DEFEKTET E LINDJES

 

Nëse fëmija juaj ka lindur me ndonjë defekt apo gjendje tjetër shëndetësore, ai mund të ketë nevojë të veçantë në lindje dhe më vonë gjatë jetës. Ju mund të shqetësoheni dhe të keni shumë pyetje. Është në rregull të ndjeheni në këtë mënyrë.

Defektet e lindjes janë gjendje shëndetësore që janë të pranishme në lindje. Ato ndryshojnë formën ose funksionin e një ose më shumë pjesëve të trupit. Defektet e lindjes mund të shkaktojnë probleme në shëndetin e përgjithshëm, se si zhvillohet trupi apo se si trupi punon. Statistikat për Kosovën nuk janë në dispozicion, por për t’ju dhënë një ide të asaj se sa të zakonshme janë, një në 33 foshnje në Shtetet e Bashkuara lind me ndonjë defekt. Aplikimi i përqindjes së njëjtë do të thotë pothuajse 1,000 foshnja të lindura çdo vit në Kosovë kanë ndonjë defekt në lindje.

Mëso për disa nga defektet më të zakonshme të lindjes këtu: çfarë janë ato, si ndodhin dhe si trajtohen. Zbuloni si të parandaloni defekte të caktuara dhe gjendje të tjera shëndetësore. Nëse dëshironi më shumë informata për defekte të tjera të lindjes të cilat janë më pak të zakonshme, vizitoni March of Dimes.

A mund të parandalohen defektet e lindjes?

Shumica e foshnjave të lindura me defekte të lindjes janë të lindur nga dy prindër pa probleme të dukshme shëndetësore apo faktorë të rrezikut. Megjithatë, disa defekte të lindjes mund të parandalohen. Ja se si:

  1. Merrni të paktën 400 mcg të acidit folik çdo ditë për të paktën një muaj para se të mbeteni shtatzënë dhe 600-800 mcg gjatë shtatzënisë. Zakonisht këtë mund ta gjeni në vitaminat e paralindjes, por kontrolloni dozën. Ushqimet me shumë acid folik përfshijnë disa drithëra të fortifikuara, thjerrëzat dhe fasule/bizele të thata, arra, avokado, perime jeshile (brokoli, spinaq, barishte marule ose rrepë, bamje, lakër Brukseli, dhe shparg) dhe fruta agrume dhe lëng 100%. Konsumimi i mjaftueshëm i acidit folik mund ta zvogëlojë deri në 70% rrezikun që foshnja juaj të ketë një defekt të tubit nervor, siç është spina bifida, si dhe ta zvogëlojë deri në 25% rrezikun që foshnja juaj të ketë të çara në gojë.
  2. Vizitoni mjekun kur planifikoni të mbeteni shtatzënë dhe sapo të mendoni se jeni shtatzënë. Është thelbësore që gjatë shtatzënisë të vizitohet mjeku rregullisht (të paktën katër herë). Ai do të kryej teste të rëndësishme për ju dhe foshnjën tuaj, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e komplikimeve të mundshme, dhe ai gjithashtu mund t'ju tregojë se si të kujdeseni më së miri për veten dhe foshnjën tuaj që ende nuk ka lindur gjatë kësaj kohe të rëndësishme.
  3. Shmangni alkoolin kur jeni shtatzënë. Meqë nuk ka një sasi të njohur të alkoolit që është e sigurt për t'u përdorur gjatë shtatzënisë, ekspertët rekomandojnë që të mos pini fare alkool për t'i mbajtur në minimum rreziqet për fëmijën tuaj. Rreziqet përfshijnë abortin, lindjen me fryt të vdekur, dhe paaftësi të shumta fizike, të sjelljes, dhe intelektuale. Sa më shumë që pini, aq më të mëdha janë rreziqet. Pirja e shumtë mund ta shkaktojë sindromin alkoolik të fetusit, e cila shpie në probleme të përjetshme me rritje të dobët, anomali të fytyrës, dhe probleme në të mësuarit dhe sjellje. Ju ndoshta keni pirë alkool para se ta kuptonit që jeni shtatzënë. Nuk ka nevojë që të shqetësoheni pa nevojë pasi rreziqet për foshnjën tuaj me gjasë janë të vogla, por duhet ta shmangni pirjen e mëtejshme.
  4. Mos pini duhan dhe shmangni pirjen pasive të duhanit (kur thithni tym nga personi/personat që pinë duhan pranë jush). Ekspozimi ndaj tymit mund të shkaktojnë çarje të buzëve/qiellzës dhe rreziqe të tjera siç janë lindja e parakohshme dhe vdekja e foshnjës. Më e mira është që t'i shmangeni pirjes së duhanit para se të mbeteni shtatzënë, por nëse vetëm se jeni shtatzënë dhe jeni duke pirë  duhan, ju ende mund ta mbroni foshnjën tuaj duke hequr dorë nga pirja e duhanit sa më shpejt të jetë e mundur.
  5. Parandaloni infeksionet duke pastruar shpesh duart me sapun, sidomos gjatë përgatitjes së mishit, dhe duke shmangur takimet me njerëzit që janë të sëmurë. Gjithashtu, ju duhet që në mënyrë aktive të shmangni sëmundjet e transmetueshme seksualisht dhe të trajtoheni menjëherë nëse tashmë u jeni ekspozuar atyre. Infeksionet mund të shkaktojnë një varg të defekteve të lindjes.
  6. Menaxhoni të gjitha gjendjet negative shëndetësore, të tilla si, astma, diabeti, tensioni i lartë i gjakut, stresi dhe pesha e madhe. Bisedoni me mjekun tuaj se si t'i menaxhoni këto para dhe gjatë shtatzënisë. Kjo do ta zvogëlojë rrezikun që ta keni një fëmijë të lindur me një defekt të lindjes ose ndonjë tjetër sëmundje si rezultat i shëndetit të dobët.
  7. Shmangni substancat toksike para dhe gjatë shtatzënisë. Kjo vlen edhe për burrat edhe për gratë, pasi kjo mund ta rrisë rrezikun e një vargu të madh të defekteve të lindjes që ndikojnë në shumë aspekte të zhvillimit të foshnjës, duke përfshirë, ndër të tjera, trurin e tij, palcën kurrizore, traktin urinar, zemrën, sistemin nervor.
  8. Shmangni disa medikamente, duke përfshirë barnat me recetë dhe ato që jepen pa recetë, si dhe produktet dietike ose barishtore. Konsultohuni me mjekun tuaj para se të mbeteni shtatzënë ose sa më shpejt që të jetë e mundur gjatë shtatzënësisë suaj. Ai mund të jenë në gjendje ta rekomandojë një alternative që është e përshtatshme të jepet gjatë shtatzënësisë.
  9. Konsumoni 250 mcg jod çdo ditë gjatë shtatzënisë. Zakonisht, këtë mund ta gjeni në vitaminat e paralindjes, por kontrolloni dozën. Ushqimet me shumë jod përfshijnë kripën e jodizuar, ushqimin e detit dhe produktet e qumështit. Por mos konsumoni edhe aq shumë. Konsumimi i tepërt apo i pakët i jodit mund ta rrisë rrezikun e çrregullimeve në lidhje me tiroidet, si dhe vonesat mendore.

Informatat e mëposhtme mbi defektet specifike të lindjes janë ofruar me mirësjellje nga “March of Dimes” (përshtatur për Kosovën). Për më shumë informata mbi këto dhe defekte të tjera të lindjes, vizitoni faqen e internetit të March of Dimes’ website. (linku: http://www.marchofdimes.org/complications/birth-defects-and-health-conditions.aspx)

Çrregullimi i spektrit të autizmit

Çrregullimi i spektrit të autizmit (i quajtur edhe ASD) është një paaftësi zhvillimore që mund të shkaktojë probleme të mëdha sociale, të komunikimit dhe sjelljes. ASD-ja është pothuajse 5 herë më e zakonshme tek djemtë sesa tek vajzat. Kohëve të fundit, me ASD po diagnostifikohen më shumë njerëz se kurrë më parë. Ne nuk jemi të sigurt saktësisht pse ndodh kjo, por mund të jetë për shkak të disa arsyeve, duke përfshirë edhe atë se ASD-ja është duke u njohur më gjerësisht, dhe njerëzit janë më të vetëdijshëm për ASD-në, rrjedhimisht më shumë fëmijë po kontrollohen në lidhje me të, madje edhe ata me simptoma më të lehta.

Si ndikon kjo në foshnjën tuaj?

Njerëzit me ASD mund të komunikojnë, bashkëveprojnë, sillen dhe mësojnë në mënyra që janë të ndryshme nga shumica e njerëzve të tjerë. Disa njerëz me ASD kanë aftësi të forta në mësim, të menduar dhe në zgjidhjen e problemeve; të tjerët kanë probleme të mëdha me këto aftësi. Disa njerëz me ASD kanë nevojë për shumë ndihmesë në jetën e tyre të përditshme, por të tjerët kanë nevojë për pak ndihmesë.

Është shumë e rëndësishme që t'i mësoni shenjat dhe simptomat e ASD-së dhe të kërkoni ndihmë për fëmijën tuaj sapo të besoni se ai ka ASD. Marrja e shërbimeve të ndërhyrjes së hershme sa më shpejt të jetë e mundur mund të ndihmojë në përmirësimin e zhvillimit të fëmijës tuaj. Këto shërbime mund t'i ndihmojnë fëmijët nga lindja deri në moshën tre vjeç që të mësojnë aftësi të rëndësishme. Shërbimet përfshijnë terapi për ta ndihmuar një fëmijë të flasë, të ecë, të mësojë aftësi të ndihmës vetjake dhe të bashkëveprojë me të tjerët. Konsultohuni me mjekun e foshnjës suaj lidhur me shërbimet në dispozicion. 

Disa nga shenjat dhe simptomat e çrregullimit të spektrit të autizmit përfshijnë:

  • Problemet me vëmendjen e përbashkët janë një nga shenjat më të hershme dhe të zakonshme të ASD. Vëmendja e përbashkët është kur fëmija juaj shikon prapa dhe përpara në mes të një objekti (ose ngjarjeje) dhe një personi. Kur një fëmijë e bën këtë për t'i shkëmbyer interesat dhe të bashkëveprojë me një person tjetër, ai zhvillon aftësi që e ndihmojë atë të lidhet me njerëzit tjerë. Shumica e fëmijëve me ASD kanë vonesa në aftësitë e vëmendjes së përbashkët apo nuk kanë fare aftësi të vëmendjes së përbashkët.
  • Problemet e komunikimit. Disa fëmijë me ASD nuk mund të flasin fare ose flasin shumë pak. Rreth 40% e fëmijëve me ASD nuk flasin fare. Fëmijët e tjerë me ASD flasin mirë. Disa fëmijë kanë vështirësi të flasin me njerëzit e tjerë ose mund të duken të pavetëdijshëm kur njerëzit u flasin atyre, por reagojnë ndaj tingujve të tjerë. Ata mund t'i përsërisin ose t'u japin jehonë fjalëve apo frazave apo të flasin në një mënyrë të pazakontë (me zë të sheshtë/si robot, monoton apo të lartë).
  • Problemet sociale. Këto përfshijnë shmangien e kontaktit me sy ose kontaktin e pakët me sy, mungesën e reagimit nga ana e foshnjës 12-muajshe kur i përmendet emri, mungesën e reagimit ndaj buzëqeshjes apo shprehjeve të tjera të fytyrës së prindit, mungesën e fokusimit në objekte kur dikush bën me gisht drejt tyre, apo mungesën e fokusimit në objekte për të treguar interes (si p.sh. fokusimi në një aeroplan që fluturon në qiell), problemet për t'i kuptuar ndjenjat e njerëzve të tjerë, ose për të folur rreth ndjenjave të tyre, shfaqjen e interesit për njerëzit por mungesën e njohurive se si të bisedohet/lozet me ta, mungesën e interesit për njerëzit e tjerë ose dëshirën për të lozur i vetëm.
  • Problemet e sjelljes. Disa fëmijë me ASD nuk lozin lojëra “të shtirjes” (si p.sh., shtirja kinse po ushqen një kukull), mërziten nga ndryshimet në rutinë (si p.sh., ndalesa e paplanifikuar gjatë rrugës nga shkolla në shtëpi), kanë interesa apo sjellje të pazakonshme (si p.sh., rreshtimi i lodrave ose objekteve duke mos lozur me to ose të qenit shumë i interesuar në fshesat me vakum), janë shumë të ndjeshëm apo aspak të ndjeshëm ndaj mënyrës se si gjërat ndjehen/tingëllojnë/shijojnë, janë tepër të fokusuar në një gjë apo aktivitet dhe e bëjnë atë aktivitet shumë herë gjatë ditës, janë shumë të interesuar në gjëra të caktuara (si p.sh., numrat, simbolet apo subjektet e caktuara) dhe mbajnë në mend shumë informata lidhur me këto gjëra, përsërisin veprimet e njëjta vazhdimisht, si p.sh. rrahja e shuplakave, lëkundja e trupit ose ecja në gishta të këmbës.
  • Problemet e tjera. Këto përfshijnë të qenit hiperaktiv (shumë aktiv) ose probleme me qëndrimin ulur në heshtje ose duke i kushtuar vëmendje një gjëje, të qenit impulsiv (vepron pa menduar fillimisht), mungesën e frikës nga gjërat e rrezikshme por frikë të madhe nga gjërat e padëmshme, është i dhunshëm, ka shpërthime të çastit të karakterit ose e dëmton veten (si p.sh., duke goditur kokën e tij ose thumbuar veten e tij), ka shprehi të pazakonta të të ushqyerit apo gjumit (disa fëmijë me ASD mund të hanë vetëm disa artikuj ushqimor).

Si diagnostikohet?

ASD-ja mund të jetë e vështirë të diagnostikohet. Nuk ka asnjë analizë mjekësore, si p.sh., analiza e gjakut, për të kontrolluar për ASD-në. As edhe dy fëmijë me ASD nuk i kanë saktësisht shenjat ose simptomat e njëjta. Ofruesit diagnostikojnë ASD-në duke parë sjelljen dhe zhvillimin e fëmijës tuaj.

Fëmijët me ASD zakonisht tregojnë shenja ose simptoma kur ata janë nga 12 deri në 24 muajsh, por disa nga ta mund t'i kenë këto shenja ose simptoma më vonë. Disa fëmijë me ASD zhvillohen normalisht derisa ta arrijnë moshën rreth 18 deri në 24 muajsh, por pastaj ndalojnë së fituari aftësi të reja apo i humbasin aftësitë që dikur i kishin. Kjo quhet regres.

Foshnjat mund të tregojnë shenja të ASD-së para ditëlindjes së tyre të parë nëse kanë vonesa të mëdha zhvillimore. Vonesa zhvillimore janë kur fëmija juaj nuk ka arritur piketat zhvillimore atëherë kur pritej. Një cak zhvillimor është një aftësi apo aktivitet që shumica e fëmijëve mund ta bëjnë në një moshë të caktuar. Piketat përfshijnë qëndrimin ulur, ecjen, të folurit, aftësitë sociale dhe aftësitë e të menduarit. Tregoni mjekut të foshnjës suaj nëse foshnja juaj nuk është duke i arritur piketat e saj (klikoni këtu për ta parë një udhëzues sipas moshës). Nuk është e pazakontë që një foshnje e shëndetshme të ngecë prapa në disa fusha ose të zhvillohet më shpejt në të tjerat. Por, zhvillimi i këtyre foshnjave që nuk i arrijnë këto piketa duhet të kontrollohet më hollësisht nga një mjek.

Shumica e fëmijëve me ASD nuk kanë probleme me piketat e zhvillimit të hershëm, si p.sh., zvarritja dhe fillimi në kohë i ecjes. Por, ata mund të kenë vonesa në fusha të tjera, si p.sh., në aftësitë e komunikimit, ato sociale dhe të sjelljes. Nëse fëmija juaj tregon shenja ose simptoma të ASD-së, kjo nuk do të thotë gjithmonë se ai e ka ASD-në. Fëmijët me ASD mund të kenë shenja dhe simptoma të ndryshme dhe ata mund të mos i kenë të gjitha shenjat dhe simptomat.

Në çdo vizitë të rregullt të fëmijës, mjeku i foshnjës suaj duhet të shikojë për vonesa zhvillimore apo probleme dhe të bisedojë me ju në lidhje me çdo shqetësim që mund ta keni në lidhje me zhvillimin e fëmijës tuaj. Fëmijët duhet të vlerësohen nga mjeku i tyre për vonesa zhvillimore dhe aftësi të kufizuara kur t'i mbushin 9 muaj, 18 muaj dhe 24 ose 30 muaj. Ju mund të kërkoni nga mjekun juaj që t'i kryejë këto teste, nëse ai nuk i ofron ato automatikisht.

Cilat janë shkaqet?

Ne nuk i dimë të gjitha shkaqet e ASD-së. Hulumtimet sugjerojnë se ASD-ja mund të zhvillohet tek një fëmijë rreth kohës së lindjes, para, gjatë dhe menjëherë pas lindjes. Nevojiten më shumë hulumtime, por rol në këtë mund të kenë gjërat e mëposhtme:

  • Komplikimet e shtatzënisë që çojnë në lindje me peshë të ulët, lindje të parakohshme apo lindje me prerje cezariane.
  • Marrja e disa barnave me recetë gjatë shtatzënisë, si p.sh., acidi valproik (trajton epilepsinë dhe çrregullimet tjera neurologjike) ose talidomidi (trajton disa lloje të kancerit).
  • Prindërit e moshuar. Foshnjat e lindura nga prindër të moshuar kanë më shumë gjasa të kenë ASD.
  • Gjenet e lidhura me ASD-në. Gjenet kalojnë nga prindërit tek fëmijët. Fëmijët që kanë një vëlla ose motër me ASD kanë më shumë gjasa ta kenë ASD-në.
  • Gjendja gjenetike ose kromozomale.

Vaksinat NUK shkaktojnë çrregullim të spektrit të autizmit. Ju mund të keni dëgjuar për vaksinat që përmbajnë timerosal, një substancë kimike që përmban merkur. Hulumtimet tregojnë se timerosali në vaksina nuk shkakton autizëm. Timerosali nuk përdoret më në vaksina, me përjashtim në disa doza të gripit.

A mund të parandalohet?

Në shumicën e rasteve, ASD-ja është jashtë kontrollit të të gjithëve. Por, meqenëse nuk mund ta ndryshoni gjenetikën, ju mund t'i bëni disa gjëra që mund ta reduktojnë rrezikun që ta keni një fëmijë që zhvillon ASD. Por mbani në mend se ASD-ja është një çrregullim kompleks dhe ka ende shumë gjëra që nuk i dimë në lidhje me shkaqet dhe parandalimin.

  • Diskutoni me mjekun tuaj nëse barnat që i përdorni janë të sigurta gjatë shtatzënësisë.
  • Shmangni ekspozimin ndaj kimikateve toksike dhe ndotjes së mjedisit.
  • Qëndroni të shëndetshëm për ta kufizuar mundësinë e zhvillimit të komplikimeve të shtatzënësisë. Kjo përfshin marrjen e një shtese të vitaminës që përmban 400-800 mcg të acidit folik në ditë dhe shmangien e infeksioneve.

Cili është trajtimi?

Nuk ka kurë për ASD-në. Por, disa fëmijë mund të shërohen kur marrin trajtim sa më shpejt të jetë e mundur. Përveç shërbimeve të ndërhyrjes së hershme, fëmijët me ASD mund të kenë nevojë për lloje tjera të trajtimit, duke përfshirë:

  • Barnat. Megjithëse barnat nuk mund ta kurojnë ASD-në, disa barna mund t'u ndihmojnë disa fëmijëve me ASD që të funksionojnë më mirë. As edhe dy fëmijë me ASD nuk janë plotësisht të ngjashëm, por bisedoni me mjekun e fëmijës suaj për të parë nëse ndonjë bar mund ta ndihmojë fëmijën tuaj.
  • Opsionet dhe terapitë e trajtimit të sjelljes dhe komunikimit. Këto përfshijnë: analizën e sjelljes së aplikuar; qasjen zhvillimore, të dallimeve individuale, dhe të bazuar në marrëdhënie (e quajtur edhe "floortime"); terapinë profesionale (ndihmon fëmijën të mësojë aftësi, të tilla si të veshurit, të ushqyerit, larja dhe lidhja me njerëzit); terapinë e integrimit ndijor; dhe terapinë e të folurit dhe gjuhës.
  • Mjekësia plotësuese dhe alternative (MPA), e cila përdor trajtimet që janë të ndryshme nga ajo që rekomandon zakonisht një pediatër. Dietat e veçanta janë një lloj i MPA-së për fëmijët me ASD, por nuk ka hulumtime të mjaftueshme për t'i rekomanduar ato.

Çarja e buzëve dhe qiellzës

Çarja e buzëve është një defekt i lindjes në të cilën buza e sipërme e fëmijës nuk formohet plotësisht dhe ka një hapësirë në të. Çarja e qiellzës është një defekt i ngjashëm i lindjes në të cilën qiellza e fëmijës (kulmi i gojës) nuk formohet plotësisht dhe ka një hapësirë në të. Këto defekte të lindjes quhen të çarat e gojës. Disa foshnja i kanë vetëm çarje të buzëve, por shumica e foshnjave me çarje të buzëve kanë gjithashtu çarje të qiellzës. Disa foshnja kanë vetëm çarje të qiellzës, e cila quhet një çarje e izoluar e qiellzës.

Si ndikon kjo në foshnjën tuaj?

Disa foshnje me çarje të buzëve kanë vetëm një prerje të vogël në buzën e sipërme. Të tjerat kanë një hapje apo vrimë të plotë në buzë, e cila shkon nëpër pjesën e sipërme të mishit të dhëmbëve deri në pjesën e poshtme të hundës. Çarja e buzëve mund të ndodhë në njërën ose të dy anët e gojës së një fëmije.

Çarja e qiellzës mund të ndikojë në qiellzën e butë (indet e buta në pjesën e prapme të kulmit të gojës) ose në qiellzën e fortë (pjesa e përparme kockëmadhe e kulmit të gojës). Çarja e qiellzës mund të ndodhë në njërën apo të dy anët e qiellzës së një fëmije.

Foshnjat dhe fëmijët me çarje të gojës mund të kenë:

  • Probleme me të ushqyerit
  • Infeksione të veshit dhe humbje të dëgjimit
  • Probleme të të folurit
  • Probleme dentare

Cilat janë shkaqet?

Ne nuk jemi të sigurt se çfarë i shkakton të çarat në gojë. Disa nga shkaqet e mundshme janë:

  • Ndryshimet në gjenet e foshnjës suaj. Gjenet janë pjesë e qelizave të foshnjës suaj që ruajnë udhëzime për mënyrën se si rritet dhe punon trupi. Ato ofrojnë planin themelor për mënyrën se si zhvillohet foshnja juaj. Gjenet kalojnë nga prindërit te fëmijët.
  • Konsumimi i pamjaftueshëm i acidit folik para shtatzënësisë. Acidi folik është një vitaminë që mund të ndihmojë në mbrojtjen e foshnjës tuaj nga defektet e lindjes të trurit dhe shpinës të quajtura defektet e tubit nervor. Ai gjithashtu mund ta zvogëlojë rrezikun e të çarave të gojës deri në 25%.
  • Marrja e disa barnave gjatë shtatzënësisë, si p.sh., bari kundër sulmit.
  • Pirja e duhanit gjatë shtatzënisë.
  • Pirja e alkoolit gjatë shtatzënisë.
  • Disa infeksione gjatë shtatzënisë.

A mund të parandalohet?

Jo të gjitha të çarat e gojës mund të parandalohen. Por, ka gjëra që mund të bëni për të ndihmuar në zvogëlimin e gjasave që të keni një fëmijë me çarje të gojës:

  • Para shtatzënësisë, merrni një multivitaminë me 400 mcg acid folik çdo ditë.
  • Gjatë shtatzënësisë, merrni një vitaminë të paralindjes me 600 mcg acid folik çdo ditë.
  • Bisedoni me mjekun tuaj për t'u siguruar që çdo bar që merrni është i sigurt gjatë shtatzënësisë. Mjeku juaj mund të kërkojë që të kaloni në një bar tjetër që është i sigurt gjatë shtatzënësisë.
  • Mos pini duhan.
  • Mos pini alkool.
  • Merrni përkujdesje të hershme dhe të rregullt të paralindjes.

Cili është trajtimi?

Në shumicën e rasteve, të çarat e gojës mund të riparohen me operacion. Çdo foshnje është e veçantë, por operacioni për ta riparuar buzën e çarë zakonisht bëhet në moshën 10 deri në 12 javore. Operacioni për çarjen e qiellzës zakonisht bëhet në mes të moshës 9 dhe 18 muajsh. Fëmija juaj mund të ketë nevojë për më shumë operacione për të çarat e gojës derisa rritet.

A mund të ndodhin defekte të tjera të lindjes së bashku me të çarat e gojës?

Po. Ekzistojnë rreth 400 kushte shëndetësore (të quajtura sindromi) që janë të ndërlidhura me të çarat e gojës. Nëse foshnja juaj ka një çarje të gojës, mjeku i saj e kontrollon atë plotësisht për defekte të tjera të lindjes menjëherë pas lindjes.

A janë të çarat në gojë më të zakonshme në disa familje të caktuara?

Po. Nëse keni anëtarë të familjes me të çara në gojë, ju keni gjasa më shumë që ta keni një foshnje me çarje në gojë. Nëse as ju dhe as partneri juaj nuk keni çarje në gojë por foshnja juaj ka, dhe nëse foshnja juaj nuk ka asnjë lloj sindromi, gjasat që ju të keni një tjetër foshnje me çarje të gojës është rreth 2 deri në 5 nga 100 (2 deri në 5 për qind).

Nëse keni histori familjare të çarjeve në gojë, ose nëse keni pasur një foshnje me çarje në gojë, ju mund të takoheni me një këshilltar gjenetik për t'i kuptuar gjasat për të pasur një fëmijë me çarje në gojë. Për ta gjetur një këshilltar gjenetik, ju mund ta pyesni ofruesin tuaj ose ta kontaktoni Shoqatën Kombëtare të Këshilltarëve Gjenetikë.

Defektet e lindura të zemrës

Defektet e lindura (kongjenitale) të zemrës janë gjendjet e zemrës me të cilat është lindur një foshnje. Këto gjendje mund të ndikojnë në formën e zemrës apo se si funksionon ajo, ose të dyja këto. Defektet e lindura të zemrës janë llojet më të zakonshme të defekteve të lindjes. Sëmundja kritike kongjenitale e zemrës (CCHD) duhet të trajtohet brenda disa orëve, ditëve apo muajve të jetës, pasi pa trajtim ajo mund të jetë vdekjeprurëse. Nëse mjeku i foshnjes suaj mendon se foshnja juaj ka një defekt kongjenital të zemrës ose CCHD, ai mund t'ju rekomandojë tek një kardiolog pediatër. Ky është një mjek i cili trajton foshnjat dhe fëmijët me probleme të zemrës.

Si ndikon kjo në foshnjën tuaj?

Defektet e zemrës mund të ndikojnë në pjesë të ndryshme të zemrës së foshnjës suaj, duke përfshirë edhe:

  • Septumin. Ky është muri që ndan anën e djathtë dhe të majtë të zemrës.
  • Valvulat e zemrës. Këto hapen dhe mbyllen për ta kontrolluar qarkullimin e gjakut për në zemër dhe nga zemra.
  • Arteriet dhe venat. Arteriet janë enët e gjakut që bartin gjakun nga zemra në trup. Venat janë enët e gjakut që bartin gjakun nga trupi në zemër.

Defektet e zemrës mund të ndikojnë në qarkullimin e gjakut të foshnjes suaj, duke bërë që gjaku të:

  • Ngadalësohet
  • Shkojë në drejtim të gabuar ose në vendin e gabuar
  • Bllokohet tërësisht

Cilat janë shkaqet?

Defektet e zemrës zhvillohen në javët e para të shtatzënësisë kur formohet zemra, shpesh para se ta kuptoni që jeni shtatzënë. Ne nuk jemi të sigurt se çfarë më së shumti i shkakton defektet kongjenitale të zemrës, por gjërat në vijim mund të luajë një rol:

  • Gjendja shëndetësore e nënës, si p.sh., diabeti, lupusi, rubeola (fruthi gjerman) në 3 muajt e parë të shtatzënësisë, obeziteti (mbipesha e lartë) dhe fenilketonuria.
  • Ndryshimet në gjene apo kromozome. Rreth 30% e foshnjave me një defekt në zemër kanë gjithashtu një gjendje kromozomale ose një gjendje gjenetike (si p.sh., Sindromi Daun). Nëse ju, burri juaj ose një nga fëmijët tuaj të tjerë ka një defekt kongjenital të zemrës, foshnja juaj ka më shumë gjasa që gjithashtu ta ketë një të tillë.
  • Kushtet në jetën tuaj të përditshme mund t'i rrisin gjasat që të keni një foshnje me defekte kongjenitale të zemrës. Këto përfshijnë pirjen e duhanit ose alkoolit dhe marrjen e disa medikamenteve të caktuara. Bisedoni me mjekun tuaj në lidhje me këto gjëra dhe faktorët tuaj të rrezikut.

A mund të parandalohet?

Meqë nuk jemi të sigurt se çfarë e shkakton atë, ju vetëm mund të shpresoni që t'i zvogëloni gjasat që të keni një foshnje me defekt kongjenital të zemrës duke menaxhuar gjendjet tuaja (të nënës) mjekësore (e shpjeguar më lart), duke mos pirë duhan dhe alkool para dhe gjatë shtatzënësisë, si dhe duke iu shmangur barnave të caktuara.

Si diagnostikohet?

Defektet e rënda kongjenitale të zemrës zakonisht diagnostikohen gjatë shtatzënësisë ose menjëherë pas lindjes. Defektet më të lehta të zemrës shpesh nuk diagnostikohen deri kur të rriten fëmijët.

  • Gjatë shtatzënësisë, mjeku juaj mund ta përdorë një test të quajtur eko fetusi për ta kontrolluar zemrën e foshnjës suaj. Ky test ofron një pamje të zemrës së foshnjës suaj derisa ajo është ende në uterus (mitër). Ju mund të bëni këtë test jo më herët se java e 18-të deri në javën e 22-të të shtatzënësisë.
  • Pas lindjes, foshnja juaj mund të testohet për CCHD si pjesë e ekzaminimit të të porsalindurit para se të largohet nga spitali pas lindjes. Ekzaminimi i të porsalindurit kontrollon për gjendje të rënda por të rralla në lindje. Ai përfshin gjakun, dëgjimit dhe ekzaminimin e zemrës.

Pas lindjes, shenjat dhe simptomat e defekteve në zemër mund të përfshijnë:

  • Frymëmarrja e shpejtë
  • Ngjyra e lëkurës gri ose e kaltër
  • Lodhja (ndjeheni të lodhur gjithë kohën)
  • Shtim i ngadaltë në peshë
  • Bark dhe këmbë të fryra, apo fryrje rreth syve
  • Vështirësi në frymëmarrje gjatë të ushqyerit
  • Djersitje, veçanërisht gjatë të ushqyerit
  • Murmurimë jonormale e zemrës (tinguj shtesë ose jonormal të dëgjuar gjatë një rrahjeje zemre)

Nëse foshnja juaj tregon ndonjë nga këto shenja ose simptoma, telefononi mjekun e saj menjëherë.

Cili është trajtimi?

Procedurat ndryshojnë në varësi të llojit dhe ashpërsisë së defektit kongjenital të zemrës. Ato mund të përfshijnë barnat, procedurat me kateter, operacionin dhe/ose transplantimin e zemrës. Mund të jetë i nevojshëm edhe kujdesi shëndetësor gjatë gjithë jetës.

Citomegalovirusi (CMV)

Citomegalovirusi (CMV) është një virus i familjes herpes. Ky është një grup i madh i viruseve që mund të shkaktojnë lloje të ndryshme të sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore. Shumica e njerëzve e marrin CMV-në gjatë një pjese të jetës së tyre, më shpesh gjatë fëmijërisë. CMV-ja është një infeksion shumë i zakonshëm kongjenital. Kongjenital do të thotë se kjo është diçka me të cilën një foshnje ka lindur.

Si ndikon kjo në foshnjën tuaj?

Shumica e foshnjave të lindura me CMV nuk kanë probleme serioze shëndetësore nga virusi. Në fakt, 80% e tyre kurrë nuk kanë simptoma apo probleme të shkaktuara nga infeksioni. Rreth 15% e tyre zhvillojnë një ose më shumë aftësi të kufizuara gjatë viteve të para të jetës. Këto aftësi të kufizuara mund të përfshijnë humbjen e dëgjimit, aftësi të kufizuara intelektuale (probleme me mënyrën se si punon truri që mund të bëjë që një person të ketë probleme me të mësuarit, komunikimin, kujdesin për veten dhe shoqërimin me të tjerët) dhe humbjen e shikimit.

Si diagnostikohet?

Nëse jeni shtatzënë dhe e keni CMV-në, ju mund të bëni teste të paralindjes për të parë nëse fëmija juaj ka CMV. Pas lindjes, mjeku i foshnjës suaj mund t'i testojë lëngjet e trupit të fëmijës suaj brenda tri javësh pas lindjes për të kontrolluar nëse ka CMV. Shumica e foshnjave të lindura me CMV duken të shëndetshme. Por, rreth 10% e tyre i kanë shenjat dhe simptomat e CMV-së në lindje. Këto përfshijnë:

  • Mëlçi ose shpretkë të zgjeruar
  • Verdhëz (zverdhje e lëkurës dhe të syve) ose probleme të mëlçisë
  • Peshë të ulët të lindjes (kur një foshnje peshon më pak se 2,5 kg)
  • Lindje të parakohshme (lindje që ndodh shumë herët, para javës së 37-të të shtatzënësisë)
  • Probleme me të ushqyerit
  • Puçrra
  • Sulme
  • Madhësi të vogël
  • Nyje të fryra limfatike

Foshnjat e rritura dhe fëmijët zakonisht nuk kanë simptoma të CMV. Por disa mund të kenë:

  • Dhimbje fyti
  • Ethe që zgjasin për disa ditë
  • Gjëndra të fryra
  • Lodhje (lodhje ekstreme)

Telefononi mjekun e foshnjës suaj nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë CMV.

Cilat janë shkaqet?

Ju mund ta kaloni CMV-në tek foshnja juaj në çdo kohë gjatë shtatzënësisë. Kjo ka më shumë gjasa të shkaktojë probleme për fëmijën tuaj nëse ndodh gjatë kohës së hershme të shtatzënësisë. Ju gjithashtu mund ta kaloni CMV-në tek foshnja juaj gjatë lindjes dhe dhimbjeve të lindjes, si dhe gjatë ushqyerjes me gji. Nëse foshnja juaj merr virusin gjatë këtyre periudhave, ajo ka më pak gjasa të ketë probleme shëndetësore sesa nëse e merr virusin gjatë shtatzënësisë.

A mund të parandalohet?

Nënat mund ta kalojnë virusin CMV tek foshnjat e tyre gjatë shtatzënësisë përmes placentës. Kjo ndodh kur nëna përjeton një infeksion për herë të parë, një ri infeksion me një tendosje (varietet) tjetër të CMV-së ose një riaktivizim të një infeksioni të mëparshëm gjatë shtatzënësisë. Për ta kufizuar ekspozimin e saj, nëna mund:

  • T'i lajë duart shpesh me sapun, sidomos pas kontaktit me lëngjet trupore (p.sh., përmbajtjet e pelenës, pështyma, lotët) të fëmijëve.
  • T’i shmanget shkëmbimit të enëve të ushqimit, pijes dhe kuzhinës.
  • Ta pastrojë çdo sipërfaqe, të tilla si lodrat dhe pjesët e sipërme të kuzhinës, që bien në kontakt me urinën apo pështymën e fëmijëve.

Cili është trajtimi?

Edhe pse shumica e foshnjave nuk dëmtohen nga CMV-ja, të gjitha foshnjat e lindura me këtë virus kanë nevojë për teste të rregullta të dëgjimin dhe shikimit. Foshnjat e lindura me CMV mund të trajtohen me barna antivirale. Këto barna vrasin infeksionet e shkaktuara nga viruset. Ky trajtim zakonisht ofrohet në spital.

Sindromi Daun

Sindromi Daun (e quajtur edhe Trizomi 21) është ndoshta gjendja më e zakonshme kromozomale. Një gjendje kromozomale ndodh kur ka një problem në një ose më shumë kromozome. Kromozomet janë strukturat që mbajnë gjene. Gjenet janë pjesë e qelizave të trupit tuaj që ruajnë udhëzimet për mënyrën se si trupi juaj rritet dhe funksionon.

Shumë fëmijë me Sindromin Daun  çojnë një jetë të shëndetshme aktive. Ata shkojnë në shkollë, bëjnë sport dhe gëzojnë të qenit të shoqërueshëm me të tjerët. Një person me Sindromin Daun mund të jetojnë 60 vjet ose më tepër.

Për më shumë informata në lidhje me fëmijët me Sindromin Daun në Kosovë, duke përfshirë mbështetjen dhe burimet për prindërit, kontaktoni Down Syndrome Kosova.

Si ndikon kjo në foshnjën tuaj?

Shumica e foshnjave me Sindromin Daun kanë karakteristika të veçanta fizike, duke përfshirë disa, por jo të gjitha këto karakteristika:

  • Fytyrë dhe hundë të sheshtë
  • Sy në formë bajameje të tërhequr lart
  • Gojë të vogël
  • Gjuhë që mund të dalë jashtë gojës
  • Njolla të vogla të bardha në irisin (pjesa me ngjyrë) e syrit
  • Qafë të shkurtër
  • Duar dhe këmbë të vogla
  • Veshë të vegjël që mund të jenë të kthyer në majë
  • Ton të ulët të muskujve (e quajtur edhe hypotoni) ose kyçe elastike. Foshnjat me Sindromin Daun e kanë tonin e muskujve të ulët në lindje. Ato mund të duken të lëshuara dhe të kenë kontroll të dobët të kokës.
  • Shtatshkurtër

Shumica e njerëzve me Sindromin Daun janë të shëndetshëm, por disa kanë nevojë për kujdes të veçantë mjekësor.  Shëndeti i përgjithshëm dhe zhvillimi problemeve tek personat me Sindromin Daun përfshijnë:

  • Defektet kongjenitale të zemrës. Këto janë gjendje të zemrës me të cilat fëmija lind e që mund të ndikojnë në formën e zemrës apo funksionimin e saj, ose të dyja. Rreth gjysma e foshnjave me Sindromin Daun kanë defekte kongjenitale të zemrës.
  • Dëgjim të dobësuar. Kjo është kur fëmija juaj nuk mund të dëgjojë me njërin ose të dy veshët. Rreth 75% e kanë dëgjimin të dobësuar.
  • Aftësi të kufizuara intelektuale dhe zhvillimore. Këto janë problemet me mënyrën se si truri punon që mund të shkaktojë që një person të ketë probleme apo vonesa në zhvillimin fizik, të mësuarit, komunikimin, kujdesin për veten ose ndërveprimin me të tjerët.
  • Probleme me shikim. Më shumë se gjysma e fëmijëve me Sindromin Daun kanë probleme me shikim.
  • Disa fëmijë me Sindromin Daun kanë gjendje të tjera, duke përfshirë çrregullimet e gjakut, problemet dentare, infeksionet, mikrocefalinë, problemet me zorrët, problemet e qafës apo shpinës dhe problemet me tiroide.

Si diagnostikohet?

Ju mund të zbuloni gjatë shtatzënësisë në qoftë se fëmija juaj ka Sindromin Daun përmes kujdesit të rregullt para lindjes (kujdes mjekësor gjatë shtatzënësisë). Ju mund të vendosni nëse doni që të bëni një test për Sindromin Daun. Ka dy lloje të testeve:

  1. Testet e skanimit . Këto teste kontrollojnë nëse foshnja juaj ka më shumë gjasa se të tjerat të ketë Sindromin Daun.  Ju dhe foshnja juaj nuk rrezikoheni kur bëni teste skanuese, por këto teste nuk ju tregojnë me siguri që foshnja juaj mund të ketë Sindromin Daun. Në tremujorin e parë përfshihen testet e gjakut dhe një ultrazë në javët 11-14 të shtatzënësisë. Në tremujorin e dytë kjo përfshin një test të gjakut në javët 15-20 (të quajtura gjithashtu “quad screen”). Ekziston edhe testimi i ADN-së në qelizë të lirë (i quajtur edhe skanimi apo testimi joinvaziv i paralindjes ose NIPT). Ky test kontrollon gjakun tuaj për ADN e fëmijës suaj për të parë nëse ai mund të ketë Sindromin Daun. Ju mund ta bëni këtë test në 10 javët e para të shtatzënësisë. Nëse  jeni në rrezik të lartë për të pasur një fëmijë me Sindromin Daun, ky test mund të rekomandohet nga mjeku juaj. Nuk rekomandohet në qoftë se ju nuk keni të ngjarë që të keni një fëmijë me një defekt të lindjes ose në qoftë se ju keni një shtatzënësi të shumëfishtë (më shumë se një fëmijë, si binjakë apo trinjakë).
  2. Testet diagnostike. Këto teste ju tregojnë me siguri nëse fëmija juaj ka apo nuk ka Sindromin Daun. Nëse testi i skanimit tregon se fëmija juaj është në rrezik të lartë për Sindromin Daun, mjeku juaj mund të rekomandojë një test diagnostik për të konfirmuar rezultatet. Nga testet diagnostike ekziston rreziku i abortit.

Në qoftë se ju ose partneri juaj keni një histori familjare të Sindromit Daun, tregoni mjekut tuaj.

Testet diagnostike për Sindromin Daun janë: amniocenteza (e quajtur edhe amnio), në të cilën merret pak lëng përreth fëmijës tuaj në mitër në 15 deri në 20 javë të shtatzënësisë; mostrat e korionik villusit (gjithashtu i quajtur CVS), e cila kontrollon inde nga placenta në 10 deri në 13 javë të shtatzënësisë dhe kordocinteza (i quajtur edhe perkutaneusi i mostrave të kordonit kërthizor ose PUBS), e cila përfshin futjen e një gjilpëre të hollë në një venë të kordonit kërthizor për të marrë një mostër të vogël të gjakut të foshnjës suaj në 18 deri në 22 javë të shtatzënësisë. Ka një rrezik shumë më të madh të abortit me kordocintezë sesa me amnio ose CVS, kështu që ju bëni këtë test vetëm nëse testet  tjera janë të paqarta dhe ofruesi juaj shëndetësor nuk mund të konfirmojë në ndonjë mënyrë tjetër që fëmija juaj ka Sindromin Daun.

Pas lindjes, mjeku i fëmijës suaj i bën një ekzaminim fizik foshnjes dhe kontrollon për karakteristikat e përbashkëta fizike të Sindromit Daun. Për të konfirmuar se fëmija juaj ka Sindromin Daun, ai dërgon një mostër të gjakut të fëmijës suaj  për testim në një laborator.

Cilat janë shkaqet?

Çdo person ka 23 palë kromozomesh në çdo qelizë të trupit e tyre. Për çdo palë,  merrni një kromozom nga nëna juaj dhe një kromozom nga babai juaj. Bebet me Sindromin Daun kanë një kopje shtesë të kromozomit 21. Kjo kopje shtesë ndryshon mënyrën se si zhvillohen truri dhe trupi i tij.

 

Ne nuk e dimë me siguri pse ndodh Sindromi Daun. Mund të ndodhë që veza ose spermatozoidi që bashkohen për fekondim kanë një kromozom shtesë. Fekondimi është kur sperma e një burri hyn brenda vezës së një gruaje për ta mbarësuar atë. Një lloj i Sindromit Daun (i quajtur Sindromi Daun i translokacionit) mund të kalojë nga një prind tek një foshnjë, por është e rrallë.

 

Mosha kur ju mbeteni shtatzënë ndikon në rrezikun e të pasurit një fëmijë me Sindromin Daun. Sa më e moshuar që jeni, aq më i lartë rreziku. Nëse ju mbeteni shtatzënë:

  • Në moshën 25 vjeç, rreziku i të pasurit një fëmijë me Sindromin Daun është 1 në 1,340.
  • Në moshën 30 vjeç, rreziku është 1 në 940.
  • Në moshën 35 vjeç, rreziku është 1 në 353.
  • Në moshën 40 vjeç, rreziku është 1 në 85.
  • Në moshën 45 vjeç, rreziku është 1 në 35.

Nëse ju tashmë keni një fëmijë me Sindromin Daun, rreziku për të pasur një tjetër rritet me çdo shtatzënësi. Deri në moshën 40 vjeç, për çdo shtatzënësi shansi juaj për të pasur një fëmijë me Sindromin Daun është rreth 1 në 100 (1 për qind). Pas moshës 40, rreziku është i bazuar në moshën tuaj.

A mund të parandalohet?

Nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar Sindromin Daun.

Cili është trajtimi?

Trajtimi i hershëm, në mënyrën e të folurit, terapi profesionale dhe ushtrime për të përmirësuar aftësitë motorike, mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës për fëmijët me Sindromin Daun dhe për të ndihmuar ata të kenë një jetë të rritur produktive. Për më shumë informata në lidhje me opsionet e trajtimit në Kosovë, kontaktoni Down Syndrome Kosova.

Defektet e tubit neural

Defektet e tubit neural (DTN) janë defekte të lindura të trurit dhe boshtit kurrizor.  Tubi neural zakonisht zhvillohet në tru dhe boshtin kurrizor. Fillon si një shirit i vogël i sheshtë e që deri në fund të muajit të parë të shtatzënësisë zhvillohet në një tub.  DTN ndodh kur kanali nuk mbyllet plotësisht. DTN mund të shkaktojë shumë probleme serioze, duke përfshirë edhe vdekjen. Ekzistojnë tre tipa kryesorë:

  • Spina bifida është  DTN-ja më e zakonshme. Në këtë gjendje, eshtrat e vegjël të unazave nuk mbyllen plotësisht dhe një pjesë e palcës kurrizore del nga boshti.
  • Anencefalia është një nga DTN-të më të rënda. Anencefalia ndodh kur pjesa e sipërme e tubit neural që formon trurin nuk mbyllet plotësisht. Vajzat kanë tre herë më shumë gjasa se sa djemtë të kenë anencefali.
  • Encefaloceli është një DTN i rrallë që prek trurin dhe kafkën. 

Si ndikon kjo në foshnjën tuaj?

Fëmijët me spina bifida mund të kenë këmbë të paralizuara dhe probleme për të kontrolluar fshikëzën dhe zorrët (kur kryejnë nevojat) e tyre. Ka edhe forma të buta të spina bifidas që shkaktojnë më pak probleme për fëmijët.

Foshnjave me anencefali iu mungon një pjesë e madhe e trurit, kafkës dhe kokës, dhe nuk do të mbijetojnë gjatë kohë pas lindjes, zakonisht për vetëm disa orë. Bebet me këtë gjendje shpesh kanë defekte të tjera të lindura të kokës dhe fytyrës, si dhe defekte në pjesë të tjera të trupit.

Si diagnosikohet?

Mjekët në mënyrë rutinore u ofrojnë grave shtatzëna ekzaminime për të ndihmuar në identifikimin e foshnjave që janë në rrezik të shtuar për të pasur një DTN. Këto teste të skanimit përfshijnë:

  • Testin Quad. Ky test i gjakut mat katër substanca në gjakun e nënës për të treguar nëse shtatzënësia e saj është në rreziku të shtuar për të pasur një DTN përveç encefalocelisë.
  • Ultrazëri. Ky test mund të ndihmojë në zbulimin e shtatzënësive me rrezik në rritje të encefalocelisë dhe DTN-ve të tjera.

Nëse testi i skreningut tregon një rrezik në rritje të DTN-së, mjeku juaj mund të rekomandojë teste plotësuese, të tilla si amniocenteza dhe një ultrazë të detajuar të kafkës së foshnjës dhe boshtit.

Cilat janë shkaqet?

Ne nuk jemi të sigurt saktësisht çka i shkakton DTN-të. Mund të ketë një ose më shumë shkaqe, përfshirë:

  • Gjenetike. Kjo do të thotë se një fëmijë trashëgon gjendjen nga prindërit e tij. Prindërit kalojnë tipare tek fëmijët e tyre me anë të gjeneve si ngjyra e syve dhe e flokëve dhe nganjëherë edhe defektet e lindura.
  • Mjedisi. Kjo është gjëja me të cilën vini në kontakt në jetën e përditshme. Disa mund të jenë të dëmshme për një shtatzënësi, si ndotja e ajrit, plumbi dhe tymi i duhanit.

Çdokush mund të ketë një fëmijë me një DTN. Por disa kanë më shumë gjasa se të tjerët:

  • Çiftet me një histori familjare të DTN-së. Kjo do të thotë që ju tashmë keni pasur një fëmijë me një DTN ose dikush në familjen tuaj ka pasur një fëmijë me DTN. Një çift me një fëmijë me DTN ka 4% gjasa që të ketë një fëmijë tjetër me DTN. Një çift me dy fëmijë të prekur ka një shans prej 10% që të ketë një fëmijë tjetër me një DTN.
  • Gratë që marrin barna të caktuara kundër-krizave. Nëse ju merrni barna për të parandaluar krizat, bisedoni me mjekun tuaj para se të mbeteni shtatzënë për mënyrën se si ilaçi mund të ndikojë në shtatzënësi.
  • Gratë që janë obeze. Disa studime tregojnë se të qenit obez rrit rrezikun për të pasur një fëmijë me DTN. Bisedoni me mjekun tuaj në lidhje me rënien në peshë të shëndetshme para shtatzënësisë.
  • Gratë që kanë diabet. Diabeti është një gjendje mjekësore në të cilën trupi juaj ka shumë sheqer (të quajtur glukozë) në gjak.

A mund të parandalohet?

Marrja e acidit folik B-vitamina mund të ndihmojnë në parandalimin e DTN-së. Është e rëndësishme që të keni acid folik të mjaftueshëm në sistemin tuaj në fillim para shtatzënësisë dhe gjatë shtatzënësisë, para se të mbyllet tubi neural (në javën e katërt të shtatzënësisë).

Merrni të paktën 400 mikrogramë (mcg) të acidit folik çdo ditë para shtatzënësisë dhe 600-800mcg gjatë shtatzënësisë. Ju mund të merrni deri në 1.000 mikrogramë çdo ditë. Por mos merrni shumë se 1.000 mikrogramë pa  biseduar me mjekun tuaj më parë.

Nëse keni pasur tashmë një shtatzënësi të prekur nga DTN, ju duhet edhe më shumë acid folik. Merrni të paktën 4.000 mikrogramë të acidit folik çdo ditë, duke filluar  të paktën 1 muaj para shtatzënësisë dhe gjatë tremujorit të parë të shtatzënësisë. Studimet tregojnë se duke marrë këtë sasi para dhe gjatë shtatzënësisë së hershme mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut të të pasurit një fëmijë tjetër me DTN në rreth 70%. Grave me spina bifida, diabet apo çrregullime të krizave, gjithashtu iu duhet çdo ditë  kjo sasi e  acidit folik. Bisedoni me mjekun tuaj se si merrni këtë sasi të acidit folik.

Disa ushqime kanë acid folik të shtuar në to. Shiko për fjalën i "fortifikuar" ose i "pasuruar" në etiketën në paketim. Ushqimet me acidit folik të  shtuar përfshijnë bukën, drithërat për mëngjes, shujtat me miell misri, miellin, makaronat dhe orizin e bardhë. Ju gjithashtu mund të merrni acid folik nga disa fruta dhe perime. Kur acidi folik është natyrshëm në një ushqim, quhen folate. Burime të mira të folateve janë fasulet, perimet me gjethe jeshile dhe lëngu i portokallit. Ju duhet të hani një sasi të këtyre ushqimeve për të marrë sasinë e duhur të acidit folik çdo ditë. Pra, edhe nëse ju hani ato, gjithashtu, mos harroni të merrni vitaminën tuaj.

Si trajtohet?

Trajtimi për spina bifida varet nga ashpërsia e saj. Spina bifida okulta shpesh nuk kërkon fare trajtim, por llojet e tjera kërkojnë intervenim kirurgjik para ose pas lindjes. Për fat të keq, operacioni nuk përmirëson plotësisht gjendjen dhe operacione të tjera mund të jenë të nevojshme për të menaxhuar komplikimet e ndryshme. Përveç kësaj, vazhdon paraliza dhe problemet e fshikëzës dhe zorrëve kërkojnë trajtim të menjëhershëm pas lindjes.

Për fat të keq, nuk ka trajtim për anencefali.

Foshnjave me encefaloceli në përgjithësi iu duhet një operacion për të kthyer pjesët e trurit brenda kafkës dhe për të mbyllur hapjen. Atyre mund t’u duhet gjithashtu operacion për drenimin e lëngjeve të tepërta.

Sëmundjet Rh

Sëmundja Rh është një lloj i rrezikshëm i anemisë. Anemi është atëherë kur personi nuk ka mjaftueshëm rruaza të kuqe të shëndetshme të gjakut për të përcjellë oksigjenin në pjesët e tjera të trupit. Sëmundja Rh (e quajtur gjithashtu edhe mos përputhshmëria Rh) ndodh kur gjaku i nënës është Rh-negativ dhe gjaku i foshnjës është Rh-pozitiv. Kjo do të thotë se gjaku i juaj nuk përputhet me gjakun e foshnjës tuaj, kështu që nuk është e sigurt që të përzihen bashkë. Nëse ata  përzihen, trupi juaj krijon antitrupa Rh që mund të depërtojnë  nga trupi juaj përmes placentës në trupin e foshnjës suaj, ku sulmojnë dhe shkatërrojnë qelizat e saj të kuqe të gjakut. Placenta rritet në mitrën tuaj dhe furnizon fëmijën tuaj me ushqim dhe oksigjen përmes kordonit kërthizor. Edhe pse ju dhe fëmija juaj nuk e ndani gjakun, një sasi e vogël e gjakut të fëmijës suaj mund të përzihet me gjakun tuaj gjatë shtatzënësisë

Si ndikon kjo në foshnjën tuaj?

Sëmundja Rh mund të shkaktojë probleme serioze për foshnjën tuaj, duke përfshirë:

  • Anemi
  • Dëmtime të trurit
  • Infarkt
  • Verdhëz. Verdhëza bën qe sytë dhe lëkura e foshnjës suaj të duken të verdhë. Një foshnjë ka verdhëzën kur mëlçia e saj nuk është e zhvilluar plotësisht ose nuk është duke punuar. Nëse verdhëza është e rëndë dhe nuk është trajtuar, një foshnjë mund të zhvillojnë një lloj të dëmtimit të trurit të quajtur kernikterus.
  • Lindja me fryt të vdekur. Kjo është kur një fëmijë vdes në barkun e nënës pas 20 javëve të shtatzënësisë.
  • Vdekja pas lindjes

Si diagnostikohet?

Ju mund të zbuloni nëse jeni Rh-negative me një test të gjakut. Në kontrollin tuaj të parë para lindjes mjeku juaj ju bën një test të gjakut për të parë nëse jeni Rh-negative apo Rh-pozitive. Nëse ju jeni Rh-negative, mjeku juaj teston gjakun tuaj me një skrening për antitrupa në fillim të shtatzënësisë për të zbuluar nëse keni Rh antitrupa. Nëse ju jeni Rh-negative dhe foshnja juaj mund të jetë Rh-pozitiv, mjeku juaj mund të përsëris këtë test në javën e 28-të të shtatzënësisë.

Cilat janë shkaqet?

Nëse ju jeni Rh-negative dhe foshnja juaj është Rh-pozitive, ajo mund të jetë në rrezik për sëmundje Rh.  

Foshnja juaj është Rh-pozitiv varësisht nga gjaku i juaj dhe babait të foshnjës suaj. Ja se si funksionon:

  • Në qoftë se të dy ju dhe babai i foshnjës suaj jeni Rh-pozitiv; gjaku i foshnjës suaj është Rh-pozitiv, dhe nuk ka asnjë rrezik të sëmundjes Rh për foshnjën tuaj.
  • Në qoftë se të dy ju dhe babai i foshnjës suaj jeni Rh-negativë; gjaku i foshnjës tuaj është Rh-negativ, dhe nuk ka asnjë rrezik të sëmundjes Rh për foshnjën tuaj.
  • Nëse ju jeni Rh-negative dhe babai i foshnjës suaj është Rh-pozitiv; gjaku i foshnjës suaj mund të jetë Rh-pozitiv. Foshnja juaj është në rrezik për sëmundje Rh dhe ka nevojë të kontrollohet nga afër.

Bisedoni me mjekun tuaj për të bërë testet e gjakut për vete dhe babanë e foshnjës suaj që të zbuloni nëse foshnja juaj është në rrezik.

Në qoftë se kjo është shtatzënësia juaj e parë, trupi juaj zakonisht nuk prodhon mjaftueshëm  Rh antitrupa që do të dëmtojnë foshnjën tuaj. Por në qoftë se ju mbeteni shtatzënë përsëri, trupi juaj prodhon më shumë antitrupa që mund të shkaktojnë sëmundje Rh në foshnjën tuaj.

A mund të parandalohet?

Sëmundja Rh është plotësisht e parandalueshme. Trajtimi gjatë shtatzënësisë mund të mbrojë foshnjën dhe shtatzënësitë tuaja në të ardhmen.

Sëmundja Rh mund të parandalohet në foshnjën tuaj nëse merrni trajtimin me kohë. Nëse nuk keni zhvilluar Rh antitrupa, mjeku juaj mund t’ju japë një vaksinë të Rh imunoglobulinës e quajtur globulina imune Rho(D) (emri i brendit RhoGAM). RhoGAM mund të parandalojë trupin tuaj nga prodhimi i antitrupave në mënyrë që foshnja juaj dhe shtatzënësitë në të ardhmen të mos zhvillojnë Rh sëmundje.  RhoGAM nuk funksionon nëse trupi juaj tashme ka filluar të prodhojë antitrupa në shtatzënësinë e mëparshme. Ja pse është e rëndësishme që të merrni kujdes para lindjes sa më herët të jetë e mundur për çdo shtatzënësi.

Nëse jeni  RH-negative, ju merrni RhoGAM:

  • Afërsisht në javën e 28 të shtatzënësisë 
  • Brenda 72 orëve pas lindjes, nëse foshnja juaj është Rh-pozitiv apo nëse Rh i tij është i panjohur
  • Pas çdo situate në të cilën gjaku juaj dhe gjaku i foshnjës suaj mund të përzihen, të tilla si amnio ose CVS, aborti, shtatzënia ektopike ose goditja në barkun tuaj.
  • Ofruesi juaj shëndetësor përcjell foshnjën tuaj nga afër gjatë shtatzënisë për të kontrolluar shëndetin e tij dhe për shenja të anemisë. Në tremujorin  tuaj të tretë, mjeku juaj shëndetësor mund të përdorë amnion apo ultrazërin e veçantë të quajtur Doppler për të kontrolluar fëmijën tuaj.

Si trajtohet?

Shumica e rasteve të sëmundjes Rh mund të parandalohen. Por në qoftë se foshnja juaj ka sëmundje Rh, ajo mund të trajtohet për të ndihmuar në parandalimin e problemeve të rënda shëndetësore.

Nëse foshnja juaj është lehtë i prekur nga sëmundja Rh, ju do të jeni në gjendje të keni një shtatzënësi të plotë. Termi i plotë do të thotë që foshnja juaj lindet në mes të javës 39 dhe 40 javë e 6 ditë. Pas lindjes, foshnja juaj mund të ketë nevojë për ndonjë ilaç të caktuar dhe ajo mund të ketë nevojë për trajtim për verdhëz. Ndonjëherë sëmundja Rh është aq e lehtë sa foshnja juaj nuk ka nevojë për ndonjë trajtim. Shumica e foshnjave shërohet plotësisht nga sëmundja e lehtë Rh.

Nëse foshnja juaj zhvillon sëmundje Rh dhe anemi të rëndë para lindjes, do të  mund t’ju duhet  të lindni më herët, para datës së duhur. Ajo mund të ketë nevojë për transfuzion gjaku me gjak të ri për të zëvendësuar qelizat e kuqe të gjakut që Rh kanë shkatërruar antitrupat. Foshnjat mund të marrin një transfuzion gjaku në mitër qysh herët në 18 javët e para të  shtatzënësisë. Ato gjithashtu mund të marrin një transfuzion pas lindjes.

Nëse foshnja juaj lindet me verdhëz të rëndë, ajo ka nevojë për trajtim të shpejtë për të parandaluar komplikime më serioze.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Category: Problemet e bebës tuaj

Ligjërata mbi temën Vështirësitë

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit