HUMBJA E FOSHNJËS

 

Humbja e foshnjës, qoftë gjatë shtatzënisë apo gjatë lindjes, është ndoshta një nga tragjeditë më të rënda për çdo familje. Neve na vjen shumë keq për humbjen tuaj.

Nëse beba juaj ka vdekur gjatë shtatzënisë apo në ditët e para të jetës, ju dhe familja juaj mund të keni nevojë për ndihmë në mënyrë që të kuptoni se çfarë ka ndodhur. Gjithashtu keni nevojë për mbështetje në mënyrë që të gjeni mënyra për ta përballuar pikëllimin tuaj dhe lehtësuar dhimbjen tuaj. Aborti, lindja e frytit të vdekur dhe gjendje të tjera mund të jenë shkaku i fundit të një shtatzënie para ose gjatë lindjes. Vdekja e të porsalindurit mund të shkaktohet nga lindja e parakohshme, defektet në lindje dhe gjendjet e tjera shëndetësore.

Nëse keni pasur një përvojë të tillë, mund të jeni të pushtuar nga ndjenjat tuaja të humbjes. Mësimi se si njerëzit brengosen dhe të menduarit mbi mënyrat për ta kujtuar foshnjën tuaj mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes tuaj dhe të ju bëjë gati që të mendoni për të ardhmen. Vizitoni komunitetin tonë online, ku mund të flisni me familjet që kanë humbur një bebe dhe të ngushëlloni njëri-tjetrin. Ndarja e tregimit të familjes tuaj mund të lehtësojë dhimbjen tuaj dhe t’ju ndihmojë të rimerrni veten.

Në këtë pjesë, do të gjeni informata në lidhje me:

  • Abortin
  • Lindjen e foshnjës së vdekur
  • Vdekjen e të porsalindurit
  • Mënyrat me të cilat mund ta përballoni pikëllimin

Aborti (Dështimi)

Përveç nëse ceket ndryshe, materiali në këtë faqe është marrë nga“March of Dimes” (përshtatur për Kosovë)

PIKAT KRYESORE

  • Për fat të keq është shumë e zakonshme në tremujorin e parë, duke rezultuar që një në pesë shtatzëni, ose më shumë, të përfundojë me abort.
  • Nuk është faji yt. Shumica e aborteve spontane në tremujorin e parë shkaktohen nga problemet e kromozomeve me foshnjën. Në disa raste, mund të ketë mënyra për ta zvogëluar rrezikun e abortit.
  • Është normale për t'u shqetësuar se do të dështoni përsëri, por shumica e dështimeve janë ngjarje që ndodhin vetëm njëherë, me vetëm 1 në 100 gra me dështime të shumëfishta.

Çfarë është aborti (dështimi)?

Dështim është kur një bebe vdes në barkun e nënës para javës së 20 të shtatzënisë. Në mesin e grave të cilat e dinë se janë shtatzëna, rreth 10-15% përfundojnë me abort. Më shumë se gjysma e të gjitha shtatzënive mund të përfundojnë me dështim, nuk e dimë numrin e saktë, sepse shumica  e tyre mund të ndodhin para se një grua ta kuptojë se është shtatzënë. Shumica e dështimeve ndodhin në tremujorin e parë (javën e 13-të) të shtatzënisë.

Cilat janë shenjat e abortit (dështimit)?

Shenjat dhe simptomat përfshijnë:

  • Gjakderdhje vaginale
  • Ngërçe njësoj si kur ndjeni gjatë ciklit tuaj
  • Dhimbje të forta barku

Shumica e grave i kanë këto shenja dhe simptome në shtatzëninë e hershme dhe nuk dështojnë. Nëse keni ndonjë nga këto shenja ose simptoma, telefononi mjekun tuaj ose shkoni në spital. Mjeku mund të bëni disa teste për t’u siguruar se çdo gjë është OK. Këto teste mund të përfshijnë analiza të gjakut, një ekzaminim të pelvikut dhe një ekzaminim me ultrazë. Ekzaminimi me ultrazë është një test që përdor valët e zërit dhe një ekran kompjuteri për të shfaqur një pamje të bebës tuaj brenda mitrës.

Çfarë ndodh dhe sa zgjatë?

(burime të ndryshme, duke përfshirë NHS (Angli), CDC (SHBA), BabyCenter dhe New Kids-Center)

Për fat të keq, në qoftë se dështimi (aborti) ka filluar, nuk mund të bëni asgjë për ta parandaluar atë. Koha mesatare e zgjatjes së saj është dy javë, por disa gra përjetojnë gjakderdhje dhe ngërçe për më shumë se tre javë.  Një “dështim i hershëm”(tremujorin e parë) mund të fillojë si një cikël, me gjakderdhje dhe ngërçe, si dhe me progres në intensitet, duke përfshirë gjakderdhje të mëdha dhe mpiksje gjaku. Disa gra vërejnë kalimin e qeskës se shtatzënisë (e quajtur edhe indi i shtatzënisë ose qeska e fetusit), ndërsa të tjerat nuk e vërejnë. Pasi të ndodhë kjo, dhimbja dhe gjakderdhja zakonisht fillojnë të largohen, por ju do të mund të keni gjakderdhje edhe për 7-14 ditë të tjera. Shumicës së femrave u vije cikli përsëri, shumë herë më i rëndë se ai normal, 4 deri në 6 javë pas abortit. Mbani në mend se mund të jeni pjellore gjatë kësaj periudhe kështu që është mirë të merrni masa për të shmangur mbetjen shtatzënë menjëherë. Nëse nuk keni menstruacione brenda gjashtë javësh nga dështimi (aborti) juaj, vizitoni mjekun tuaj.

Nëse jeni të shqetësuar se mund të keni një dështim, telefononi mjekun tuaj ose vizitoni spitalin. Nëse keni gjakderdhje shumë të madhe (duke e qullur një tampon Max brenda një ore), keni dhimbje të tepërta ose shenja të një infeksioni (erë të keqe nga vagina juaj), shkoni në spital menjëherë. Është shumë e rëndësishme të dini se gjakderdhja vaginale apo dhimbja në shtatzëninë e hershme mund të jetë një shenjë e një shtatzënie ektopike ose molare. Këto janë gjendje të rënda dhe ju duhet ta vërtetoni me mjekun tuaj se ju nuk jeni në rrezik.

Ka tre mënyra që një dështim mund të trajtohet, varësisht nga situata. Mjeku duhet ta diskutojë secilën mundësi me ju dhe të shpjegojë rekomandimet e tij:  

  1. Shih e prit (i njohur edhe si “aborti i  natyrshëm”) - ju prisni 7-14 ditë që indi i shtatzënisë të kaloj natyrshëm. Kjo  zakonisht rekomandohet për abortet e  hershme meqë është alternativa më e sigurtë. Mjeku duhet t'ju japë udhëzime mbi atë se çfarë duhet të bëni gjatë kësaj kohe dhe mund të rekomandojë një vizitë përcjellëse. Për të menaxhuar dhimbjën, përdorni paracetamol.
  2. Tableta për zbrazjen e mitrës - ju merrni tableta të posaçme të përshkruara nga mjeku për të shpejtuar procesin, pas së cilave shtatzënia kalon nga vagina. Efektet e mundshme anësore përfshijnë të përziera, të vjella dhe diarre. Nuk ka garancion që kjo funksionon dhe përsëri mund të keni nevojë t’i nënshtroheni operacionit për heqjën e indit të shtatzënisë.
  3. Operacioni (D dhe K) për zbrazjën e mitrës - përfshinë zbrazjën e mitrës përmes një operacioni të njohur si “Dilatimi dhe Kiretazha” (D dhe K). Kjo zakonisht bëhet  në qoftë se kërcënohet jeta e nënës (gjakderdhje e tepërt), nëse shtatzënia nuk kalon qoftë në mënyre të natyrshme ose nëpërmjet tabletave ose nëse nëna e gjenë se është dhimbje e madhe emocionale ose fizike ta presë që indi i shtatzënisë të kalojë.

Disa përvoja nga gratë që kanë pasur një dështim të hershëm janë dhënë më poshtë:

(marrë nga New Kids-Center)

Rasti 1: Abortova në javën e 6, por e kuptova në javën e 10

Më 5 qershor, kam vënë re një shenjë të gjakut në të brendshmet e mia, kur shkova për të bërë një dush. Unë kisha mbetur shtatzënë që 10 javë nga kjo kohë, kështu që burri im me dërgoj në emergjencë. Në spital kam pasur gjakderdhje të lehta për 30 minuta. Më thanë që beba ime kishte vdekur në  ditën e 9-të të javës së 6-të, dhe mjeku më tha që të kthehem në spital nëse më shtohet gjakderdhja. Ditën e nesërme mezi  qëndroja për shkak të ngërçit dhe gjakderdhjes, dhimbja ishte më keq se dhimbja e lindjes. Të nesërmen iu nënshtrova një (D dhe K) dhe kisha gjakderdhje për një javë, ngjashëm sikur gjatë ciklit.

Rasti 2: Aborti në javën e 5-të pa simptoma të mëdha

Aborti im ndodhi kur unë kisha mbushur 5 javë dhe 5 ditë të shtatzënisë. 2 ditë me njolla të lehtë pasuar nga 2 ditë tjera me gjakderdhje të lehta dhe të ciklit me ngërçe. Kisha gjakderdhje për 5 ditët e ardhshme.

Rasti 3: Aborti në javën e 6 me gjakderdhje të mëdha

Kisha mbushur 6 javë të shtatzënisë të mërkurën, kur e humba bebën time. Fillova të ndjeja dhimbje të lehta dhe kisha njolla gjaku. U mërzita dhe fillova të thoja "oh jo, oh jo, oh jo".  Dikur gjakderdhja u bë mjaft e madhe dhe e kuptova se kisha humbur bebën time. Dhimbja ishte aq e madhe, sikur dikush të më fuste thikën në barkun tim. U shkatërrova  emocionalisht ndërsa dhimbja fizike ishte shumë e keqe. Kjo ishte gjendja më e pashpresë që kisha ndjerë ndonjëherë në jetën time.

Gjërat që duhet dhe nuk duhet bërë gjatë dhe pas dështimit të shtatzënisë (abortit)

(përshtatur nga New Kids-Center, http://www.newkidscenter.com/How-Long-Does-a-Miscarriage-Last.html)

  • Mos përdorni tampona. Përdorni peceta higjienike pasi kjo e zvogëlon rrezikun nga infeksioni, në krahasim me tamponin, dhe gjithashtu ka tendencë të japë një ide më korrekte për sasinë e gjakut te humbur. Nëse duhet ndërruar pecetat higjienike çdo orë, ju duhet që të shkoni në emergjencë apo tek mjeku juaj, pasi jeni në rrezik të zhvillimit të një hemorragjie.
  • Shmangni infeksionet. Merrni masa paraprake, të tilla si: bëni dush në vend të banjës, shmangni pishinat dhe kazanët e nxehtë. Gjithashtu këshillohet qe të shmangni marrëdhëniet seksuale kur vuani nga gjakderdhja e shkaktuar nga dështimi i shtatzënisë.
  • Përdorni sytjena mbështetëse. Nëse dështimi i shtatzënisë ndodh në fazat e mëvonshme të shtatzënisë, gjinjtë mund të mbesin të zmadhuara dhe madje mund edhe të rrjedhin qumësht për disa ditë.  Kjo mund të jetë e dhimbshme dhe shqetësuese. Një sytjen mbështetëse mund të lehtësojë dhimbjën. Mund të merret paracetamol si qetësues i dhimbjeve ose të konsultohet mjeku.

Sa kohë zgjatë rikuperimi nga një dështim i shtatzënisë?

Rikuperimi fizik nga një dështim në shtatzëni mund të zgjasë disa javë deri në një muaj apo edhe më shumë.  Ndërsa rikuperimi emocional mund të zgjasë më gjatë. Ju mund të keni ndjenja të forta apo të mbani zi për vdekjen e bebës tuaj. Hidhërimi është e gjithë ndjenja që keni kur ju vdes një i afërm. Ju mund të ndjeheni e pikëlluar, e zemëruar, e hutuar apo e vetmuar. Në disa raste, ndjenjat tuaja mund të duken më të mëdha se sa ju mund të përballoni. Ju mund të keni probleme për t'u përqendruar. Mund të ndjeheni fajtore për gjërat që kanë ndodhur gjatë shtatzënisë. Është në rregull që t’i jepni vetës kohë për të mbajtur zi, të kërkoni nga familjarët dhe miqtë tuaj mbështetje, vizitoni komunitetin tonë online për mbështetje, dhe gjeni mënyrën tuaj për ta kujtuar bebën tuaj.

Nëse dështoni në shtatzëni, kur mund të përpiqeni të mbeteni përsëri shtatzënë?

Ky është një vendim që ju duhet ta bëni me partnerin dhe mjekun tuaj. Me shumë gjasë jeni OK në aspektin mjekësor për të mbetur përsëri shtatzënë pasi të keni pasur të paktën një cikël normal. Por mund të mos jeni emocionalisht gati për të provuar përsëri kaq shpejt. Dështimi në shtatzëni mund të jetë i vështirë për t’u trajtuar. Ndoshta ju duhet kohë për të mbajtur zi për humbjen e bebës tuaj. Ndoshta dëshironi të prisni  për një kohë para se të përpiqeni të mbeteni përsëri shtatzënë. Ka të ngjarë që mjeku juaj të kërkojë që ju t’u nënshtroheni disa testeve mjekësore në përpjekje për të mësuar më shumë rreth asaj  pse ju keni pësuar një dështim ne shtatzëni. Nëse është kështu, atëherë ju duhet të prisni deri pasi t’i keni kryer këto teste për të përpjekur që të mbeteni përsëri shtatzënë.

Shumë gra që pësojnë një dështim në shtatzëni shqetësohen se do të kenë edhe një tjetër në qoftë se mbesin përsëri shtatzënë. Por shumica e dështimeve në shtatzëni janë një ngjarje që ndodhin vetëm njëherë. Sipas NHS (Angli), vetëm 1% e grave përjetojnë dështime të përsëritura (tri ose më shumë radhazi) dhe më shumë se 60% e këtyre grave më pas kanë një shtatzëni të suksesshme.

Çfarë e shkakton dështimin në shtatzëni?

Shumë gra e pyesin veten, “a kam bërë diçka për ta shkaktuar dështimin në shtatzëni” dhe në 99% të rasteve përgjigja është "JO". Është e natyrshme që të doni ta kuptoni se pse ka ndodhur kjo, por në shumicën e rasteve shkaku nuk mund të identifikohet. Shkaqet e mundshme përfshijnë:

  • Probleme kromozomale. Ky është shkaku i më shumë se gjysmës se dështimeve te shtatzënisë që ndodhin në tremujorin e parë. Kromozomet janë të vogla, me strukturë si fije në qelizat që bartin gjenet tona, ku gjysma vjen nga nëna dhe gjysma tjetër nga babai.
  • Vezore të dëmtuara. Kjo është kur një vezë e fekonduar ngulitet në mitër, mirëpo nuk zhvillohet në një bebe. Kjo ndonjëherë shkaktohet nga problemet kromozomale.
  • Pirja e duhanit, alkoolit dhe drogës. Nëse pini duhan, pini alkool, përdorni drogat e rrugës apo abuzoni me receta,  mund t’i rrisni shanset tuaja për të pasur një dështim në shtatzëni.
  • Shëndeti i nënës. Disa gjendje shëndetësore mund të rrisin shanset e një gruaje për të pasur një dështim në shtatzëni. Trajtimi i këtyre gjendjeve para dhe gjatë shtatzënisë nganjëherë mund të ndihmojë në parandalimin e dështimit ne shtatzëni. Nëse keni ndonjë nga këto gjendje shëndetësore, tregojini mjekut tuaj para ose sa më shpejt që ju e kuptoni se jeni shtatzënë. Kjo përfshin:
    • Probleme të hormoneve. Hormonet janë substanca kimike të bëra nga trupi.
    • Infeksione
    • Diabeti. Kjo është gjendja kur keni shumë sheqer në gjakun tuaj. Kjo mund të dëmtojë organet në trupin tuaj, duke përfshirë enët e gjakut, nervat, sytë dhe veshkat.
    • Sëmundje tiroide. Tiroidet janë gjëndra në qafën tuaj që prodhojnë hormone të cilat ndihmojnë trupin tuaj të marrë dhe të përdorë energjinë nga ushqimi.
    • Lupusi dhe çrregullimet e tjera autoimune. Çrregullime të imunitetit do të thotë se sistemi juaj imunitar nuk funksionon si duhet dhe nuk mund të mbrojë trupin tuaj nga infeksioni.
  • Ndoshta keni dëgjuar se konsumimi i shumtë i kafeinës gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë dështim në shtatzëni. Kafeina është një drogë e cila gjendet në ushqime, pije, çokollatë dhe disa barna. Ajo është një stimulant, që do të thotë se mund t’ju mbajë të zgjuar. Disa studime thonë se kafeina mund të shkaktojë dështim në shtatzëni dhe disa te tjera thonë se nuk shkakton. Deri sa te dimë më shumë rreth asaj se si kafeina mund të ndikojë në shtatzëni, është më mirë të kufizohet sasia që merrni në 200 miligram në ditë (afërsisht një filxhan kafe).

Ka shumë keqkuptime në lidhje me dështimin në shtatzëni. Dëshmitë mjekësore thotë se rritja e rrezikut për dështim në shtatzëni nuk është e lidhur me:

  • Gjendjen emocionale të nënës gjatë shtatzënisë , e tillë si të qenit e stresuar ose në depresion

Përjetimi i një shoku apo trembjeje gjatë shtatzënisë

  • Ushtrimi gjatë shtatzënisë - por konsultohuni me mjekun tuaj se çfarë lloji dhe sasie të ushtrimit është i përshtatshëm për ju gjatë shtatzënisë
  • Ngritja e peshave ose sforcimi gjatë shtatzënisë
  • Puna gjatë shtatzënisë - ose puna që përfshin qëndrimin ulur ose në këmbë për periudha të gjata kohore
  • Marrëdhënia seksuale gjatë shtatzënisë
  • Udhëtimi me aeroplan
  • Ngrënia e ushqimit pikant

(Burimi: NHS, http://www.nhs.uk/Conditions/Miscarriage/Pages/Causes.aspx)

Dështime të përsëritura të shtatzënisë

Zakonisht, dështimi në shtatzëni është një gjë që ndodh një herë. Shumica e grave që dështojnë në shtatzëni nuk kanë të njëjtin problem në një tjetër shtatzëni. Por rreth 1% e çifteve kanë dështime të përsëritur në shtatzëni. Kjo do të thotë se gruaja ka dy, tre ose më shumë dështime në shtatzëni radhazi.

Mund të ketë probleme të veçanta të cilat shkaktojnë dështime të përsëritura në shtatzëni. Por këto shkaqe dihen vetëm në gjysmën e të gjitha rasteve. Edhe pa trajtim, rreth 60 deri 70% e grave me dështime të përsëritura në shtatzëni më vonë kanë një shtatzëni të suksesshme.

Shkaqet e njohura të dështimeve të përsëritura përfshijnë:

  • Problemet me mitër apo qafë të mitrës. Mitra është vendi ku fëmija juaj rritet brenda jush. Qafa e mitrës është hapja e mitrës e cila gjendet në krye të vaginës. Problemet me mitër dhe qafë të mitrës shkaktojnë 10 deri 15 për qind të dështimeve të përsëritura.
  • Problemet kromozomale. Problemet kromozomale zakonisht ndodhin vetëm një herë. Por në rreth 2 deri 4 për qind të çifteve me dështime të përsëritura te shtatzënisë, njëri prind ka probleme kromozomale që nuk ndikon në shëndetin e tij, por mund të shkaktojë probleme në bebe. Të dy prindërit duhet të bëjnë testin e quajtur kariotip për të kontrolluar për probleme kromozomale.
  • Sindromi Antifosfolipid. Ky është një gjendje e sistemit imunitar që rritë rrezikun e mpiksjes së gjakut në placentë. Sistemi juaj imunitar është ai që e mbron trupin tuaj nga infeksioni. Sindromi Antifosfolipid shkakton 5 deri në 10 për qind të dështimeve të përsëritura në shtatzëni. Mjeku juaj mund t’ju bëjë testin për këtë gjendje përmes një testi të gjakut. Trajtimi bëhet me doza të ulëta të aspirinës dhe një bari që ndihmon për hollimin e gjakut.
  • Problemet hormonale. Hormonet janë substanca kimike të bëra nga trupi.
  • Infeksionet. Disa infeksione të organeve tuaja riprodhuese, si vezoret, mitra dhe qafa e mitrës, mund të luajnë një rol në dështimet e përsëritura të shtatzënisë.
  • Kimikatet e dëmshme. Nëse ju ose partner juaj punon me kimikate të dëmshme, ju keni  më shumë të ngjarë që të keni dështime të përsëritura. Këto kimikate përfshijnë tretësit, si holluesit e bojërave. Nëse brengoseni në lidhje me të qenit rreth kimikateve të dëmshme, tregojini mjekut tuaj.

Informata dhe ndihma e mëtejshme

Ju  mund të keni ende shumë pyetje, ose të ndjeheni se ju keni nevojë për më shumë mbështetje. Mos keni frikë të kërkoni ndihmë. Këtu janë disa vende për t'u adresuar:

  1. Kontaktoni qendrën tuaj lokale Beba-ks për këshilla dhe përkrahje.
  2. Ndani tregimin tuaj me komunitetin online  dhe lexoni përvojat e të tjerëve.
  3. Vizitoni uebfaqet në vijim (fatkeqësisht janë vetëm në gjuhën angleze ) për më shumë informata

Lindja me fryt të vdekur

Materiali në këtë faqe është marrë nga “March of Dimes” (përshtatur për Kosovë)

PIKAT KRYESORE

  • Ne dimë se infeksione të caktuara dhe komplikime të shtatzënisë mund të shkaktojnë lindjen me fryt të vdekur, por ne nuk i dimë të gjitha shkaqet.  
  • Disa gra kanë më shumë gjasa se të tjerët që të kenë lindje me fryt të vdekur. Ju mund të jeni në gjendje të ndihmoni në uljen e rrezikut tuaj për të ndihmuar të keni një foshnje të shëndetshme. 
  • Shumica e grave që kanë një lindur foshnje të vdekur dhe mbeten më vonë shtatzënë përsëri mund të kenë një shtatzëni të shëndetshme dhe një foshnje të shëndetshme.   

Çfarë është lindja me fryt të vdekur ?

Lindja me fryt të vdekur është kur foshnja vdes në mitër pas javës së 20-të të shtatzënisë.  

Shumica e vdekjeve të foshnjave ndodhin para se gruaja të fillojë lindjen, por një numër i vogël ndodhë gjatë fillimit të dhimbjeve të lindjes dhe gjatë lindjes.

Çfarë e bën një grua me më shumë gjasa se të tjerat që të ketë lindje me fryt të vdekur?

Gjërat që jua rrisin gjasat të keni lindje me fryt të vdekur quhen faktorët e rrezikut. Nëse keni një faktor rreziku nuk do të thotë me siguri se ju do të lindni foshnje të vdekur, por kjo mund të rrisë gjasat tuaja. Bisedoni me mjekun tuaj në lidhje me atë se çfarë mund të bëni për të ndihmuar të reduktoni rrezikun për lindje me fryt të vdekur. Ju mund të keni më shumë gjasa se gratë e tjera që të keni lindje me fryt të vdekur në qoftë se: 

  • Jeni obeze. Nëse jeni obeze, keni sasi të tepërt të dhjamit ne trup dhe indeksi juaj i masës  trupore (i quajtur edhe IMT) është 30 ose më i lartë. Për të mësuar IMT-në tuaj, vizitoni  www.cdc.gov/bmi.
  • Keni shtatzëni të shumëfishtë (binjakë, trenjakë ose më shumë)
  • Jeni mbi 35 vjeç 
  • Keni një gjendje mjekësore si diabet apo tension të ulët apo të lartë të gjakut. Diabeti është një gjendje në të cilën trupi juaj ka shumë sheqer (të quajtur glukozë) në gjak. Presioni i gjakut është forca e gjakut që shtyhet kundër mureve të arterieve tuaja. Arteriet janë enët e gjakut që bartin gjakun nga zemra juaj për tek pjesët e tjera të trupit. 
  • Nuk keni pasur lindje më herët.
  • Keni pasur një dështim apo lindur foshnje të vdekur në një shtatzëni të kaluar ose keni pasur një foshnje që ju ka vdekur në 28 ditët e para të jetës (të quajtur vdekje neonatale) 
  • Keni pasur komplikime në një shtatzëni të kaluar, si lindje të parakohshme, preklampsi apo kufizim të rritjes së frytit. Lindja e parakohshme është lindja që ndodh para javës së 37-të të shtatzënisë. Preklampsia është një gjendje që mund të ndodhë pas javës së 20-të të shtatzënisë ose menjëherë pas shtatzënisë. Kjo është kur një grua shtatzënë ka tension të lartë të gjakut dhe shenja që disa prej organeve të saj, si veshkat e saj dhe mëlçia, nuk mund të punojnë si duhet. Kufizim i rritjes se fetusit  është kur një foshnje nuk ka të fituar peshë të mjaftueshme në barkun e nënës para se të lindë.  
  • Pini duhan, përdorni droga të rrugës, merrni ilaçe të përshkruara kundër dhimbjeve ose alkool gjate shtatzënisë.

Si mund të dini nëse foshnja juaj është e vdekur?

Simptomat më të zakonshme të vdekjes së foshnjës janë kur nuk e ndjeni foshnjën tuaj të lëvizë apo shqelmojë.  Shenjat dhe simptomat e tjera përfshijnë ngërçet, dhimbjën ose gjakderdhjën vaginale. Thirreni mjekun tuaj menjëherë ose shkoni në spital nëse keni ndonjë nga këto gjendje.  

Mjeku juaj do të bëjë një ultrazë për të parë nëse zemra e foshnjës tuaj ka pushuar së rrahuri.  Ultrazëri përdor valët e zërit dhe një ekran kompjuteri për të treguar një pamje të fëmijës tuaj brenda mitrës.

Nëse keni pasur lindje me fryt të vdekur më parë, mund të keni një foshnje të shëndetshme në një tjetër shtatzëni? 

Po. Gjasat për të pasur një tjetër lindje me fryt të vdekur janë shumë të vogla për shumicën e grave. Nëse keni pasur një lindje me fryt të vdekur dhe jeni duke menduar për të pasur një fëmijë tjetër, jepini vetës kohë për t’u shëruar fizikisht dhe emocionalisht. Bisedoni me mjekun tuaj në lidhje me atë që është e drejtë për ju. Ajo mund të kërkojë që të bëni teste mjekësore për t’u përpjekur më shumë që të mësojë  në lidhje me çka e ka shkaktuar  lindjën me fryt të vdekur. Do t’ju duhet të prisni deri pasi të keni bërë këto teste para se të mbeteni shtatzënë përsëri.

Këtu janë disa gjëra që ju mund të bëni për të ulur rrezikun e një lindjeje tjetër me fryt të vdekur në një tjetër shtatzëni: 

  • Bëni një kontrollë para mbarësimit. Kjo është një kontroll mjekësore që ju bëni para se të mbeteni shtatzënë. Ju ndihmon që të siguroheni që jeni e shëndetshme kur të mbeteni shtatzënë. 
  • Bini në peshë të shëndetshme para se të mbeteni shtatzënë. Ofruesi juaj shëndetësor mund të rekomandojë mënyra që ju përshtaten për të rënë në peshë. 
  • Mos pini duhan apo alkool, mos përdorin drogat e rrugës dhe mos abuzoni me barnat e përshkruara. 
  • Nëse keni ndonjë dhimbje apo gjakderdhje vaginale gjatë shtatzënisë, thirreni mjekun tuaj menjëherë. 

Nëse mbeteni shtatzënë përsëri, mjeku juaj do t’ju monitorojë nga afër ju dhe foshnjën tuaj. Në rreth 32 javë të shtatzënisë, ajo mund t'ju kërkojë të numëroni goditjet e foshnjës për t'ju ndihmuar të mbani shënim të asaj se sa shpesh lëviz foshnja juaj. Doktori juaj mund të bëjë testet mjekësore për të kontrolluar ritmin e zemrës dhe lëvizjet e fëmijës tuaj.

Çka e shkakton lindjen me fryt të vdekur?

Ne nuk e dimë se çfarë i shkakton shumë lindje të frytit të vdekur, por shkaqet e zakonshme përfshijnë:

  • Infeksionet e nënës, fëmijës apo placentës. Disa infeksione mund të mos shkaktojnë simptoma tek nëna dhe nuk mund të diagnostikohen deri sa të shkaktojnë komplikime të rënda, si lindja e parakohshme ose lindje me fryt të vdekur. Infeksionet që mund të shkaktojnë lindje me fryt të vdekur përfshijnë citomegolovirusin (një lloj i virusit të herpesit), sëmundjën e pestë (e shkaktuar nga një virus i quajtur parvovirusi B19), infeksionet e traktit gjenital dhe urinar, listeriozat (një lloj i helmimit me ushqim), sifilizin (një sëmundje seksualisht e transmetueshme) dhe toksiplasmozën (infeksion i shkaktuar nga një parazit). 
  • Komplikimet gjatë shtatzënisë, përfshirë edhe zgjatjen e  shtatzënisë më shumë se 42 javë, diabetin, tensionin e lartë, lupusin (një çrregullim autoimun), obezitetin, preklampsinë, lindjen e hershme (kur lindja fillon para javës së 37-të të shtatzënësisë), çarjen e parakohshme të membranave (e  quajtur gjithashtu PPROM), traumat apo dëmtimet (si një aksident me makinë), trombofiliaza (rrit gjasat për mpiksjen jonormale të gjakut) dhe çrregullimet e tiroideve.
  • Gjendja e foshnjës, duke përfshirë defektet e lindjes dhe kushtet gjenetike si Sindromin Daun (ndodh në rreth 14% të foshnjave të cilët lindin të vdekura), rritja e kufizuar e frytit, oksigjenimi  i pamjaftueshëm gjatë lindjes, sëmundjet Rh (kur një grua që është Rh-negative është shtatzënë me një fëmijë i cili është Rh-pozitiv).  
  • Problemet me placentën. Këto mund të përfshijnë mpiksjen e gjakut, pezmatimin (skuqje, dhimbje dhe ënjtje), problemet me enët e gjakut në placentë dhe gjendje të tjera, si shkëputja e placentës. Shkëputja e placentës është një gjendje e rëndë, në të cilën placenta ndahet nga muri i mitrës para lindjes. Gratë që pinë duhan apo përdorin kokainë gjatë shtatzënisë kanë më shumë të ngjarë që të kenë shkëputje të placentës se sa gratë e tjera. Problemet e placentës shkaktojnë rreth 24% të lindjeve me fryt të vdekur.
  • Problemet me kordonin e kërthizës, si prania e një nyje në kordonin e kërthizës. Fatkeqësitë që përfshijnë kordonin e kërthizës mund të çojnë në rreth 10% të lindjeve me fryt të vdekur.

Si mund të përballeni me ndjenjat e pikëllimit pas një lindjeje me fryt të vdekur?

Pikëllimi është krejt çfarë ndjeni kur dikush pranë jush vdes. Lindja me fryt të vdekur është humbje e dhimbshme për një familje. Por ka gjëra që ju mund të bëni e që mund t’ju ndihmojnë në pikëllimin tuaj, për t’u shëruar dhe për të kujtuar foshnjën tuaj. 

Pas lindjes, bëni atë që ndjeni se është e drejtë për ju dhe familjen tuaj dhe atë që spitali do t’ju lejojë. Mund të dëshironi të kaloni kohë vetëm me foshnjën tuaj dhe anëtarët e tjerë të familjes. Ju mund t’i vini emrin  foshnjës tuaj, të mbani foshnjën tuaj dhe mundësisht të merrni pjesë në traditat kulturore apo fetare. Disa familje bëjnë fotografi të foshnjës së tyre, apo  mbajnë ndonjë dhuratë për t’i ndihmuar ta kujtojnë foshnjën e tyre. 

Prindërit që kanë lindur foshnje të vdekur kanë nevojë për kohë për të mbajtur zi. Ju dhe bashkëshorti juaj mund të përballeni me pikëllimin në mënyra të ndryshme. Kjo mund të shkaktojë probleme për të dy prej jush. Gjithashtu mund t’ju duhet të përballeni me të tjerët gjatë kohës që mbani zi.  Pyesni mjekun tuaj ose kontaktoni me qendrën lokale Beba-ks për të diskutuar mënyrat se si të përballeni me vdekjen e foshnjës tuaj.  

Lindja me fryt të vdekur mund të rrisë gjasat që të keni depresion pas lindjes (DPP). DPP është një lloj i depresionit që e përjetojnë disa gra pas lindjes së foshnjës. Klikoni këtu për të mësuar në lidhje me shenjat dhe simptomat e DDP-së dhe mënyrat për përballimin e tij. Ju gjithmonë mund të bisedoni me dikë në qendrën tuaj lokale Beba-ks për DPP-në dhe mënyrat për të përballuar dhe kapërcyer këtë periudhë të vështirë.

Të flisni për ndjenjat tuaja mund t’ju ndihmojë të përballeni me pikëllimin tuaj. Vizitoni komunitetin tonë online, ku familjet që kanë humbur një foshnje mund të flasin dhe ta ngushëllojnë njëra-tjetrën. Ndarja e tregimit tuaj mund t’jua lehtësojë dhimbjen dhe t’ju ndihmojë të shëroheni. “March of Dimes” ka hartuar një broshurë të quajtur “Nga dhimbja tek shërimi”, e cila mund t’ju vije në ndihmë për t’i bërë ballë humbjes tuaj. Na kontaktoni për të kërkuar një kopje.

Informata dhe ndihma e mëtejshme

Mund të keni ende shumë pyetje ose të ndjeheni se keni nevojë për më shumë mbështetje. Mos keni frikë të kërkoni ndihmë. Këtu janë disa vende për t'u adresuar:

  1. Kontaktoni qendrën tuaj lokale Beba-ks për këshilla dhe përkrahje.
  2. Ndani tregimin tuaj me komunitetin online  dhe lexoni përvojat e të tjerëve.
  3. Vizitoni uebfaqet në vijim (fatkeqësisht janë vetëm në gjuhën angleze ) për më shumë informata.

Vdekja në muajin e parë pas lindjes

Materiali në këtë faqe është marrë nga “March of Dimes” (përshtatur për Kosovë)

Materiali në këtë faqe është marrë nga “March of Dimes” (përshtatur për Kosovë)

PIKAT KYÇE

  • Shkaqet më të shpeshta të vdekjes neonatale (pas lindjes) janë: lindja e parakohshme, pesha e ulët e të porsalindurve dhe defektet gjatë lindjes.
  • Kryerja e një autopsie do t’ju ndihmonte të gjeni shkakun e vdekjës së foshnjës suaj. Bisedoni  me spitalin nëse duhet të kryhet ose jo autopsia në foshnjën tuaj.
  • Mjeku juaj mund t’ju ndihmojë lidhur me shkaqet e vdekjes së foshnjës tuaj dhe nëse mund t’ju paraqiten probleme të ngjashme edhe gjatë shtatzënësive të tjera.
  • Marrja e këshillave dhe mbështetjes mund t’ju ndihmojë që të përballoni vdekjen e foshnjës tuaj.

Çfarë nënkupton vdekja neonatale (pas lindjes)?

Vdekja neonatale është kur foshnja vdes në 28 ditët e para të jetës. Nëse foshnja juaj vdes kaq shpejt pas lindjes, ju me siguri do të shtroni shumë pyetje se si dhe pse ka ndodhur kjo. Mjeku i foshnjës tuaj mund t’ju ndihmojë për të mësuar sa më shumë lidhur me vdekjen e foshnjës tuaj.

Vdekja neonatale në Kosovë, gjatë secilit vit, ndodh në XX raste për 1,000 foshnje.

Bisedimi lidhur me ndjenjat e tua mund t’ju ndihmojë në tejkalimin e pikëllimit që ndjeni me vdekjen e foshnjës tuaj. Mërzia përfshin të gjitha ndjenjat që i keni kur një i dashur i juaj vdes. Vizitoni komunitetin tonë online, ku familjet të cilat kanë humbur foshnjat e tyre kanë mundësinë të flasin me njëra-tjetrën dhe të ngushëllojnë njëra-tjetrën. Ndarja e tregimit për foshnjën tuaj mund t’ua lehtësojë dhimbjen dhe t’ju ndihmojë ta kaloni atë.

Cilat janë shkaqet e zakonshme të vdekjes neonatale?

Shkaqet më të zakonshme të vdekjes neonatale janë:

  • Lindja para kohe. Kjo është kur foshnja lindë shumë më herët, para 37 javëve të shtatzënisë. Foshnjat e lindura më herët mund të kenë më shumë probleme shëndetësore se sa foshnjat e lindura me kohë.
  • Pesha e ulët e të porsalindurve. Kjo është kur pesha e foshnjës së porsalindur  është më e ulët se 2.5 kg.  Foshnjat të cilat lindin shumë të vogla mund të kenë më shumë probleme shëndetësore sesa foshnjat të cilat lindin me peshë normale.
  • Defektet gjatë lindjes. Defektet gjatë lindjes janë gjendje shëndetësore të cilat janë të pranishme gjatë lindjes. Defektet gjatë lindjes ndryshojnë formën apo funksionin e një apo me shumë pjesëve të trupit. Ato mund të shkaktojnë probleme në gjendjen e përgjithshme shëndetësore, se si zhvillohet trupi ose se si funksionon trupi.

Lindja e parakohshme dhe pesha e ulët gjatë lindjes shkaktojnë rreth 1 nga 4 vdekjet neonatale (25%). Defektet gjatë lindjes shkaktojnë rreth 1 nga 5 vdekjet neonatale (20%).

Shkaqet tjera të vdekjes neonatale përfshijnë:

  • Problemet në shtatzëni, si preklampsia. Kjo është një gjendje që mund të ndodhë pas javës së 20-të të shtatzënisë ose menjëherë pas shtatzënisë. Kjo është kur një grua shtatzënë ka tension të lartë të gjakut dhe shenjat që disa prej organeve të saj, si veshkat dhe mëlçia e saj, mund të mos funksionojnë si duhet. Shenjat e preklampsisë përfshijnë paraqitjen e proteinës në urinë, ndryshimet në të pamur dhe dhimbje të mëdha të kokës.
  • Problemet me placentën, kordonin e kërthizës dhe me qeskën amniotike (qeska e ujrave). Placenta rritet në uterusin (mitrën) tuaj dhe e furnizon foshnjan me ushqim dhe oksigjen përmes kordonit kërthizor. Qeska amniotike përmban lëngun që rrethon fëmijën në barkun e nënës.
  • Infeksionet si sepsa. Sepsa është një infeksion i rëndë i gjakut.
  • Asfiksia. Kjo është kur foshnja nuk pranon mjaft oksigjen, para ose gjatë lindjes.

Pse foshnjat e parakohshme kanë më shumë gjasa për të vdekur menjëherë pas lindjes se sa foshnjat e lindura në kohë?

Disa foshnje të parakohshme mund të pësojnë komplikime të rënda, të cilat nganjëherë mund të shkaktojnë edhe vdekjen. Këto komplikime përfshijnë:

  • Sindromi i ankthit/shqetësimit respirator (i quajtur edhe si RDS). Ky është problemi i frymëmarrjës, që më së shpeshti paraqitet tek foshnjat e lindura para 34 javëve të shtatzënisë. Foshnjave me RDS iu mungon një proteinë e quajtur surfaktant, që i mbron qeskat e vogla me ajër në mushkëri nga kolapsi. Që prej vitit 2009, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) ka shpërndarë ilaçin surfaktant në spitalin e QKUK-së në Prishtinë dhe kështu janë shpëtuar përafërsisht 1.800 foshnje gjatë asaj kohe. AMC po ashtu i ka dhënë QKUK-së një sistem të furnizimit me oksigjen, i cili u ndihmon rreth 2,000 foshnjave në vit, të cilat nuk mund të marrin frymë vetë. AMC gjithashtu ka realizuar një donacion të dy aparateve respiratorike CPAP, të cilat kanë shpëtuar mbi 1.500 foshnje që nga viti 2012.
  • Hemorragjia intraventrikulare (e quajtur edhe si IVH). Kjo është gjakderdhje në tru. Shumica e gjakderdhjeve në tru janë të lehta dhe rikuperohen vetë, pa ndonjë problem afatgjatë apo me ndonjë problem të vogël. Gjakderdhjet më të rënda mund të shkaktojnë probleme serioze për foshnjat.
  • Enterokolitis nekrotizues (i quajtur edhe si NEC). Ky është një problem i foshnjave me zorrët. Mund të shkaktojë probleme në të ushqyer, bark të fryrë dhe diarre. Kjo nganjëherë ndodh 2 deri në 3 javë pas lindjes së parakohshme. Ky problem mund të trajtohet me barëra, e ndonjëherë edhe me anë të intervenimit kirurgjik. Por, në raste më të rënda, mund të shkaktojë edhe vdekjen.
  • Infeksionet. Foshnjat e lindura para kohe shpesh kanë probleme me luftimin e mikrobeve, sepse sistemi i tyre imunitar nuk është i formuar plotësisht. Infeksionet që mund të shkaktojnë vdekjen e foshnjeve të parakohshme përfshijnë pneumoninë (infeksioni i mushkërive), sepsat (infeksioni i gjakut) dhe meningjitin (infeksion në lëngun rreth trurit dhe palcës kurrizore).

Cilat të meta/defekte të lindjes më së shpeshti shkaktojnë vdekjet neonatale?

Defektet më të zakonshme të lindjes që shkaktojnë vdekjen neonatale përfshijnë:

  • Defektet e zemrës. Shumica e foshnjave me defekte në zemër mbijetojnë dhe shërohen falë trajtimeve mjekësore dhe intervenimeve kirurgjike. Por foshnjat me defekte të rënda të zemrës nuk mund të mbijetojnë aq gjatë sa për të marrë këtë trajtim ose ato nuk mund të mbijetojnë pas trajtimit.
  • Defektet e mushkërive. Një foshnje mund të lindë me probleme në njërën ose në të dyja mushkëritë, të cilat nuk janë zhvilluar plotësisht. Defektet e mushkërive mund të ndodhin kur mushkëritë nuk zhvillohen si duhet për shkak të defekteve të tjera të lindjes apo problemeve të shtatzënisë (si lëngu jo i mjaftueshëm amniotik). Foshnjat e parakohshme mund të kenë probleme të mushkërive që shkaktojnë vdekjen neonatale.
  • Problemet gjenetike. Gjenet janë pjesë e qelizave në trupin tuaj. Ato i ruajnë udhëzimet për mënyrën se si trupi juaj rritet, duket dhe funksionon. Problemet gjenetike shkaktohen kur një gjen ndryshon nga forma e tij e rregullt. Gjeni mund të ndryshoje vetvetiu ose gjeni i ndryshuar mund të transmetohet nga prindërit tek fëmijët.
  • Problemet e trurit. Vdekja neonatale mund të shkaktohet nga problemet në tru, siç është anencefalia. Kjo është një gjendje që quhet defekt i gypit nervor (i quajtur edhe DTN) ku mungon shumica e trurit dhe e kafkës së foshnjës. Foshnjat me anencefali mund të lindin të vdekura (kur një foshnje vdes në mitrën e nënës, pas 20 javëve të shtatzënisë) ose vdesin në ditët e para të jetës. Nëse keni pasur një foshnje me anencefali, bisedoni me mjekun tuaj për të marrë acid folik për të ndihmuar në parandalimin e DTN-së gjatë shtatzënisë tuaj të ardhshme. 

Mjeku juaj mund të bëjë testet e paralindjes (testet mjekësore që ju i bëni gjatë shtatzënisë) për të kontrolluar foshnjën tuaj për defektet e lindjes para lindjes. Këto teste përfshijnë:

  • Amniocenteza (e quajtur edhe si amnio). Në këtë test, mjeku juaj merr ca lëng amniotik nga mitra përreth foshnjës tuaj. Testi mjekësor për kontrollim të defekteve të lindjes dhe problemeve gjenetike në fëmijën tuaj. Ju mund ta bëni këtë test gjatë 15 deri 20 javëve të shtatzënisë.
  • Marrja e mostrave me korionik villus (e quajtur edhe si CVS). Ky test kontrollon indet nga placenta për të parë nëse foshnja juaj ka ndonjë problem gjenetik, siç është Sindromi Daun. Ju mund ta bëni testin CVS prej javës së 10-të deri në javën e 12-të të shtatzënisë.
  • Ultrazëri. Ky test përdor valët e zërit dhe një ekran kompjuteri për të paraqitur imazhin e foshnjës në barkun e nënës. Kjo mund të ndihmojë në gjetjën e defekteve të lindjes si spina bifida, anencefalia dhe defektet e zemrës.

Informata të mëtejshme dhe ndihma

Ju me siguri mund të keni edhe shumë pyetje të tjera ose ndjeheni se keni nevojë për më shumë mbështetje. Mos keni frikë të kërkoni ndihmë. Më poshtë janë dhënë disa vende ku mund ta kërkoni atë:

  1. Kontaktoni qendrën tuaj lokale Beba-ks për këshilla dhe mbështetje.
  2. Ndani tregimin tuaj në komunitetin online dhe lexoni përvojat e të tjerëve.
  3. Vizitoni uebfaqet e mëposhtme (fatkeqësisht janë vetëm në gjuhen angleze) për më shumë informata

Përballimi i pikëllimit

Materiali në këtë faqe është marrë nga “March of Dimes” (përshtatur për Kosovë)

Vdekja e foshnjës është një nga gjërat më të dhimbshme që mund t’i ndodhë një familjeje. Është shumë e padrejtë kjo. Foshnjat nuk do të duhej të vdisnin. Ato janë fillimi i jetës, jo fundi.

Foshnja mund të ketë vdekur në mitrën tuaj, ose në fillim apo më vonë gjatë shtatzënisë tuaj. Apo, foshnja juaj mund të ketë vdekur gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes. Në këtë rast, ju kaploheni nga dhimbja. Dijeni se nuk jeni vetëm në pikëllimin tuaj. Ne ndjejmë keqardhje për humbjen tuaj. Ne shpresojmë të mund t’ju ndihmojmë për të përballuar vdekjen e foshnjës tuaj duke i lexuar këta artikuj.

Informatat e dhëna këtu mund t’ju ndihmojë juve dhe familjen tuaj që të kuptoni dhimbjen dhe ndjenjat tuaja, si dhe të mësoni se si të kërkoni ndihmë. Këtu jepen sugjerime se si të silleni me familjen dhe miqtë gjersa jeni në zi dhe se si t'u ndihmoni fëmijëve tuaj të tjerë që të kuptojnë humbjën në familjen tuaj.

Ne gjithashtu e ofrojmë një udhëzues për prindërit që kanë përjetuar humbje dhe për miqtë dhe familjen e dikujt që ka përjetuar një humbje të tillë.

Dhe në fund, kur të jeni gati, ka edhe sugjerime se si ju dhe familja juaj ta kujtoni foshnjën tuaj. Shpresojmë që kjo ju ndihmon ta rimerrni veten... dhe kur të jeni gati, të mendoni për të ardhmen.

Është shumë me rëndësi që të kujdeseni për veten tuaj

  • Konsumoni ushqim të shëndetshëm. Konsumoni fruta dhe perime, bukë integrale dhe pasta, mish pule dhe mish me yndyrë të ulët. Qëndroni larg konsumimit të ushqimit të thatë dhe të shpejtë, si dhe teprimit me ëmbëlsira.
  • Bëni diçka aktive çdo ditë. Beni shëtitje. Dilni jashtë në ambient për një kohë.
  • Përpiquni t’i përmbaheni orarit të rregullt. Ngrihuni dhe shkoni në shtrat në kohën tuaj të zakonshme.
  • Qëndroni larg alkoolit (birrës, verës, pijeve alkoolike) dhe kafeinës (që gjendet në kafe, çaj, pije të gazuara dhe çokollata). Këto gjëra mund të bëjnë që ju të ndiheni keq dhe e bëjnë të vështirë fjetjën. Në vend të tyre, pini ujë ose lëngje.
  • Mos pini duhan. Pirja e duhanit është e keqe për ju dhe për partnerin tuaj. Edhe pirja pasive e duhanit është e keqe (konsumimi i tymit të duhanit nga pirësit e tjerë, përkatësisht qëndrimi në ambient ku pihet duhani).
  • Mos harroni se trupit të gruas i nevojitet kohë për t'u kthyer në gjendjen normale pas shtatzënisë. Në qoftë se një grua ka qenë në shtatzëni më të gjatë, ajo mund të ketë gjakderdhje dhe gjinjtë e saj mund të kenë qumësht. Nëse ju ndodhin këto gjëra, juve apo gruas tuaj, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj.

Si mund të ndani më të tjerët ndjenjat tuaja?

  • Bisedoni me partnerin tuaj, familjen dhe miqtë në lidhje me foshnjën tuaj dhe për ndjenjat që keni për këtë humbje.
  • Bisedoni me mjekun tuaj për të parë nëse ai mund të rekomandojë ndonjë këshillues. Ndonjëherë është e dobishme nëse bisedoni me dikë tjetër përveç familjës dhe miqve tuaj.
  • Bisedoni me udhëheqësin tuaj fetar ose shpirtëror. Besimet tuaja shpirtërore mund të jenë ngushëllim për juve gjatë kësaj kohe.
  • Kontaktoni qendrën tuaj lokale Beba-ks për të aranzhuar ndonjë termin sy-më-sy me mjekun apo maminë.
  • Vizitoni komunitetin online për të ndarë tregimin tuaj, si dhe lexoni për përvojat e tjerëve; kjo mund t’ju ndihmojë të mësoni nga të tjerët që kanë përjetuar humbje të ngjashme.
  • Mendoni të organizoni një shërbim përkujtimor për të përkujtuar foshnjën tuaj.
  • Lexoni romane dhe poezi, apo dëgjoni muzikën që ju pëlqen dhe ju bën të ndjeheni mirë.
  • Shkruani mendimet dhe ndjenjat tuaja në një ditar. Ju mund të shkruani edhe letra apo poezi për foshnjën tuaj. Tregojini foshnjës tuaj se si po ndjeheni dhe se sa shumë po ju mungon.
  • Bëni një album apo kuti kujtimesh për foshnjën tuaj, me fotografi, me byzylyk të spitalit apo ndonjë batanije. Merrni ca kohë përpara se të bëni  ndonjë ndryshim.
  • Ju me siguri tanimë keni gjëra të fëmijës, si veshje, batanije dhe mobilie. Lërini ato aty ku janë, deri kur të shihni se jeni gati për t'i larguar ato.
  • Mundohuni që të mos bëni ndryshime të mëdha në jetën tuaj (të zhvendoseni në një vend të ri ose të filloni ndonjë punë të re) menjëherë pas vdekjes së foshnjës juaj. Prisni disa muaj para se të bëni ndryshime si këto. Dhuroni vetes kohë për të mbajtur zi për humbjen e fëmijës tuaj.

Ku mund të kërkoni ndihmë gjatë kohës sa jeni duke mbajtur zi?

  • Kërkoni ndihmë nga miqtë tuaj dhe familja. Tregojuni atyre saktësisht se çfarë  mund të bëjnë ata për ju. Kërkojuni atyre që t’ju ndihmojnë rreth përkujdesjes së fëmijëve, blerjes ushqimore në dyqane ushqimore, përgatitjes së ushqimit ose që thjesht të kalojnë kohë me juve.
  • Kërkoni ndihmë nga mjeku juaj apo kontaktoni qendrën tuaj lokale Beba-ks nëse mendoni se jeni në depresion. Gjithkush ndihet i mërzitur dhe pa disponim ndonjëherë. Këto ndjenja mund të jetë më të forta pas vdekjes së një fëmije. Nëse ndjenjat tuaja të mërzisë janë me të vërtetë të forta, zgjasin për një kohë të gjatë dhe ju pengojnë qe të zhvilloni jetën tuaj normale, mund të keni nevojë për trajtim për depresion. Në vijim po përmendim disa shenja të depresionit:
  • Shfaqja e mosinteresimit për aktivitetet dhe hobin tuaj të zakonshëm
  • Ndiheni të lodhur gjatë tërë kohës
  • Shtimi apo humbja e peshës
  • Probleme me gjumin apo flini shumë
  • Problemi për t’u koncentruar apo për të marrë vendime
  • Të menduarit për vetëvrasjën apo vdekjën

Marrja me të tjerët gjersa jeni duke mbajtur zi

Është vërtetë e vështirë të mendoni të merren me familjen dhe miqtë kur jeni në zi. Nganjëherë keni dëshirë që të largohen të gjithë dhe t’ju lënë të qetë. Mirëpo, vdekja e fëmijës suaj ndikon edhe në familjen dhe miqtë tuaj. Ata ju duan dhe duan t’ju ndihmojnë, por ata ndoshta kanë frikë se mos po thonë apo mos po veprojnë diçka gabueshëm. Ata mund të ndjehen të pafuqishëm për shkak se nuk janë të sigurt se si t’ju ngushëllojë dhe mbështesin. 

Në vijim janë dhënë disa këshilla për t’ju ndihmuar që të merreni me tjerët gjersa jeni në zi:

  • Tregojuni atyre se thirrjet dhe vizitat e tyre janë të rëndësishme për ju.
  • Tregojuni atyre nëse është në rregull që ata të parashtrojnë pyetje lidhur me atë që ka ndodhur.
  • Tregojuni atyre që ju e dëshironi mbështetjën e tyre, edhe pse ndoshta nuk dinë ta thënë gjënë më të mirë. Dëgjimi i fjalëve të ndershme, si “Unë thjesht nuk di çfarë të them për t'i ndryshuar gjërat për të mirë” ose “Unë dua t’ju ndihmoj, por nuk di se si”, mund të jenë ngushëlluese. Ndonjëherë njerëzit mund të thonë gjëra që nuk janë të dobishme për ju, si “Ndoshta kjo ka ndodhur për të mirë” ose “Mos u mërzitni se do të keni fëmijë të tjerë.” Përpiquni të mbani në mend se ata mundohen të bëjnë më të mirën për t'ju mbështetur juve, edhe nëse thonë diçka që ju lëndon.
  • Tregojuni atyre saktësisht se çka ju duhet. A dëshironi që dikush thjesht t’ju dëgjojë? A dëshironi që ata të kalojnë kohën me ju në shtëpi? A keni nevojë që dikush t’ju sjellë ushqim ose të pastrojë rrobat e palara? Provoni dhe tregojuni atyre gjëra të veçanta që mund të bëjnë për të treguar mbështetjën e tyre. Për shembull, ata mund të marrin fëmijët tuaj për një pasdite ose të bëjnë pazaret për ju.
  • Kërkojuni atyre që ta përmendin emrin e foshnjës tuaj dhe ta kujtojnë fëmijën tuaj. Bëjuni me dije atyre se edhe nëse mbeteni përsëri shtatzënë dhe keni fëmijë të tjerë, ju nuk do ta harroni foshnjën që ka vdekur.
  • Falënderoni ata për durimin dhe mbështetjen e tyre.

Periudha e pikëllimit zgjatë për një kohë. Disa njerëz presin nga ju që ta kufizoni dhimbjen tuaj ose ta kaloni atë në një kohë të caktuar. Ju keni kohë sado që është e nevojshme për ta përballuar humbjen tuaj. Edhe pse ju mund të ndjeheni më mirë me kalimin e kohës, ju nuk do ta harroni foshnjën tuaj.

Me kalimin e kohës, mbështetja nga familja dhe miqtë tuaj mund të pakësohet. Kjo nuk do të thotë se ata kanë harruar për foshnjën tuaj ose atyre nuk ju intereson. Ju ndoshta duhet t'u tregoni atyre se ju jeni ende të pikëlluar. Ata do t'ju mbështesin për aq kohë sa ata e dinë se ju keni nevojë.

Si mund t`u ndihmoni fëmijëve ta kuptojnë vdekjen dhe pikëllimin?

Fëmijët e të gjitha moshave brengosen. Ata mund të frikësohën, të lazdrohen apo të kërkojnë vëmendje të veçantë. Disa fëmijë mund të mendojnë se ata do të vdesin gjithashtu apo se ata janë fajtorë. Ata mund të përballen më mirë me pikëllimin, kur ata e dinë se çfarë është duke ndodhur. Këtu janë disa mënyra që t'u ndihmoni atyre ta kuptojnë vdekjen e foshnjës:

  • Bisedoni me ta për vdekjen duke përdorur fjalë të thjeshta, të sinqerta. Ju mund të thoni gjëra të tilla si: "Foshnja nuk është rritur," apo "Foshnja ka lindur shumë e vogël." Mos përdorni fjalë që mund t'i hutojnë ose trembin ata, të tilla si "Foshnja është duke fjetur," ose "Mami e ka humbur fëmijën."
  • Lexojuni atyre tregime që kanë të bëjnë me vdekjen dhe humbjen, nëse mund të gjeni.
  • Inkurajoni ata që të bëjnë pyetje. Jepuni atyre sa më shumë informata që ju duhen.
  • Jeni të vetëdijshëm për ndryshimet në sjelljen e fëmijëve tuaj. Ata mund të jenë të lënduar, të hutuar dhe të zemëruar, ashtu si ju. Fëmijët më të vegjël mund të fillojnë të jepen shumë pas prindërve apo të jenë të çuditshëm. Ata mund të veprojnë ose të bëjnë gjëra që ata nuk i kanë bërë që kur ishin më të vegjël. Fëmijët më të rritur mund të jenë të shqetësuar për shkollën, miqtë apo sportet. Ose ata mund të mos reagojnë fare për vdekjen e foshnjës. Ata gjithashtu mund të bëjnë pyetje për të cilat ju do të mendoni se janë të vrazhda apo të pakujdesshme. Këto janë reagime normale. Jeni sa më të durueshëm dhe sa më të dashur që mundeni.
  • Tregojuni atyre se ata nuk do të vdesin.
  • Tregojuni atyre se askush nuk është fajtor për vdekjen e foshnjës.
  • Kërkoni nga ata që të gjejnë mënyrat e tyre për ta kujtuar foshnjën. Fëmijët më të rritur mund të dëshirojnë të shkojnë në ceremoni përkujtimore apo në funeral. Fëmijët më të vegjël mund të vizatojnë një pikturë apo të bëjnë një kujtim të foshnjës si shenjë nga foshnja.
  • Tregojuni mësuesve të fëmijëve tuaj apo kujdestarëve të tjerë se çfarë ka ndodhur në mënyrë që ata të mund t'i mbështesin fëmijët tuaj, gjithashtu.

Udhëzues për baballarët që kanë përjetuar një humbje

Material i marrë nga First Candle

Kjo ka gjasa të jetë një nga ngjarjet më të vështira në jetën tuaj, por ju mund të ndjeheni se duhet të jeni të fortë për partnerin dhe për familjen tuaj. Shoqëria jonë është e prirë t'i vë meshkujt në një rol mbështetës kur është fjala për vdekjen e një fëmije, por edhe ju jeni të pikëlluar gjithashtu. Mënyra se si ju përballeni me pikëllimin tuaj do të jetë e rëndësishme gjatë përpjekjeve tuaja për t'u shëruar dhe për të ecur më tutje. Mënyra e pikëllimit nuk është e njëjtë tek askush. Nuk ka mënyrë të drejtë ose të gabuar për t'u pikëlluar. Merrni kohën që ju duhet për të parë se çfarë funksionon për ju. Në vijim janë sugjerimet nga baballarët e tjerë në zi që mund të jenë të dobishme për ju:

  • Përjetoni dhembjen tuaj. Gjeni një vend të qetë ku ju mund të jeni vetëm me mendimet dhe dhimbjen tuaj. Kjo do t’ju ndihmojë të vini në rend pyetjet "po sikur" dhe "pse" që jehojnë në kokën tuaj.
  • Qani. Të qarit është një reagim normal dhe i nevojshëm për pikëllimin, edhe për meshkujt. Të qarit mund t'ju bëjë të ndjeheni më mirë duke lehtësuar tensionin nga brendësia e trupit tuaj. Nëse ju nuk ndjeheni rehat të qani në prani të të tjerëve, gjeni një vend ku ju mund të jeni vetëm dhe të lironi emocionet tuaja.
  • Pranoni se kjo nuk është diçka që ju mund ta "bëni më mirë". Pikëllimi dhe shërimi i secilit do të marrë kohë dhe do të rritet e ulet në mënyra të paparashikueshme. Jeni të durueshëm me vetën dhe ata rreth jush.
  • Bisedoni për ndjenjat tuaja. Komunikoni me anëtarët e familjës tuaj apo me miqtë e besuar, tregojuni se ju duhet dikush për t'ju dëgjuar. Këtu përfshihet edhe gruaja juaj.
  • Shprehni zemërimin tuaj në mënyra pozitive. Për meshkujt, zemërimi është ndoshta reagimi më i zakonshëm emocional i vdekjës së foshnjës. Ushtrimi apo aktivitetet e tjera fizike janë zgjedhje të mira.
  • Mundohuni të mos përfshiheni më tepër se sa që duhet në sport, hobi, punë apo aktivitete sociale. Kjo vetëm do të fshehë ndjenjat tuaja. Dhuroni vetës hapësirë që të merreni me pikëllimin tuaj. Do të keni kohë të mjaftueshme për këto aktivitete, kur të keni arritur në një gjendje më të mirë të shërimit.
  • Shmangni përdorimin e alkoolit, drogës apo marrëdhëniet seksuale jashtë marrëdhënies tuaj, me qëllim për të harruar dhimbjen. Këto janë të përkohshme; ju do të ktheheni në realitet shumë shpejt.

Për më shumë këshilla dhe informata ju mund të shkarkoni broshurën e First Candle’s “Surviving Stillbirth for Fathers” këtu.

Udhëzim për miqtë ose anëtarët e familjes së dikujt që ka përjetuar humbjen e një foshnjeje

Material i marrë nga First Candle

Nëse dikush nga personat e afërt ka përjetuar vdekjen e një foshnjeje, ekzistojnë gjëra që ju mund të bëni për ta gjatë periudhës së pikëllimit dhe ballafaqimit me vdekjen e foshnjës së tyre. Neglizhenca nga miqtë dhe familja, të cilët janë të pasigurt se çfarë duhet të thonë ose të bëjnë, vetëm se e shton dhimbjen dhe izolimin e ndjerë nga prindërit të cilët janë në zi. Në vijim ju ofrojmë disa sugjerime të cilat mund t'ju ndihmojnë:

Çfarë duhet të bëhet

Çfarë nuk duhet të bëhet

  • Rrini në kontakt. Shfaqni shqetësimin dhe kujdesin tuaj të sinqertë.
  • Jeni në dispozicion për të dëgjuar, për të ndihmuar me fëmijët e tjerë, apo për çfarëdo që është e nevojshme në atë kohë. Ofroni ndihmë nga ana praktike, p.sh., me pastrimin e shtëpisë dhe vaktet ushqimore.
  • Shprehni keqardhjen tuaj për atë që i ka ndodhur foshnjës së tyre dhe për dhimbjen e tyre.
  • Lejoni që ata të shprehin sa më shumë pikëllimin që ata janë duke e ndjerë në këto momente dhe që janë të gatshëm ta shfaqin. Pranoni heshtjen; nëse familja nuk ndjehet se dëshiron të flasë, mos e nxisni bisedën. Ndiqni shembullin e tyre.
  • Inkurajoni ata që të jenë të durueshëm me vetveten, të mos presin shumë nga vetja dhe të mos imponojnë ndonjë "çka nëse" mbi vetveten.
  • Lejoni ata që të flasin për foshnjën e tyre.
  • Kushtojini rëndësi të veçantë vëllezërve dhe motrave të foshnjës së vdekur.
  • Sigurojini ata se kanë bërë gjithçka që kanë mundur, kujdesi mjekësor që kanë pasur ka qenë shumë i mirë, apo gjithçka tjetër që e dini që është e vërtetë dhe pozitive rreth kujdesit të treguar ndaj shtatzënisë apo foshnjës.
  • Inkurajoni ata që të kërkojnë ndihmë, qoftë nga ndonjë profesionist shëndetësor apo ndonjë prind tjetër që ka përjetuar këtë gjë.
  • Kujtoni familjën në datën e lindjes së foshnjës, në përvjetorin e vdekjes, në ditën e Nënës e në ditën e Babait, si dhe në raste të tjera.
  • Jeni të durueshëm me ta. Përballja me vdekjen e foshnjës së tyre mund të zgjasë një kohë të gjatë. Qëndroni në kontakt.
  • Mos lejoni që ndjenja juaj e dobësisë t'ju mbajë larg kontaktit me familjen e foshnjës së vdekur.
  • Mos e shmangni takimin me familjen për shkak se ju nuk ndjeheni mirë.
  • Mos thoni se ju e dini se si ata ndjehen (nëse ju nuk keni humbur ndonjë fëmijë, ju me siguri nuk e dini se si ata ndjehen).
  • Mos pyesni për hollësi lidhur me vdekjen e foshnjës. Në qoftë se familja ofron informata, dëgjoni me mirëkuptim.
  • Mos u tregoni atyre se çfarë duhet të bëjnë apo se si duhet të ndjehen.
  • Mos impononi pikëpamjet tuaja fetare apo shpirtërore mbi ta.
  • Mos e ndryshoni temën kur ata përmendin fëmijën e tyre të vdekur.
  • Mos thoni se ata të paktën kanë një fëmijë tjetër; ose se mund të kenë më shumë fëmijë në të ardhmën.
  • Mos e fajësoni askënd për vdekjen e foshnjës. Mos bëni komente të cilat sugjerojnë se kujdesi në shtëpi, tek ofruesi i kujdesit ndaj fëmijëve, në dhomën e urgjencës, në spital ose kudo tjetër, ishte i papërshtatshëm.
  • Mos u mundoni të gjeni diçka pozitive rreth vdekjes së foshnjës. Shmangni klishetë dhe përgjigjet e lehta.
  • Mos e shmangni përmendjën e emrit të foshnjës nga frika se u kujtoni atyre dhimbjen.
  • Mos thoni "ju tashmë duhet të ndjeheni më mirë" apo diçka tjetër që nënkupton ndonjë gjykim për ndjenjat e tyre apo përcakton pritje kohore apo limiton procesin e shërimit të tyre.

Të kujtuarit e foshnjës tuaj

Kur të jeni gati, është e rëndësishme për ju dhe familjën tuaj që ta kujtoni foshnjën tuaj në mënyra të veçanta. Edhe në qoftë se ju nuk e keni pasur rastin për ta parë, prekur apo mbajtur atë apo edhe t'i vini një emër, ka gjëra që ju mund të bëni e që ju ndihmojnë ta kujtoni foshnjën tuaj.

Mblidhni gjërat që ju kujtojnë juve foshnjën tuaj. Këto mund të jenë figurat me ultratinguj, gjurmët e këmbëve, byzylyku i spitalit, fotot, rrobat, batanijet apo lodrat. Vini ato në një kuti të veçantë ose në një album me copa të ngjitura. Bëni diçka të veçantë për të kujtuar fëmijën tuaj. Ju mund të dëshironi të:

  • Ndizni një qiri në ditë të veçanta dhe në festa.
  • Luteni.
  • Shkruani ndonjë poezi.
  • Pikturoni.
  • Mbillni një pemë apo një kopsht të vogël.
  • Bëni ndonjë bizhuteri, ndoshta me gurin e muajit të lindjës së foshnjes.
  • Dhuroni për një organizatë bamirëse apo jepni diçka për një fëmijë në nevojë i cili është i moshës në të cilën do të ishte fëmija juaj.
  • Përfshiheni në një projekt të veçantë të dedikuar për fëmijën tuaj, si p.sh., ngritja e fondeve për të ndërtuar një rrëshqitëse në një park në emër të fëmijës tuaj ose të punoni si vullnetarë për një bamirësi lokale.
  • Organizoni një ngjarje për ta nderuar foshnjën tuaj. Ky mund të jetë një shërbim përkujtimor ose funeral. Mund të bëhet në shtëpinë tuaj ose në vendin tuaj të adhurimit. Mund të jetë me vetëm disa persona apo me të gjithë miqtë dhe familjën. Kjo ngjarje mund të përfshijë varrosjën e fëmijës tuaj ose përhapjen e hirit të tij në një vend të veçantë. Një ngjarje e tillë mund t'ju japë një shans për t'i thënë lamtumirë foshnjës tuaj. Gjithashtu, një ngjarje e tillë ju jep kohë që të ndani vuajtjet e tua me familjen dhe miqtë.
  • Ndani një kohë të veçantë për ta kujtuar. Zgjidhni një datë që është kuptimplotë për ju - ditëlindjën e foshnjës suaj ose ditën që vdiq. Bëni diçka vetë ose mblidhni familjën dhe miqtë për ta kujtuar fëmijën tuaj.

 

 

:

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Category: Humbja

Ligjërata mbi temën Vështirësitë

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit