Fazat dhe shenjat e dhimbjeve të lindjes

 

Çfarë ndodh me trupin tuaj gjatë dhimbjeve të lindjes?

Kur të fillojnë shtrëngimet e barkut (kontraksionet) gjatë dhimbjeve të lindjes, muret e mitrës tuaj fillojnë të ngushtohen. Ato janë të simuluara nga lirimi i hormoneve (oksitocina). Shtrëngimet e barkut bëjnë që qafa e mitrës të zgjerohet dhe të fillojë të hapet. Duke u shtuar dhimbjet e lindjes, qesja amniotike mund të shpërthej duke shkaktuar një rrjedhje të ngadalshme apo të shpejtë të lëngjeve (shpërthimi e ujërave), dhe lindja zakonisht fillon 24 orë pas këtij shpërthimi. Me shpeshtimin dhe rritjen e shtrëngimeve të barkut, qafa e mitrës do të fillojë të hapet (zgjerohet) gradualisht. Përderisa dhimbjet e lindjes sa vijnë dhe rriten, trupi lëshon hormone të quajtura endorfinë për t’ju lehtësuar këto dhimbje. Nivelet e larta të endorfinës shpesh thuhet se janë më efektive sesa medikamentet. Qëndroni të relaksuar për të inkurajuar trupin tuaj që të krijojë dhe lëshojë këto hormone të cilat lehtësojnë dhimbjet e lindjes. Për të parë si bëhet kjo, klikoni këtu.

A janë këto dhimbje lindjes të vërteta apo të rrejshme?

Po ashtu të quajtura si shtrëngimet e barkut (kontraksionet) Braxton Hicks, këto shtrëngime të barkut paraqesin një ngushtim pa dhimbje në pjesën e poshtme të abdomenit tuaj. Ju mund të filloni t’i ndjeni këto shtrëngime në tremujorin e dytë apo të tretë të shtatzënisë, por ato zakonisht bëhen më të forta gjatë muajit të fundit të shtatzënisë. Ato nuk nënkuptojnë se ju jeni gati për lindje; kjo është vetëm një mënyrë e trupit për t’u përgatitur për lindje. Këtu i keni disa shenja që e dallojnë procesin e vërtetë të lindjes nga procesi i rrejshëm.

Dhimbjet e vërteta të lindjes

Dhimbjet e rrejshme të lindjes

Shtrëngimet e barkut (kontraksionet) janë të rregullta dhe vijnë në intervale gjithmonë e më të shkurtra dhe bëhen më të gjata dhe më të forta.

Intervalet e këtyre shtrëngimeve janë të çrregullta dhe nuk bëhen më të shpeshta apo më të forta.

Shpërthimi i ujërave që rezulton në rrjedhje apo shpërthim të lëngjeve. Shtrëngimet e barkut (kontraksionet) mund të fillojnë para apo pas shpërthimit të ujërave.

Shtrëngimet e barkut (kontraksionet) ndalen kur ju jeni duke pushuar, dhe keni ndalur aktivitetet tuaja, gjatë ecjes apo ndërrimit të pozitave.

Depërtimi në shtresën e mukozës. Dhimbjet e lindjes mund të mos ju vijnë edhe disa ditë, por ato janë afër.

Dhimbja e shtrëngimeve të barkut nuk është e njëjtë (në një moment është më e fortë dhe në një moment tjetër zvogëlohet dukshëm)

Dhimbje e vazhdueshme në pjesën e poshtme të shpinës, veçanërisht nëse janë të përcjella me një ndjenjë të ngërçeve të ngjashme me ato që përjetohen para ciklit menstrual.

Dhimbja është e përqendruar vetëm në pjesën e përparme.

Shenja që tregojnë se dhimbjet e lindjes janë afër

Këtu i keni 12 shenja që tregojnë se dhimbjet e lindjes po afrohen. Ju mund të mos jeni gati për lindje edhe disa ditë apo javë, por ato tregojnë se shtatzënia juaj është në drejtimin e duhur:

  1. ‘Ndihem më e lehtë’ (2-3 javë para lindjes) – që nënkupton se foshnja juaj lëvizë poshtë dhe ju lejon juve të merrni frymë më lirshëm.
  2. Rritja e nevojës për të urinuar (ushtrohet më shumë presion në fshikëz).
  3. Stomaku nuk ndihet më aq i shtypur dhe kjo ju lejon të hani më tepër.
  4. Rritja të shtrëngimeve të barkut (kontraksionet Braxton-Hicks).
  5. Do të bini në peshë rreth 0.5-1.0kg (kryesisht nga derdhja e ujërave).
  6. Rritja e dhimbjeve të shpinës.
  7. Rritja e presionit në legen.
  8. Rritja e sekrecioneve vaginale.
  9. Jashtëqitja e shpeshtë dhe ndjenja për të vjellë.
  10. Rritje të papritur të energjisë (kryesisht 24-48 orë para lindjes).
  11. Zbutja dhe lagia e mitrës.
  12. Zhdukja e shtresës së mukozës.

Fazat e dhimbjeve të lindjes

Dhimbjet e lindjes nuk janë të njëjta me atë çfarë shihni në televizion. Ato nuk vijnë gjithmonë me dhimbje dhe bërtima, nganjëherë ujërat nuk shpërthejnë deri në momentin kur foshnja të lindë dhe pothuajse asnjëherë nuk ndodh që foshnja të lindë vetëm disa momente pasi të kenë filluar dhimbjet e lindjes. Për shumicën e femrave, veçanërisht nënat që lindin për herë të parë, dhimbjet aktive të lindjes fillojnë 6-8 orë para lindjes, por ato mund të fillojnë edhe 18 orë apo më tepër para se foshnja të lindë. Asnjë grua shtatzënë nuk e përjeton njejtë lindjen. Ju ndihmon shumë nëse i kuptoni fazat e ndryshme të lindjes dhe sa zgjat secila pre tyre:

  • Faza e parë – përbëhet nga tri periudha:
    • E hershme: kjo është pjesa ku partneri juaj apo anëtarët e familjes dhe miqtë mund t’ju ndihmojnë duke ju mbajtur të shpërqendruar, të relaksuar dhe ju lënë të pushoni. Gjatë dhimbjeve të hershme të lindjes është më së miri që të qëndroni në shtëpi pasi do të ndiheni më rehat dhe mund të keni familjen dhe miqtë afër për t’ju ndihmuar. Duhet të urinoni shpesh. Mund të porosisni partnerin tuaj që të masë shtrëngimet e barkut, të ketë gati çantën për spital dhe të sigurojë transportin deri në spital.
    • Aktive: tashmë duhet të jeni ne spital. Aktualisht, spitalet publike në Kosovë nuk i lejojnë familjarët dhe miqtë që të qëndrojnë me ju pasi të jeni shtruar në repartin e maternitetit, por shpresojmë që kjo do të ndryshojë shumë shpejt. Studimet kanë dëshmuar që gratë të cilat janë me përcjellës kanë lindje shumë më të shpejta dhe me më pak komplikime sesa ato që janë pa përcjellës. Shtrëngimet e barkut (kontraksionet) bëhen më të forta dhe më të shpeshta përderisa periudha aktive e lindjes të vazhdojë.
    • Periudha e tranzicionit: kjo do të jetë pjesa më e vështirë për ju pasi që qafa e mitrës në këtë periudhë hapet maksimalisht. Mos u brengosni, kjo pjesë zakonisht nuk zgjat shumë (mesatarisht XX minuta) dhe nënkupton që lindja juaj është shumë afër. Ju do ta shihni foshnjën shumë shpejt pasi kjo të ndodhë!
  • Faza e dytë – përfshin shtyrjen dhe lindjen e foshnjës suaj. Kohëzgjatja mesatare për nënat që lindin për herë të parë është një orë.
  • Faza e tretë – nxjerrja e placentës, zakonisht brenda 5-30 minuta pasi që foshnja të lindë.
Image

Kur të shkoj në spital?

Kjo varet nga gjendja e vetë gruas shtatzënë: komplikimet/rreziqet e larta të shtatzënisë, lindja e parë, distanca nga spitali, dhe preferencat personale. Të gjitha këto mund të përcaktojnë kohën se kur ju do të duhet të arrini në spital. Ju nuk keni nevojë të shkoni në spital që në shenjat e para të shtrëngimeve të barkut, dhe në fakt është më mirë që të qëndroni në shtëpi gjatë dhimbjeve të hershme pasi që do të ndiheni shumë më rehat. 

Mund ta porosisni partnerin tuaj që të masë kohëzgjatjen e shtrëngimeve tuaja dhe të niseni për në spital kur ato të jenë vazhdimisht nga pesë minuta ndërmjet, përveç në rastet kur ju jetoni në një distancë më të largët nga spitali, në të cilin rast do të duhet të niseni më herët. Këshillohuni me mjekun tuaj se kur është koha më e mirë për të shkuar në spital. Arsye tjera (shenja të rrezikshme) për të shkuar menjëherë në spital janë nëse:

  • Ju kanë shpërthyer ujërat apo keni rrjedhje të lëngut amniotik i cili është i verdhë/kafe/gjelbër apo ka ngjyrë të gjakut.
  • Foshnja është më pak aktive sesa zakonisht.
  • Keni gjakderdhje vaginale (përveç në rastet kur është vetëm gjak sipërfaqësor), dhimbje të vazhdueshme të mëdha të barkut, apo keni ethe.
  • Shtrëngimet e barkut fillojnë para javës së 37-të (këto nuk janë kontraksionet Braxton Hicks; lexoni më poshtë).
  • Keni kokë-dhembje të mëdha dhe të vazhdueshme, ndryshime në të parë, dhimbje të madhe apo plogështi në pjesën e sipërme të barkut, dhe ënjtje jo-normale. Këto janë shenja të para-eklampsisë (kur gruaja vuan nga më shumë se një nga simptomat e lartpërmendura).
 
Category: Fazat dhe shenjat e lindjes

Ligjërata mbi temën Lindja

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit