. Mbani frymëmarrjen të lehtë dhe të butë me një ritëm rreth një frymëmarrje për sekondë.
  5. Përderisa shtrëngimet e barkut fillojnë të lehtësohen, gradualisht ngadalësoni ritmin e frymëmarrjes dhe kthehuni në procesin e marrjës së frymës me hundë dhe nxjerrjës me gojë.
  6. Kur shtrëngimet e barkut të ndalen, merrni frymë thellë dhe nxirreni me një psherëtimë.

Frymëmarrja e ndryshueshme (Tranzitive)

Kjo është një formë tjetër e frymëmarrjes së lehtë. Nganjëherë i referohet si frymëmarrja “heh-heh-huu”. Frymëmarrja e ndryshueshme është një kombinim i frymëmarrjes së lehtë të butë me nxjerrje më të gjata apo më të zëshme të frymës. Frymëmarrja e ndryshueshme përdoret në periudhën e parë nëse nuk ndiheni rehat, nuk mund të relaksoheni, jeni e mërzitur apo e rraskapitur.

  1. Filloni më një frymëmarrje—një psherëtimë të madhe me të filluar shtrëngimet. Kur e nxirrni frymën, lironi tërë presionin (lëshoni trupin nga koka te këmbët).
  2. Përqendrohuni fokusin te partneri juaj apo një pikë tjetër fokale, si p.sh. një foto.
  3. Merrni frymë me gojë me frymëmarrje të lehta e të buta me ritëm 5-20 frymëmarrje për 10 sekonda, përgjatë kohëzgjatjës së shtrëngimeve të barkut.
  4. Pas çdo frymëmarrje të dytë, tretë, katërt apo pestë, nxirrni frymën jashtë. Mund të përpiqeni të bëni edhe “huu” apo “fhuu” për të zgjatur frymënxjerrjën.
  5. Kur shtrëngimet e barkut të përfundojnë, merrni një apo dy herë frymë thellë.

Frymëmarrja për të evituar shtyrjen në kohën e gabuar

Gjatë të dy periudhave të dhimbjeve të lindjes ju do të provoni të shtyni për të lindur por ajo mund të mos jetë koha e duhur. Shumica e grave zakonisht e mbajnë frymën gjatë këtyre momenteve shumë të vështira.

  1. Mos e mbani frymën. Provoni të merrni dhe nxjerrni frymën vazhdimisht apo duhet e ngritur mjekrën dhe duke fryrë. Kjo ju mban juve që të mos shtyni më shumë, pasi që trupi juaj tashmë po e bën një gjë të tillë.

Frymëmarrja e dëbimit/përjashtimit/largimit

Kjo frymëmarrje përdoret kur qafa e mitrës është hapur plotësisht dhe faza e dytë e dhimbjeve të lindjës ka filluar.

  1. Filloni më një frymëmarrje—një psherëtimë të madhe me të filluar shtrëngimet. Kur e nxirrni frymën, lironi tërë presionin (lëshoni trupin nga koka te këmbët).
  2. Përqendroni fokusin te foshnja juaj që po lëviz poshtë e lartë, apo një imazh tjetër pozitiv.
  3. Merrni frymë ngadalë dhe leni shtrëngimet e barkut t’ju udhëzojnë nëse duhet të përshpejtoni apo ngadalësoni frymëmarrjen që ju të ndiheni më rehat. Kur nuk mund t’i rezistoni dëshirës për të shtyrë (kur “kërkohet” që ju të reagoni), merrni frymë thellë, bashkoni mjekrën me kraharorin, lakoni trupin tuaj dhe përkuluni përpara. Pastaj qëndroni e përkulur përderisa e mbani frymën apo e lëshoni ngadalë duke gulçuar apo duke lëshuar ndonjë zë (“huu” apo “fhuu”). Më e rëndësishmja është që të relaksoni bazën e legenit. Ndihmoni foshnjën që të zbresë poshtë duke liruar tërë tensionin rreth vaginës.
  4. Pas 5-6 sekondave, lëshoni frymën dhe pastaj merrni dhe nxjerrni frymën përsëri. Kur t’ju kaplojë dëshira për të shtyrë, reagoni duke u lëshuar poshtë dhe përkulur përpara. Ndjesia që keni do të përcaktojë se sa fort do të duhet të shtyni. Do të vazhdoni me këta hapa derisa shtrëngimet e barkut të ndalën. Dëshira për të shtyrë do të vijë dhe largohet shpesh gjatë shtrëngimeve. Përdorni këto pauza që të merrni frymë thellë në mënyrë që të furnizoni trupin dhe gjakun me oksigjen të mjaftueshëm për ju dhe foshnjën.
  5. Kur shtrëngimet të ndalen, relaksoni trupin tuaj, merrni frymë thellë dhe qetësohuni.

 

Category: Si ndjeheni dhe si ta përballoni

Ligjërata mbi temën Lindja

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit