DHUNA NË FAMILJE

Dhuna në familje (e njohur edhe si dhunë apo abuzim nga partneri juaj) asnjëherë nuk është në rregull. Për fat të keq, shumë gra dhe fëmijë përjetojnë abuzimin. Gjatë shtatzënisë dhe amësisë së re, gratë janë në një gjendje veçanërisht të pambrojtur. Hulumtimet tregojnë se më shumë se 30% e dhunës në familje fillon në shtatzëni dhe abuzimi ekzistues mund të përkeqësohet gjatë shtatzënisë ose pas lindjes (NHS-UK).

Çfarë është dhuna në familje?

Dhuna në familje mund të bëhet nga kushdo, por më së shpeshti janë burrat ata që kryejnë abuzimin ndaj grave dhe fëmijëve. Megjithatë, në Kosovë nënat sikurse edhe etërit  mund të shkaktojnë dhunë (edhe pse fizikisht më të lehta) kundër fëmijëve të tyre të vegjël. 

Abuzimi mund të jetë në forma të ndryshme: fizik, seksual, emocional apo psikologjik.

Për shembull, një partner abuziv mund t’ju shkaktojë dhimbje emocionale duke ju quajtur me emra ose duke ju fajësuar vazhdimisht për diçka që nuk e keni bërë. Abuzuesi mund të përpiqet të kontrolloj sjelljen tuaj duke mos ju lejuar ta vizitoni familjen dhe miqtë tuaj ose duke ju thënë gjithmonë se çfarë duhet të bëni. Abuzimi emocional mund t'ju bëjë të ndjeheni të frikësuar ose në  depresion, të hani ushqime jo të shëndetshme, ose të fitoni zakone të këqija siç janë pirja e duhanit ose alkoolit.

Një partner abuziv mund të përpiqet të dëmtojë trupin tuaj. Ky abuzim fizik mund të përfshijë goditjen, goditjen me shuplakë, shkelmimin, ngulfatjen, shtyerjen apo edhe tërheqjen për flokësh. Ndonjëherë, abuzuesi synon ta godasë gruan shtatzënë në stomak/bark. Ky lloj i dhunës jo vetëm që mund të të dëmtojë, por gjithashtu mund të rrezikojë tejmase fëmijën tuaj të palindur.

Abuzimi seksual përfshin detyrimin që të keni marrëdhënie seksuale (akte seksuale pa pëlqimin tuaj) dhe keqtrajtimin seksual.

Si mund të dini nëse jeni në marrëdhënie abuzive?

Është e zakonshme për çiftet të fjalosën herë pas here. Por, dhuna dhe abuzimi emocional janë të ndryeshme nga konfliktet e vogla që ndodhin tek çiftet. Pyesni veten:

  • A më përul partneri im gjithmonë dhe më bën të ndihem keq për veten time?
  • A më ka shkaktuar partneri im dëm apo dhimbje në trupin tim?
  • A më kërcënon partneri im, fëmijën, fëmijët e mi të tjerë apo veten?
  • A më qorton partneri im për veprimet e tij? A më thotë se unë jam fajtor dhe për atë më ka goditur?
  • A po bëhet partneri im më i dhunshëm me kalimin e kohës?
  • A më ka premtuar partneri im se nuk do të më lëndojë më, por akoma e bën atë?

Nëse jeni përgjigjur "Po" në ndonjërën prej këtyre pyetjeve, mund të jeni në marrëdhënie jo të shëndoshë.

Burimi: March of Dimes

Sa e zakonshme është dhuna në familje në Kosovë?

Fatkeqësisht është shumë e zakonshme në Kosovë:

  • Mbi 40% e grave (dhe më pak se 10% e burrave) kanë deklaruar së kanë përjetuar dhunë në familje në vitin 2015. (Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës 2015, 'Mjaft më me arsyetime')
  • Tre në çdo pesë fëmijë nën moshën dy vjeç përjetojnë agresion psikologjik apo ndëshkim fizik në Kosovë. Shkalla është e ngjashme për fëmijët deri në moshën 14 vjeç. (Agjencia e Statistikave të Kosovës 2014, ‘Anketa Klaster me Tregues të Shumëfishtë e Kosovës 2013-2014’)

Pavarësisht se shumica e kosovarëve besojnë se dhuna në familje është një sjellje e turpshme, ajo është "normalizuar" në Kosovë, që do të thotë se është pranuar dhe/ose injorohet. Për shembull, një në tre gra (të moshës 15-49 vjet) beson se burri justifikohet në goditjen apo rrahjën e gruas së tij në të paktën një nga rrethanat e mëposhtme: (1) kur ajo del nga shtëpia pa i treguar atij, (2) kur ajo nuk kujdeset për fëmijët, (3) kur ajo fjaloset verbalisht me të, (4) kur ajo nuk pranon të ketë marrëdhënie seksuale me të, (5) kur ajo e djeg ushqimin.

Sa më e varfër dhe më pak e arsimuar që jeni në Kosovë, gjasat janë më të mëdha të mendoni se dhuna në familje është e pranueshme. Për gratë pa arsim formal, shkalla e pranimit të dhunës në familje është pothuajse 80%. (Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2014. "Anketa Klaster me Tregues të Shumëfishtë e Kosovës 2013-2014.’)

Dhuna në familje gjatë shtatzënisë

A është abuzimi i rrezikshëm për fëmijën tim të palindur?

Po, është i rrezikshëm, veçanërisht nëse goditeni në stomak. Sipas hulumtimit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhuna në familje gjatë shtatzënësisë është e lidhur me shkallën më të lartë të rrezikut të abortit (kur fëmija juaj vdes para 20 javëve të shtatzënisë), peshën e vogël të foshnjës së porsalindur (foshnjat e lindura me më pak se 2.5kg) dhe lindjës së parakohshme (foshnjat e lindura para javës së 37-të të shtatzënisë), e cila shkakton rreziqe të shumta shëndetësore afatgjata dhe afatshkurtra për fëmijën. Dhuna në familje mund t'i shkaktojë dëmtim apo edhe vdekje fëmijës suaj të palindur.

Si ndikon abuzimi tek gruaja shtatzënë?

Përveç të qenit e rrezikshme për fëmijën tuaj, dhuna në familje gjatë shtatzënisë është e rrezikshme për nënën. Përveç lëndimeve fizike, gratë shtatzëna që i nënshtrohen përvojës së abuzimit kanë “nivele të larta të depresionit, ankthit dhe stresit, si dhe përpjekje për vetëvrasje, mungesë të lidhjes me fëmijën dhe shkallë të ulët të ushqyerjes me gji.”

“Dhuna nga partneri intim gjatë shtatzënisë është e lidhur në mënyrë të konsiderueshme me një numër të sjelljeve shëndetësore negative gjatë shtatzënisë, duke përfshirë pirjen e duhanit, abuzimin me alkool dhe substanca, si dhe vonesa në kujdesin para lindjes” (Organizata Botërore e Shëndetësisë, “Dhuna nga partneri intim gjatë shtatzënisë: dokument informues”).

Çfarë mund ta shkaktojë abuzimin gjatë shtatzënisë?

Për shumë familje, shtatzënia mund të shkaktojë ndjenja të stresit, të cilat janë normale. Por nuk është në rregull që partneri juaj të reagojë me dhunë ndaj stresit. Disa partnerë bëhen abuzivë gjatë shtatzënisë për shkak se ata ndihen të:

  • Mërzitur sepse kjo ishte një shtatzëni e paplanifikuar.
  • Stresuar duke menduar për mbështetjen financiare të fëmijës së parë apo fëmijës tjetër.
  • Xheloz për shkak se vëmendja juaj mund të zhvendoset nga partneri tek fëmija juaj i porsalindur ose në një marrëdhënie të re.

Dhuna në familje pas lindjes

Dhuna kundër grave

Nëse një grua përjeton abuzim gjatë shtatzënisë, ka të ngjarë që abuzimi të vazhdojë pas lindjes së fëmijës. Viktimat e dhunës në familje kanë më shumë gjasa të vuajnë nga ankthi, depresioni dhe depresioni pas lindjes, si dhe frika. Kjo mund t’ua vështirësojë grave që të kujdesen në mënyrë të duhur për fëmijët e tyre ose veten e tyre. Në Kosovë, 80% e grave që kanë përjetuar dhunën në familje kanë deklaruar se ato kishin probleme shëndetësore që rezultojnë drejtpërdrejt nga dhuna. (Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës 2015, 'Mjaft më me arsyetime') 

Dhuna kundër fëmijëve

Nëse një grua është subjekt i dhunës në familje, ka shumë gjasa që edhe fëmija i saj të jetë subjekt i dhunës. Sipas BabyCenter “Hulumtimet tregojnë se abuzimi i fëmijëve ndodh diku nga një e treta në më shumë se tre të katërtat e familjeve në të cilat njëri partner gjithashtu abuzohet/keqtrajtohet. Edhe në qoftë se fëmija nuk abuzohet drejtpërdrejt, studimet tregojnë se fëmijët që janë dëshmitarë të një abuzimi që një i rritur e kryen ndaj tjetrit në shtëpi janë në rrezik të bëhen vetë të dhunshëm ose të hyjnë në një marrëdhënie të dhunshme kur të rriten. Ata janë gjithashtu në rrezik të lartë për depresion dhe shumë probleme të tjera psikologjike dhe të sjelljes.” (vizitoni https://www.babycenter.com/0_domestic-violence-during-pregnancy_1356253.bc?shoëAll=true)

“Studimet kanë treguar se fëmijët e ekspozuar ndaj disiplinës së dhunshme kanë pasoja të dëmshme, të cilat përcillen nga ndikimet e menjëhershme në dëm afatgjatë që fëmijët e bartin kur të rriten. Dhuna pengon zhvillimin e fëmijëve, aftësitë e të mësuarit dhe performancën në shkollë; pengon marrëdhënien pozitive, provokon vetë-vlerësim të ulët, shqetësim emocional dhe depresion; dhe, kohë pas kohe, çon në shkaktim të rrezikut dhe vetë-dëmtim.” (Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2014. "Anketa Klaster me Tregues të Shumëfishtë e Kosovës 2013-2014”).

“Hulumtimi i RrGK për vitin 2008 ka gjetur se të anketuarit që kishin përjetuar dhunën si fëmijë, ishin më pak të prirë të kenë diplomë universitare në krahasim me ata të cilët nuk kanë përjetuar dhunë; nuk ishin të punësuar; dhe kishin të ardhura të përgjithshme më të ulëta në familje. Për më tepër, të anketuarit të cilët kishin përjetuar dhunë herët në fëmijëri ishin më të prirë të përjetojnë dhunën më vonë në jetë.” (Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës 2015, “Mjaft më me arsyetime”).

Sot, më pak kosovarë besojnë se një goditje e lehtë ndaj fëmijës është një formë e pranueshme e disiplinës, por rreth një e treta ende besojnë se është në rregull. Gratë kanë më shumë se dy herë gjasa se burrat t'u bërtasin apo t’i godasin lehtas fëmijët e tyre si një formë e disiplinës. Kjo nënvizon faktin se nuk janë vetëm burrat ata që kryejnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre. (Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës 2015, “Mjaft më me arsyetime”). Kjo mund të jetë rezultat i historisë së tyre si viktima të abuzimit dhe presioneve shtesë të amësisë pasi që ato kujdesen më së shumti dhe në mënyrë të vazhdueshme për fëmijët e vegjël. Megjithatë, burrat zakonisht shkaktojnë dhunë më serioze te fëmijët se sa gratë. 

Si mund të veproni nëse ju apo dikush që ju e njihni vuan nga dhuna në familje në Kosovë?

Nuk ka asnjë arsyetim për dhunën në familje. Asnjëherë.

Qëndrimet dhe përgjigjet ndaj dhunës në familje janë duke u përmirësuar ngadalë në Kosovë. Policia dhe gjykatat janë të trajnuara më mirë për t'u përgjigjur, ndërsa mbrojtësit e viktimave, Qendrat për Mirëqenie Sociale dhe strehimoret duket se janë duke bërë një punë më të mirë në trajtimin e këtij problemi të madh.

Çfarë duhet të bëni nëse ju ose dikush që ju e njihni është viktimë e dhunës në familje?

Nëse keni përvojë ose jeni dëshmitar të dhunës ne ju inkurajojmë të lajmëroni policinë, veçanërisht nëse është një rast urgjent. Ju gjithashtu mund të telefononi në numrin pa pagesë për ndihmë: 0800 11112. Ky mirëmbahet nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në Zyrën e Prokurorit Publik të Kosovës. Njerëzit që përgjigjen ndihmojnë viktimat e dhunës në familje apo njerëzit të cilët raportojnë çdo dhunë të tillë, duke i furnizuar ata me informata dhe numra të kontaktit.

Mbajeni në mend se në bazë të ligjeve të Kosovës “moslajmërimi për abuzimin e fëmijëve apo dhunën në familje është një vepër penale, dhe kushdo që nuk i raporton veprat penale që ndodhin brenda një bashkësie familjare mund të mbajë përgjegjësi penale.” (Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës 2015, ‘Mjaft më me arsyetime’, shih nenin 385, moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale, paragrafi 3).

Cilat janë të drejtat tuaja ligjore?

 Materiali i OSBE-së "Katalogu për këshilla dhe ndihmë viktimave të dhunës në familje"

Sipas Ligjit të Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, aktet e dhunës në familje janë përcaktuar si vepra apo lëshime të qëllimshme që i bën një person personit tjetër me të cilin është në marrëdhënie familjare. Kjo përfshin të gjithë ata/ato me të cilët ju ndani, apo keni ndarë një familje. Këto akte përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:

 a) përdorimi i forcës fizike ose presionin psikik

b) shkaktimi ose kërcënimi se do të shkaktojë dhembje fizike dhe vuajtje psikike kundër anëtarit tjetër të familjes

c) shkaktimi i ndjenjës së frikës apo cenimit të dinjitetit

d) sulmi fizik

e) ofendimi, sharja, thirrja me emra ofendues, dhe mënyra të tjera të shqetësimit të vrazhdë

f) përsëritja e vazhdueshme e sjelljeve me qëllim të përuljes së personit tjetër

g) marrëdhëniet seksuale pa pëlqim

h) kufizimi i kundërligjshëm i lirisë së lëvizjes ndaj personit tjetër

 i) dëmtimi i pronës apo kërcënimi  për të dëmtuar pronën e një anëtari tjetër të  familjes

j) vënia e personit tjetër në pozitën që ai/ajo të frikësohet për gjendjën e tij fizike, emocionale dhe ekonomike

k) hyrja apo largimi me dhunë i personit tjetër nga banesa e përbashkët me forcë dhe

l) rrëmbimi. (Ligji Nr 03 / L-182 për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, 2010, në: http: //www.assembly- kosova.org/common/docs/ligjet/2010-182-alb.pdf.

Art. 2, paragrafi 1.2.)

Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje ofron një sërë masash ligjore që synojnë mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Ligji përcakton koncepte të tilla si dhuna në familje dhe marrëdhëniet familjare dhe shpjegon cilat lloje të masave të mbrojtjës dhe të urdhërave ekzistojnë, si dhe procedurat që duhet ndjekur për t’i marrë ato.

Si ju mbron ligji  ju dhe/ose fëmijët tuaj kundër dhunës në familje?

Material i OSBE-së "Katalogu për këshilla dhe ndihmë viktimave të dhunës në familje"

Masat mbrojtëse janë masa të lëshuara nga gjykata apo policia për të mbrojtur një person i cili i është ekspozuar dhunës duke mënjanuar rrethanat të cilat mund të lejojnë kryesin për të kryer më shumë akte dhune. Përveç masave të tjera,masat e mbrojtjes mund të kufizojnë autorët të vizitojnë vendet e tyre të banimit dhe mund të ndalojnë autorët të shohin fëmijët e tyre. Këto masa janë lëshuar për kohëzgjatjen e urdhërit për mbrojtje. Pas përfundimit të masës për mbrojtje, nuk do të cënohen të drejtat pasurore ose të kujdestarisë së kryerësit të dhunës në familje.

Gjykata komunale mund të lëshojë urdhër për mbrojtje apo urdhër për mbrojtje emergjente ku parashihen një apo më shumë masa mbrojtëse. Policia e Kosovës mund të lëshojë Urdhër për Mbrojtje të Përkohshme Emergjente ku parashihen vetëm disa masa mbrojtëse.

Kërkesa për urdhër për mbrojtje mund të parashtrohet nga:

• Viktima e dhunës në familje

• Përfaqësuesi i autorizuar i viktimës

• Avokati i viktimës (me pëlqimin e palës së mbrojtur)

• Një përfaqësues i qendrës për mirëqenie sociale të komunës ku viktima ka

    vendbanimin apo vendqëndrimin, atëherë kur viktima është i/e mitur

• Një organizatë joqeveritare (OJQ) që ka njohuri për gjendjen e viktimës.

Policia e Kosovës ka përgjegjësi për të siguruar nëse kryerësi i dhunës në familje i bindet masës mbrojtëse. Shkelja e urdhërit për mbrojtje është vepër penale dhe kundërvajtësi do të dënohet me gjobë dhe me burgim.

Për të lexuar raportin e plotë të OSBE-së, “Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë Viktimave të dhunës në familje" shihni: http://www.osce.org/kosovo/88708?daunload=true

Cilat janë përgjegjësitë e policisë?

 Materiali i OSBE-së "Katalogu për këshilla dhe ndihmë viktimave të dhunës në familje"

Policia e Kosovës mban përgjegjësi për t'iu përgjigjur secilit njoftim për veprat ose kërcënimet e dhunës në familje ose çfarëdo shkeljeje të urdhërit për mbrojtje, urdhërit për mbrojtje emergjente ose urdhërit për mbrojtje të përkohshme, pavarësisht se kush e njofton atë. Policia do të hartojë një raport për incidentin pavarësisht se a është kryer vepra apo jo, a është ndaluar dikush si dhe një kopje të këtij raporti ia japin viktimës apo përfaqësuesit ligjor.

Përveç lëshimit të urdhërave të përkohshëm për mbrojtje, Policia e Kosovës është përgjegjëse për përdorimin mjeteve të arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar dhunën e vazhdueshme, si në vijim:

  • Sigurimin e linjës së posaçme telefonike për raportim të dhunës në familje
  • Sigurimin e kontaktit zyrtar për viktimën ose përfaqësuesin e saj ligjor me nëpunësin hetues të policisë në rast se viktima kërkon ndihmë të mëtejshme; Nëse mungon nëpunësi hetues, atëherë ndonjë nëpunës tjetër duhet t’i ndihmojë viktimës
  • Informimin e viktimës, përfaqësuesit ligjor ose mbrojtësit të viktimës për të drejtat e viktimës në përputhje me ligjin për mbrojtje nga dhuna, por edhe me të drejtën për të kërkuar urdhrin për mbrojtje të përkohshme
  • Informimin e viktimës lidhur me shërbimet e ndihmës ligjore, psikologjike dhe ndihmave të tjera në dispozicion nga institucionet qeveritare si dhe prej rrjetit të autorizuar të organizatave joqeveritare
  • Informimin e ofruesve përkatës të shërbimeve lidhur me rastin e dhunës në familje dhe mundësimin e kontaktit me viktimën, me kërkesën e viktimës
  • Sigurimin e transportit për viktimën, e sipas nevojës edhe të vartësve të saj

    • Në objektin e duhur mjekësor për trajtim ose kontrollim mjekësor
  • • Vendstrehim apo vendqëndrim tjetër të përshtatshëm dhe të sigurt me kërkesën e viktimës;
     
  • Sigurimin e mbrojtjes për atë që ka lajmëruar dhunën në përputhje me obligimet përkatëse ligjore lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve;
  • Largimin e kryesit të veprës nga banesa ku e ka vendbanimin ose vendqëndrimin viktima apo ndonjë pjesë të saj (në rast të masës së mbrojtjes së largimit nga banesa, shtëpia apo ambiente të tjera të banimit).

Përveç kësaj, policia duhet menjëherë të raportojë për incidentin në Qendër për Mirëqenie Sociale të komunës ku personi ka vendbanimin apo vendqëndrimin në rastet kur:

• Viktima është e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç ose nuk ka zotësi të veprimit

• Veprat e dhunës në familje janë aq të rënda sa që ndikojnë në qetësinë a sigurinë e personit të moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç ose të personit që nuk ka aftësi të plotë të veprimit dhe i cili jeton në banesën e njëjtë me kryesin e veprës.

Çfarë është strehimorja dhe cilat janë shërbimet e saj?

Materiali i OSBE-së "Katalogu për këshilla dhe ndihmë viktimave të dhunës në familje"

Strehimorja është një vend i sigurtë ku viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët e tyre mund të qëndrojnë përkohësisht dhe e cila ofron mbrojtje dhe shërbime të tjera. Aktualisht ekzistojnë strehimore në Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren që strehojnë viktima të komuniteteve nga e tërë Kosova.

Viktimat mund të qëndrojnë për gjashtë muaj në strehimore. Kjo periudhë mund të vazhdohet në marrëveshje me Ministrinë e Punës dhe Mirëqeniës Sociale.

Përveç shërbimeve të tjera, strehimoret  zakonisht u ofrojnë viktimave strehim, ushqim, veshmbathje, këshilla (këshilla psiko-sociale dhe ligjore), mbështetje mjekësore, aftësim profesional (gjuhë, kompjuter, internet, lexim dhe shkrim, qepje, gatim, parukeri, rrobaqepësi), edukim shëndetësor, shërbime për kërkim të punës, si dhe aktivitete për fëmijët (muzikë, vizatim, vallëzim). Strehimoret patrullohen nga policia dhe kanë marrëveshje të ndryshme të tjera të sigurisë.

Disa strehimore gjithashtu kontribojnë në parandalimin e dhunës në familje, duke organizuar aktivitete për vetëdijesim dhe vizita informuese në terren në zonat rurale. Përveç kësaj, disa strehimore janë të përfshira në monitorimin dhe avokimin e një kornize ligjore dhe të politikave në Kosovë e cila është e financuar plotësisht dhe e cila ofron mbrojtje për viktimat e dhunës në familje. Disa të tjera kryejnë vizita të rregullta te viktimat, pra pasi që ato të kthehen në familjet e tyre, ose të bëhen të pavarura.

Si mund ta ndihmoj një mik apo anëtar i familjes i cili është viktimë e dhunës në familje?

• Bisedoni me personin abuzues dhe pyetni se si ju mund të ndihmoni. Nëse janë mjaft të vjetër, inkurajoni ata për mbështetje dhe këshillim. Përkujtoni ata se nuk është faji i tyre. Askush nuk meriton të abuzohet.

• Mos gjykoni dhe mos i tregoni viktimës çfarë të bëjë. Dëgjoni dhe besoni atë që thonë ata. Keni durim.

• Shpesh, viktimat e dhunës në familje janë të izoluar dhe pa mbështetje. Ndihmoni që të krijojnë ose mbajnë kontaktet e tyre me jashtë.

• Ndihmoni atë dhe fëmijët e saj për të qenë të sigurt. Flisni me të lidhur me mënyrat që ajo mund ta arrijë këtë dhe inkurajoni atë që të mendojë për veten.

• Telefononi linjën falas për ndihmë, 0800 11112, për të marrë më shumë informata në lidhje me atë se çfarë mund të bëhet. Kjo mund të jetë më e sigurt se sa përpjekja për të ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë, e cila mund të jetë e rrezikshme si për ju ashtu edhe për viktimën. Nëse jeni të shqetësuar për pasojat, atëherë pas telefonimit të tillë, shlyeni atë numër telefoni.

Për më shumë informata

  • Thirrni numrin falas të linjës ndihmëse: 0800 11112, linja funksionon në kuadër të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave pranë zyrës së Kryeprokurorit publik të Kosovës. 
  • Ju do të gjeni adresën, email'in dhe numrin e telefonit të të gjitha institucioneve publike (si të Zyrtarëve për Ndihmë), strehimoreve dhe OJQ-ve që merren me çështjet e dhunës në familje në çdo komunë të Kosovës në faqet 24-54 në katalogun e OSBE-së “Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë Viktimave të dhunës në familje”.
  • Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës ka qenë në krye të shërbimeve, mbrojtjes dhe promovimit të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë qysh prej vitit 1996. Mund të lexoni raportin e tyre, “Mjaft më me arsyetime”.

 

Category: Vështirësitë

Ligjërata mbi temën Vështirësitë

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit