Çfarë mundësish kam nëse bashkëshorti im është abuziv?

Çfarë mundësish kam nëse bashkëshorti im është abuziv?

Asgjë nuk e justifikon dhunën në familje. Asnjëherë!

Në Kosovë qëndrimet dhe reagimet ndaj dhunës në familje po përmirësohen ngadalë. Policia dhe gjykatat janë duke u trajnuar më mirë për të reaguar, ndërsa mbrojtësit e viktimave, Qendrat për Mirëqenie Sociale dhe strehimoret duket se janë duke bërë një punë më të mirë në trajtimin e këtij problemi të madh.

Çfarë duhet të bëni nëse ju ose dikush që njihni është viktimë e dhunës në familje?

Nëse ju ndodh apo jeni dëshmitarë të sulmeve ne ju inkurajojmë që të thërrisni policinë, veçanërisht nëse është një rast urgjent. Ju gjithashtu mund të telefononi në linjën falas për ndihmë: 0800 11112. Ajo drejtohet nga divizioni i Avokimit të viktimave dhe Asistencës të Zyrës së Prokurorit Publik të Kosovës. Njerëzit që përgjigjen apo njerëzit të cilët raportojnë dhunën e tillë u ndihmojnë viktimave të dhunës në familje duke i furnizuar ata me informata dhe numra të kontaktit.

Mbani në mend se në bazë të ligjeve të Kosovës "dështimi për të raportuar abuzimin e fëmijëve ose të dhunës në familje është vepër penale dhe kushdo që nuk i raporton veprat penale që ndodhin brenda një marrëdhënieje në familje mund të ndiqet penalisht." (Rrjeti i Grave të Kosovës 2015, 'Mjaft më me arsyetime', shih nenin 385, dështimi për të raportuar përgatitjen e veprave penale, paragrafi 3)

Cilat janë të drejtat tuaja ligjore?

Material i ofruar nga OSBE “Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë për Viktimat e Dhunës në Familje”

Sipas Ligjit të Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, aktet e dhunës në familje përkufizohen si vepra apo lëshime të qëllimshme që i bën një person personit tjetër me të cilin është ose ka qenë në marrëdhënie familjare. Kjo përfshin të gjithë personat me të cilët ju jetoni apo keni jetuar më herët. Këto veprime përfshijnë, por nuk kufizohen në: a) përdorimin e forcës fizike ose presionin psikik të ushtruar ndaj anëtarit tjetër të familjes; b) çdo veprim tjetër i një anëtari të familjes që mund të shkaktojë apo kanos se do të shkaktojë dhembje fizike dhe vuajtje psikike; c) shkaktimin e ndjenjës së frikës, rrezikshmërisë personale apo cenimin e dinjitetit; d) sulmin fizik pa marrë parasysh pasojat; e) ofendimin, sharjen, thirrjen me emra ofendues dhe mënyra të tjera të shqetësimit të vrazhdë; f) përsëritjen e vazhdueshme të sjelljeve me qëllim të përuljës së personit tjetër; g) marrëdhëniet seksuale pa pëlqim dhe keqtrajtimin seksual; h) kufizimin e kundërligjshëm të lirisë së lëvizjës ndaj personit tjetër; i) dëmtimin apo shkatërrimin e  pasurisë dhe kanosjen që ta bëjë këtë; j) vënien e personit tjetër në pozitën që ai të frikësohet për gjendjën fizike, emocionale dhe ekonomike; k) hyrjën apo largimin me dhunë nga banesa e përbashkët apo banesa e personit tjetër; dhe l) rrëmbimin. (Ligji Nr. 03/L-182 për mbrojtje nga dhuna në familje, 2010, në: http://www.assembly- kosova.org/common/docs/ligjet/2010-182-eng.pdf.

Neni  2, paragrafi 1.2.)

Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje ofron një sërë masash ligjore që synojnë mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Ligji përcakton koncepte të tilla si dhuna në familje dhe marrëdhëniet familjare dhe shpjegon cilat lloje të masave të mbrojtjës dhe urdhërave ekzistojnë, si dhe procedurat që duhet ndjekur për t'i fuqizuar ato.

Në çfarë mënyre ju mbron ligji ju dhe/ose fëmijët tuaj ndaj dhunës në familje?

Material i ofruar nga OSBE “Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë për Viktimat e Dhunës në Familje”

Masat mbrojtëse janë masa të lëshuara nga gjykata apo policia për të mbrojtur një person i cili i është ekspozuar dhunës duke ndryshuar rrethanat të cilat mund ta lejojnë kryesin të kryejë më shumë akte dhune. Masat mbrojtëse, ndër tjerash, mund të kufizojnë vizitat e kryesve të veprave në vendet e tyre të banimit dhe mund të ndalojnë kryesit që t'i shohin fëmijët e tyre. Këto masa lëshohen për kohëzgjatjen e urdhërit për mbrojtje. Pasi që masat mbrojtëse të përfundojnë, ato nuk do të ndikojnë më të drejtat e pronësisë apo të drejtat e kujdestarisë së kryesit.

Gjykata komunale mund të nxjerrë urdhëra të mbrojtjes dhe urdhëra për mbrojtje emergjente që përmbajnë një ose më shumë masa mbrojtëse. Policia e Kosovës mund të lëshojë urdhëra për mbrojtje të përkohshme emergjente që përmbajnë vetëm disa prej masave mbrojtëse.

Kërkesën për urdhër mbrojtjeje mund ta paraqes:

  • Viktima e dhunës në familje;
  • Përfaqësuesi i autorizuar i viktimës;
  • Mbrojtësi i viktimës (me pëlqimin e palës së mbrojtur);
  • Përfaqësuesi i qendrës për mirëqenie sociale të komunës ku viktima ka vendbanimin apo vendqëndrimin, kur viktima është person i mitur;
  • Organizata joqeveritare (OJQ), që është i njohur me gjendjën e viktimës.

Policia e Kosovës është përgjegjëse për të siguruar se kryesi i respekton masat mbrojtëse. Shkelja e urdhërit për mbrojtje është vepër penale dhe i akuzuari dënohet me gjobë dhe me burgim.

Për të lexuar raportin e plotë nga OSBE-ja, "Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë për Viktimat e Dhunës në Familje" vizitoni uebfaqen: http://www.osce.org/kosovo/88708?download=true

Cilat janë përgjegjësitë e policisë?

Material i ofruar me mirësjellje nga OSBE “Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë për Viktimat e Dhunës në Familje”

Policia e Kosovës është përgjegjëse për të reaguar ndaj çfarëdo raportimi të akteve apo kërcënimeve për të kryer akte të dhunës në familje ose ndaj çfarëdo shkeljeje të urdhërit për mbrojtje, urdhërit për mbrojtje emergjente ose urdhërit për mbrojtje të përkohshme, pavarësisht se kush e raporton atë. Pavarësisht kryerjes së ndonjë krimi apo arrestimit të ndonjë personi, policia do të bëjë një raport për incidentin dhe do të sigurojë një kopje të raportit të viktimës apo përfaqësuesit ligjor.

Përveç lëshimit të urdhrave të mbrojtjes së përkohshme emergjente, Policia e Kosovës është përgjegjëse për përdorimin e mjeteve të arsyeshme për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme, siç janë:

  • Krijimi i një linje të posaçme telefonike për raportimin e rasteve të dhunës në familje;
  • Pajisja e viktimës apo përfaqësuesit ligjor të viktimës me kontakt zyrtar të policit hetues, në rastet kur viktima ka nevojë për ndihmë të mëtejshme; Në rast se nuk ka polic të hetimit, atëherë ndonjë nëpunës tjetër do të ndihmojë viktimën;
  • Informimi i viktimës, përfaqësuesit ligjor ose mbrojtësit të viktimës për të drejtat e viktimës në përputhje me ligjin për dhunën në familje, duke përfshirë të drejtën për të kërkuar urdhërin për mbrojtje të përkohshme emergjente;
  • Informimi i viktimës lidhur me shërbimet e ndihmës ligjore, psikologjike dhe ndihmave të tjera në dispozicion nga institucionet qeveritare si dhe nga rrjeti i autorizuar i OJQ-ve;
  • Informimi i ofruesve përkatës të shërbimeve lidhur me incidentin e dhunës në familje dhe lehtësimi i kontaktit me viktimën, me kërkesën e viktimës;
  • Sigurimi i transportimit të viktimës, sipas nevojës, dhe vartësve të saj deri në:

• një objekt të duhur mjekësor për trajtim ose kontrollim mjekësor;

• një vendstrehim apo vendqëndrim tjetër të përshtatshëm dhe të sigurt, me kërkesën e viktimës;

  • Sigurimi i mbrojtjes për personin i cili raporton incidentin, nëse është e nevojshme, në përputhje me obligimet përkatëse ligjore lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve;
  • Largimi i kryesit nga vendbanimi ose vendqëndrimi i viktimës apo ndonjë pjese të saj (në lidhje me masën mbrojtëse të largimit nga apartamenti, shtëpia apo ndonjë ambient tjetër në të cilin jetojnë).

Përveç kësaj, policia duhet që menjëherë ta raportojnë incidentin në qendrën për mirëqenien sociale të komunës ku personi jeton për një kohë të gjatë ose përkohësisht në rastet kur:

  • Viktima është e moshës nën 18 vjeç ose kur nuk ka zotësi të veprimit;
  • Veprat e dhunës në familje janë aq serioze sa ndikojnë në qetësinë a sigurinë e personit të moshës nën 18 vjeç apo që nuk ka zotësi të plotë të veprimit dhe jeton në të njëjtin vend me të pandehurin.

Çfarë janë strehimoret dhe cilat janë shërbimet e tyre?

Material i ofruar nga OSBE “Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë për Viktimat e Dhunës në Familje”

Strehimorja është një vend i sigurtë ku viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët e tyre mund të qëndrojnë përkohësisht dhe e cila siguron mbrojtje dhe shërbime të tjera. Strehimoret aktualisht ekzistojnë në Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren dhe strehojnë viktimat nga komunitetet në të gjithë Kosovën.

Viktimat mund të qëndrojnë në strehimore për gjashtë muaj. Kjo kohë mund të zgjatet sipas marrëveshjës me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Strehimoret zakonisht, në mesin e shërbimeve të tjera, u ofrojnë viktimave akomodim, ushqim, veshmbathje, këshillim (këshilla psiko-sociale dhe ligjore), mbështetje mjekësore, trajnime profesionale (të gjuhës, kompjuterit, internetit, leximit dhe shkrimit, qepjes, gatimit, parukerisë, rrobaqepësisë), edukim shëndetësor, shërbime për të kërkuar punë, si dhe aktivitete për fëmijë (muzikë, vizatim, vallëzim). Strehimoret patrullohen nga policia dhe kanë marrëveshje të ndryshme të tjera të sigurisë.

Disa strehimore gjithashtu kontribuojnë në parandalimin e dhunës në familje, duke organizuar aktivitete ndërgjegjësuese dhe vizita në terren në zonat rurale. Disa strehimore gjithashtu janë të përfshira në monitorim dhe avokim për një kornizë ligjore dhe politike në Kosovë që financohet siç duhet dhe i mbron viktimat e dhunës në familje. Disa të tjera kryejnë vizita të rregullta te viktimat pasi ata të kthehen në familjet e tyre ose të pavarësohen.

Si mund ta ndihmoj një mik apo anëtar të familjes i cili është viktimë e dhunës në familje?

  • Bisedoni me personin viktimë të abuzimit dhe pyeteni se si mund ta ndihmoni. Nëse janë mjaftueshëm të vjetër, inkurajoni ata që të kërkojnë mbështetje dhe këshillim. Kujtojani atyre se nuk është faji i tyre. Askush nuk meriton të abuzohet.
  • Mos gjykoni dhe mos i thoni viktimës se çfarë të bëjë. Dëgjoni dhe besoni çfarë thonë ata. Keni durim!
  • Shpesh, viktimat e dhunës në familje janë të izoluar dhe pa mbështetje. Ndihmoni që kontaktet e tyre jashtë të përmirësohen dhe të ruhen.
  • Ndihmoni atë dhe fëmijët e saj që të jenë të sigurtë. Flisni me të lidhur me mënyrat për ta bërë këtë dhe inkurajojeni atë që të mendojë vet rreth këtyre mënyrave.
  • Telefononi linjën falas për ndihmë, 0800 11112, për të marrë më shumë informata lidhur me atë që mund të bëhet. Kjo mund të jetë mënyrë më e sigurtë se sa përpjekja për të ndërhyrë drejtpërdrejt, e cila mund të jetë e rrezikshme si për ju ashtu edhe për viktimën. Nëse jeni të shqetësuar për masat ndëshkimore, fshini historinë tuaj të thirrjeve pasi ta keni bërë ndonjë thirrje të tillë.

Për më shumë informata

  • Telefononi në linjën falas për ndihmë: 0800 11112, të drejtuar nga divizioni i Avokimit të viktimave dhe Asistencës të Zyrës së Prokurorit Publik të Kosovës për më shumë informata dhe numra të kontaktit.
  • Ju do të gjeni adresën, emailin dhe numrin e telefonit të të gjitha institucioneve publike (si Zyrtarët për Mbrojtjen e Viktimave), strehimoreve dhe OJQ-ve që punojnë në çështjet e dhunës në familje në secilën komunë të Kosovës në faqet 24-54 të "Katalogut për Këshilla dhe Ndihmë për Viktimat e Dhunës në Familje" të OSBE-së.
  • Rrjeti i Grave të Kosovës ka qenë në krye të shërbimit, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë që nga viti 1996. Ju mund të lexoni raportin e tyre, "Mjaft më me arsyetime" duke klikuar këtu.
Category: Vështirësitë

Ligjërata mbi temën Vështirësitë

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit