Shtatzënia e paplanifikuar

Jo të gjitha shtatzënitë janë të planifikuara dhe vendimi se çfarë të bëni mund të jetë një prej vendimeve më të vështira që do të marrë një grua. Do të ndjeheni tejet e ngarkuar dhe e stresuar, por është e rëndësishme që të mendoni një kohë për opsionet e ndryshme para se të merrni ndonjë vendim. Janë tri mundësi:

  1. Ta rrisni vetë fëmijën
  2. Ta jepni për birësim
  3. Ta abortoni

Kur mundoheni të vendosni cila është më e drejtë për ju, mund t’ju ndihmojë nëse renditni përparësitë dhe të metat e secilës mundësi. Është shumë e rëndësishme që të informoheni lidhur me faktet, disa prej të cilëve do t’i gjeni në këtë faqe. Mbani mend që situata e çdo gruaje është e ndryshme dhe vetëm ju mund të merrni vendimin më të mirë për vete. Absolutisht askush nuk duhet t’ju detyrojë të bëni diçka për të cilën nuk ndjeheni mirë apo t’ju bëjë të turpëroheni për vendimin tuaj.

Birësimi në Kosovë

Ta japësh një fëmijë për birësim vërtet që është një vendim i madh. Nëse mundeni, gjeni dikë për t’ia hapur zemrën, dikë që e dini se do t’ju mbështesë dhe nuk do t’ju gjykojë. Për fat të keq, në Kosovë nuk ka grupe mbështetëse që ofrojnë këshilla rreth birësimit apo ndihmë tjetër përkatëse. Për të përcaktuar nëse birësimi ju konvenon, këto pyetje mund t’ju ndihmojnë:

  • A ndjehem rehat ta lë dikë tjetër ta rrisë fëmijën tim?
  • A besoj që fëmija im do të trajtohet mirë nga prindi/prindërit birësues?
  • A ndjehem që nuk mund të kujdesem për një fëmijë tani?
  • A do ta merrja parasysh abortimin apo rritjen e fëmijës tim?
  • A po më bën presion dikush për ta zgjedhur birësimin?
  • A jam e gatshme t’i dal në krye shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës?
  • A jam e përgatitur të përballoj ndjenjat e humbjes që mund të kem?
  • A do të ndjehem mirë nëse e vizitoj fëmijën tim dhe familjën e tyre 2 ose 3 herë në vit apo ndoshta të mos i shoh më kurrë?
  • A kam njerëz në jetën time që do të më mbështesin gjatë shtatzënisë, lindjes dhe procesit të birësimit?

Pyetjet janë marrë nga Planned Parenthood

Gjithnjë mbani mend që vetëm ju mund të merrni vendimin më të mirë, prandaj mos lejoni askënd që t’ju detyrojë të bëni diçka që nuk dëshironi apo t’ju bëjë të ndjeheni e turpëruar nga vendimi që keni marrë. Ju ndihmon nëse dini të drejtat tuaja ligjore. Përkundër stigmatizimit social të rritjës së fëmijës e vetme në Kosovë, nuk ka ligj që parandalon një grua të rritur të pamartuar ta rrisë fëmijën e saj. Ju nuk mund ta jepni foshnjën tuaj për birësim privat. Të gjitha birësimet në Kosovë duhet të shkojnë përmes Qendrës Komunale për Punës Sociale, panelit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe shqyrtimit gjyqësor. Për më tepër informata në lidhje me procesin e birësimit ju lutem klikoni këtu https://www.rks-gov.net/sq-AL/Qytetaret/Familja/Pages/Adoptimi.aspx 

Fëmijët e ofruar për birësim kujdesen nga prindër birësues të miratuar ose në institucione të kujdesit rezidencial me bazë në komunitet gjersa presin birësimin. Kjo zakonisht merr deri në një vit, kjo për shkak të procedurave aktuale administrative. Fëmijët mund të birësohen brenda Kosovës nga prindër ndërkombëtarë. Rreth 30 deri 40 fëmijë birësohen çdo vit në Kosovë.

Është shumë e natyrshme që të keni ndjenja të ndryshme pasi ta jepni foshnjën për birësim; lehtësim, siguri ose humbje. Është e rëndësishme që të keni njerëz që do t’ju mbështesin gjatë dhe pas shtatzënisë.

Aborti në Kosovë

Vendimi për të bërë abort është shumë i vështirë. Në Kosovë, ai bëhet edhe më i vështirë për shkak të stigmatizimit të nënave të pamartuara që i detyron shumë gra ta zgjedhin abortin edhe nëse duan ta mbajnë bebën. Njëkohësisht, stigmatizimi i abortit detyron shumë gra që të zgjedhin metoda të fshehta, ilegale ose të rrezikshme të abortit në shtëpi ose në klinika private. Vetëm gruaja mund ta marrë vendimin më të mirë për vete dhe për ta marrë atë vendim është e rëndësishme që të ketë fakte.

Të drejtat ligjore në Kosovë:

  • Aborti është i ligjshëm deri në javën e dhjetë të shtatzënësisë në Kosovë. Femrat nën 18 vjeç duhet të kenë lejen e prindërve. Ato që kërkojnë abort duhet të konsultojnë specialistin përkatës mjekësor të paktën tri ditë para procedurës.
  • Abortet pas javës së dhjetë lejon me ligj vetëm nëse komisioni në kuadër të departamentit të planifikimit familjar të QKUK-së përcakton që është në rrezik shëndeti i nënës së fetusit.
  • Vetëm një klinikë publike, QKUK-ja, ka leje të kryejë aborte. Megjithatë, sipas UNFPA-së “një numër i madh abortesh kryhen në klinika private.”

Si të vendosni nëse aborti bën për ju:

  • Nëse po mundoheni të vendosni nëse aborti është vendimi i duhur për ju, mund të ndihmojë të renditni përparësitë dhe të metat e tij.
  • Mendoni se si ndjeheni dhe çfarë mendoni lidhur me abortin, çfarë dëshironi në jetë ose për familjen tuaj ose familjen e ardhshme.
  • Për fat të keq, nuk ka shërbime këshillimi ose mbështetjeje për abortin në Kosovë, prandaj gjeni dikë të bisedoni që do t’ju mbështesë dhe nuk do t’ju gjykojë.

Janë dy metoda të abortit:

  • Pilula e abortit – një opsion ky vetëm gjatë 10 javëve të para të shtatzënisë, ka të bëjë me marrjen e dy pilulave gjatë një periudhe prej 24-48 orësh. Shumica e grave përjetojnë abortin brenda rreth 4-5 orësh nga përfundimi i mjekimit, por mund të zgjasë edhe deri në disa dita. Ju nuk duhet të keni marrëdhënie seksuale apo të përdorni tamponë për të paktën një javë pas abortit. Gjersa pilula e abortit në përgjithësi është e sigurt dhe mund të blihet pa recetë në disa barnatore (me ligj nevojitet përshkrimi i mjekut), rekomandohet që së pari ta shihni një mjek për t’u siguruar që është opsioni i duhur për ju dhe meqë është një procedurë mjekësore që rrjedhimisht bart rreziqe të komplikimit. Këto përfshijnë, mundimin,  vjelljën, diarrenë, gjakderdhjen e rëndë vaginale, kokë dhembjen, marramendjën dhe dhimbjen e shpinës.
  • Aborti në klinikë – procedura që zakonisht kryhet brenda 16 javëve të para të shtatzënësisë është “aspirimi”, gjersa procedura D dhe K (dilatimi dhe kiratazha, e njohur edhe si metoda instrumentale) zakonisht përdoret për shtatzënësitë mbi 16 javëshe. Rimëkëmbja mund të marrë 1-3 javë dhe gjatë kësaj kohe nuk duhet të keni marrëdhënie vaginale. Megjithëse në përgjithësi është e sigurt, ajo bart disa rreziqe si reagimi alergjik, infeksioni, lëndimi i organeve, aborti jo i plotë ose gjakderdhja e rëndë. Megjithatë, këto komplikime zakonisht trajtohen lehtë.

Metodat “tradicionale” të abortit nuk janë të sigurta apo efektive dhe nuk duhet të përdoren kurrë. Kjo përfshin kërcimin nga shkallët, vrapimin, bartjën e peshave të rënda, goditjën ose ndrydhjën e barkut, pirjën e birrës me majë buke dhe uljën në vaskë të nxehtë, pirjen e një çaji të posaçëm ose marrjen e pilulave si barnat kundër dhimbjës ose mbidoza e pilulave kontraceptive. Të gjitha këto mund ta vrasin ose dëmtojnë seriozisht gruan.

Pilula “e mëngjesit të nesërm” nuk është procedurë aborti, por ju mbron nga mbetja shtatzënë; nëse veç jeni shtatzënë, ajo nuk ndikon në shtatzëninë tuaj. Ju mund ta merrni pilulën “e mëngjesit të nesërm” deri në 3 deri 5 ditë nga seksi i pambrojtur (varësisht prej markës) për t’u mbrojtur nga shtatzënia, por sa më parë ta merrni aq më efektive të do jetë. Ajo mund të blihet pa recetë në barnatore në gjithë Kosovën, megjithëse zyrtarisht nevojitet përshkrimi i mjekut. Ajo nuk duhet të përdoret rregullisht për të parandaluar shtatzëninë pasi që nuk është po aq efektive sa metodat jo emergjente të kontrollit të lindje, si pilula e rregullt, injektimet, IUD ose kondomët.

Ka shumë mite në lidhje me abortin, por faktet janë:

  • Aborti është në përgjithësi i sigurt, por rreziqet rriten sa më e gjatë të jetë shtatzenia, pra sa më i madh të jetë fetusi.
  • Aborti nuk ju bën sterile. Aborti paraprak, nëse kryhet siç duhet, në përgjithësi nuk ndikon në gjasat e një gruaje për të mbetur sërish shtatzënë. Në disa raste, abortet e përsëritura mund të shkaktojnë gërryerje të brendshme, por ato mund të rregullohet me procedurë të thjeshtë. Nëse zhvilloni infeksion të mitrës pas abortit, sigurohuni ta trajtoni siç duhet pasi që mund të shkaktojë probleme me shtatzënitë e ardhshme.
  • Aborti nuk shkakton kancerin e gjirit apo ndonjë lloj tjetër kanceri, gjë që është dëshmuar nga studime të gjera shkencore me përfshirje të miliona grave.
  • Femrat që abortojnë nuk ka më tepër probleme afatgjata emocionale. Këto kanë më tepër gjasa të ndodhin për arsye të caktuara, p.sh., nëse femra është detyruar të abortojë, ka histori të problemeve emocionale ose nëse shtatzënia është e dëshiruar por ndërpritet për shkaqe shëndetësore. Studimet tregojnë që shumica e grave që bëjnë aborte vullnetare ndjehen që kanë marrë vendimin e duhur.

Çfarë të prisni pas abortit:

  • Mund të kenë dhimbje të llojit të ciklit dhe gjakderdhje vaginale për disa ditë ose deri në 1-2 javë. Kjo është normale dhe zakonisht nuk është diçka për t’u brengosur.
  • Ju duhet të përdorni peceta (jo tamponë) dhe të mos keni marrëdhënie seksuale për të paktën një javë.
  • Do të keni cikël të rregullt menstrual brenda 4-8 javësh.
  • Mund të mbeteni shtatzënë në javët menjëherë pas abortit, prandaj përdorni një metodë të kontrollit të lindjes nëse kryeni marrëdhënie seksuale.
  • Prisni të përjetoni një larmi ndjenjash. Shumë gra ndjejnë një ndjenjë të fuqishme çlirimi. Disa gra ndjehen të zemëruara, mërzitura, fajtore ose të penduara dhe këto ndjenja mund të jenë dërrmuese në disa raste. Kjo është pjesërisht si pasojë e ndryshimit dramatik në hormonet e trupit tuaj. Kjo duhet të kalojë brenda disa ditësh deri javë. Nëse nuk kalon, provoni ndonjërën nga më poshtë:
    • Lejoni vetes të ndjeheni e mërzitur dhe ta shprehni atë mërzi; nuk do të ndjeheni gjithmonë në këtë mënyrë.
    • Përkujtojani vetes pse e bëtë abortin; ishte vendimi më i mirë në ato rrethana.
    • Flisni me dikë që i besoni për ndjenjat tuaja; po ashtu mund të lexoni rreth përvojave të grave të tjera.
    • Shihni drejt së ardhmes; bëni një listë të gjërave që jeni entuziaste t’i bëni.
    • Kujdesuni për veten; hani mirë, bëni ushtrime dhe bëni gjërat që ju bëjnë të ndjeheni mirë.
  • Megjithëse abortet në përgjithësi janë të sigurta, ekziston rreziku i komplikimeve, prandaj duhet të njihni këto shenja të rrezikut. Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore nëse pas një aborti keni:
    • Gjakderdhje të rëndë vaginale që mbush mbi dy peceta të mëdha në orë, për dy orë ose më tepër me radhë.
    • Mpiksjet e gjakut vaginal për dy orë ose më tepër që janë më të mëdha se një limon.
    • Dhimbje ose mundim i rëndë abdominal që nuk lehtësohet nga mjekimi apo terapitë shtëpiake (si pushimit, banjos apo peceta ngrohëse).
    • Ethe dhe temperaturë prej 38C ose më lart pas ditës së abortit.
    • Mundim, vjellje dhe/ose diarre që zgjat më tepër se 24 orë.
    • Shkarkim me erë të pakëndshme nga vagina.
    • Dëshmi që ende jeni shtatzënë.
 

 

Category: Shtatzëni e paplanifikuar

Ligjërata mbi temën Vështirësitë

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit