Foshnja ime ka vdekur. Si do ta përballoj këtë?

FOSHNJA IME KA VDEKUR. SI DO TA PËRBALLOJ KËTË?

Material i ofruar me mirësjellje nga March of Dimes (i përshtatur për Kosovën)

Vdekja e një foshnjeje është një nga gjërat më të dhimbshme që mund të ndodhë në një familje. Kjo nuk është e drejtë. Foshnjat nuk supozohet të vdesin. Ato përfaqësojnë fillimin e jetës, jo fundin.

Foshnja juaj mund të ketë vdekur në mitrën tuaj, në fillim ose më vonë gjatë shtatzënisë tuaj. Ose fëmija juaj mund të ketë vdekur gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes. Ju mund të jeni tronditur nga ndjenjat tuaja. Por duhet ta dini se ju nuk jeni vetëm në këtë periudhë të pikëllimit. Ne ndihemi shumë keq për humbjen tuaj. Ne shpresojmë se mund t’ju ndihmojmë që ta përballoni vdekjen e fëmijës tuaj duke lexuar këta artikuj.

Informatat që gjenden këtu mund t'ju ndihmojnë ju dhe familjen tuaj ta kuptoni pikëllimin dhe ndjenjat tuaja dhe të mësoni se si të kërkoni ndihmë. Këto japin sugjerime për t'u ballafaquar me familjen dhe miqtë, përderisa ju jeni të pikëlluar dhe për mënyrën se si të ndihmoni fëmijët tuaj të tjerë të kuptojnë humbjen e familjes tuaj.

Ne gjithashtu ofrojmë një udhëzues për baballarët që kanë përjetuar humbje dhe për miqtë dhe familjen e dikujt që ka përjetuar humbje.

Dhe në fund, kur të jeni gati, janë sugjerimet se si ju dhe familja juaj mund ta mbani mend fëmijën tuaj. Ne shpresojmë që kjo ju ndihmon të shëroheni... dhe kur ju jeni gati, të mendoni për të ardhmën.

Është e rëndësishme që të kujdeseni për vetën

  • Hani ushqim të shëndetshëm. Hani fruta dhe perime, bukë dhe pasta të bëra nga gruri, dhe pulë dhe mish me sasi të vogël yndyre. Qëndroni larg nga ushqimi i pashëndetshëm, ushqimi i shpejtë dhe ëmbëlsirat e shumta.
  • Bëni diçka aktive çdo ditë. Bëni shëtitje. Dilni jashtë për një kohë.
  • Mundohuni që t'i përmbaheni rutinës suaj të rregullt. Zgjohuni dhe shkoni në shtrat në kohën e zakonshme.
  • Qëndroni larg alkoolit (birrës, verës, koktejeve të bëra me verë dhe pijeve alkoolike) dhe kafeinës (në kafe, çaj, sodë dhe çokollatë). Këto mund t'ju bëjnë që të ndiheni keq dhe të flini vështirë. Në vend të këtyre, pini ujë ose lëng.
  • Mos pini duhan. Pirja e duhanit është e keqe për ju dhe partnerin tuaj. Gjithashtu, edhe pirja pasive e duhanit (tymi nga cigaret e dikujt tjetër) është e dëmshme.
  • Mos harroni se pas shtatzënisë, trupit të femrës i duhet kohë për t'u kthyer përsëri në gjendjën normale. Nëse foshnja ka vdekur vonë gjatë shtatzënisë, femra mund të ketë gjakderdhje, dhe gjinjtë e saj mund të kenë qumësht. Në qoftë se këto gjëra janë duke ju ndodhur juve apo gruas tuaj, konsultohuni me mjekun tuaj.

Si t'i shprehni ndjenjat tuaja?

  • Bisedoni për foshnjën dhe ndjenjat tuaja, për humbjen tuaj me partnerin tuaj, familjën dhe miqtë.
  • Bisedoni me mjekun tuaj për të parë nëse ata mund t'ju rekomandojnë ndonjë këshillues. Ndonjëherë është e dobishme të bisedoni me dikë tjetër përveç familjes dhe miqve tuaj.
  • Bisedoni me udhëheqësin tuaj fetar ose shpirtëror. Besimet tuaja shpirtërore mund të jenë një ngushëllim për ju gjatë kësaj kohe.
  • Kontaktoni qendrën tuaj lokale të Beba-ks për të caktuar një takim konfidencial, sy më sy vetëm me një mjek ose mami.
  • Vizitoni komunitetin tonë online për të ndarë historinë tuaj dhe për të lexuar lidhur me përvojën e të tjerëve; kjo gjë mund t'ju ndihmojë të mësoni nga të tjerët të cilët gjithashtu kanë përjetuar humbje.
  • Mendoni për ta bërë një ceremoni përkujtimore në mënyrë që ta kujtoni foshnjën tuaj.
  • Lexoni libra dhe poezi ose dëgjoni muzikë që ju pëlqen dhe ju duket inkurajuese.
  • Shkruani mendimet dhe ndjenjat tuaja në një ditar. Ju gjithashtu mund të shkruani letra apo poezi për foshnjën tuaj. Tregojini foshnjës tuaj se si ndjeheni dhe sa shumë ju mungon.
  • Bëni një album ose një kuti kujtimesh si shenjë e një kujtimi të dashur të foshnjës tuaj, ku mund të mbani fotografitë, byzylykun e spitalit apo batanijen. Mos u ngutni për të bërë ndryshime.
  • Tashmë, ju mund të keni gjëra të foshnjës, siç janë rrobat, batanijet dhe mobilet. Lërini ato në vendin ku janë deri sa të ndjeheni të gatshëm t'i largoni ato.
  • Mundohuni të mos bëni ndryshime të mëdha në jetën tuaj (p.sh., të shpërnguleni në ndonjë vend tjetër apo të ndërroni punën) menjëherë pas vdekjes së foshnjës tuaj. Prisni disa muaj para se të bëni ndryshime të tilla. Jepini vetes kohë për të mbajtur zi për humbjën e foshnjës tuaj.

Ku mund të ngushëlloheni gjatë kohës që mbani zi?

  • Kërkoni ndihmë nga miqtë dhe familja juaj. Tregojuni atyre saktësisht se çfarë mund të bëjnë për ju. Kërkoni nga ata që t'ju ndihmojnë me kujdesin e fëmijëve, të shkojnë për të blerë ushqim, të përgatisin ushqim apo vetëm të kalojnë kohë me ju.
  • Kërkoni nga mjeku juaj ose kontaktoni qendrën tuaj lokale të Beba-ks për ndihmë, nëse ju mendoni se jeni në depresion. Gjithkush ndihet i trishtuar dhe i pikëlluar ndonjëherë. Këto ndjenja mund të jenë më të shprehura pas vdekjes së një foshnjeje. Nëse ndjenjat tuaja të trishtimit janë me të vërtet të forta, zgjasin për një kohë të gjatë dhe nuk ju lejojnë ta vazhdoni jetën tuaj normale, ju mund të keni nevojë për trajtim për depresion. Këtu janë disa shenja të depresionit:
  • Të pasurit pak interesim për hobitë apo aktivitetet e zakonshme
  • Ndjenja e lodhjes gjatë tërë kohës
  • Shtimi apo humbja e peshës
  • Problemet për të fjetur apo gjumi i tepërt
  • Problemet për t’u përqendruar apo për të marrë vendime
  • Të menduarit për vetëvrasje apo vdekje

Ballafaqimi me të tjerët gjatë kohës që mbani zi

Është vërtet e vështirë të mendoni për t'u ballafaquar me familjen dhe miqtë, kur ju jeni duke mbajtur zi. 

Ju mund të dëshironi që njerëzit të largohen dhe t'ju lënë vetëm. Por vdekja e foshnjës suaj ndikon në familjen dhe miqtë tuaj, gjithashtu. Ata ju duan dhe dëshirojnë të ndihmojnë, por kanë frikë se mos bëjnë apo thonë diçka të gabuar. Ata mund të ndjehen të paaftë për shkak se ata nuk janë të sigurt se si t'ju ngushëllojnë dhe t'ju mbështesin juve. 

Këtu janë disa këshilla për t'ju ndihmuar të ballafaqoheni me të tjerët gjatë kohës që mbani zi:

  • Tregojuni atyre se thirrjet dhe vizitat e tyre janë me rëndësi për ju.
  • Tregojuni atyre nëse është në rregull apo jo që ata të bëjnë pyetje lidhur me çfarë ka ndodhur.
  • Tregojuni atyre që ju keni nevojë për mbështetjen e tyre, edhe nëse ata nuk dinë gjënë më të mirë për të thënë. Të dëgjuarit e fjalëve të sinqerta si "Unë thjesht nuk di çfarë të them për t'ju bërë të ndjeheni më mirë", ose "Unë dua t'ju ndihmoj, por nuk e di se si", mund të jetë ngushëlluese. Ndonjëherë njerëzit mund të thonë gjëra që nuk ju ngushëllojnë juve, si p.sh. "Kjo ndodhi për të mirë." Ose "Ju mund të keni një tjetër fëmijë." Mundohuni të mbani mend se ata janë duke bërë më të mirën e tyre për t'ju mbështetur juve, edhe në qoftë se çfarë thonë ata ju lëndon.
  • Tregojuni atyre saktësisht se për çfarë keni nevojë. A keni nevojë për dikë që t'ju dëgjojë? A keni nevojë që ata të qëndrojnë me ju në shtëpi? A keni nevojë për dikë që t'ju sjellë ushqimin apo të pastrojë rrobat tuaja? Provoni dhe tregojuni atyre gjëra të veçanta që mund të bëjnë për ta treguar mbështetjen e tyre. Për shembull, ata mund të marrin fëmijët tuaj një pasdite ose të shkojnë për të blerë ushqim.
  • Kërkoni nga ata që ta përdorin emrin e foshnjës tuaj dhe ta kujtojnë atë. Tregojini se, edhe pse do të mbeteni shtatzënë dhe të keni fëmijë tjetër përsëri, ju prapë nuk do ta harroni foshnjën që ka vdekur.
  • Falënderojini ata për durimin dhe mbështetjen e tyre.

Periudha e pikëllimit zgjat për një kohë. Disa njerëz presin nga ju që ta kufizoni dhimbjen tuaj ose ta kaloni atë në një kohë të caktuar. Ju keni kohë sado që është e nevojshme për ta përballuar humbjen tuaj. Edhe pse ju mund të ndjeheni më mirë me kalimin e kohës, ju nuk do ta harroni foshnjën tuaj.

Me kalimin e kohës, mbështetja nga familja dhe miqtë tuaj mund të pakësohet. Kjo nuk do të thotë se ata kanë harruar për foshnjën tuaj ose atyre nuk ju intereson. Ju ndoshta duhet t'u tregoni atyre se ju jeni ende të pikëlluar. Ata do t'ju mbështesin për aq kohë sa ata e dinë se ju keni nevojë.

Si mund t`u ndihmoni fëmijëve ta kuptojnë vdekjen dhe pikëllimin?

Fëmijët e të gjitha moshave brengosen. Ata mund të frikësohen, të lazdrohen apo të kërkojnë vëmendje të veçantë. Disa fëmijë mund të mendojnë se ata do të vdesin gjithashtu apo se ata janë fajtorë. Ata mund të përballen më mirë me pikëllimin, kur ata e dinë se çfarë është duke ndodhur. Këtu janë disa mënyra që t'u ndihmoni atyre ta kuptojnë vdekjen e foshnjës:

  • Bisedoni me ta për vdekjen duke përdorur fjalë të thjeshta, të sinqerta. Ju mund të thoni gjëra të tilla si: "Foshnja nuk është rritur," apo "Foshnja ka lindur shumë e vogël." Mos përdorni fjalë që mund t'i hutojnë ose trembin ata, të tilla si "Foshnja është duke fjetur," ose "Mami e ka humbur fëmijën."
  • Lexojuni atyre tregime që kanë të bëjnë me vdekjen dhe humbjen, nëse mund të gjeni.
  • Inkurajoni ata që të bëjnë pyetje. Jepuni atyre sa më shumë informata që u duhen.
  • Jini të vetëdijshëm për ndryshimet në sjelljën e fëmijëve tuaj. Ata mund të jenë të lënduar, të hutuar dhe të zemëruar, ashtu si ju. Fëmijët më të vegjël mund të fillojnë të jepen shumë pas prindërve apo të jenë të çuditshëm. Ata mund të veprojnë ose të bëjnë gjëra që ata nuk i kanë bërë që kur ishin më të vegjël. Fëmijët më të rritur mund të jenë të shqetësuar për shkollën, miqtë apo sportet. Ose ata mund të mos reagojnë fare për vdekjen e foshnjës. Ata gjithashtu mund të bëjnë pyetje për të cilat ju do të mendoni se janë të vrazhda apo të pakujdesshme. Këto janë reagime normale. Jini sa më të durueshëm dhe sa më të dashur që mundeni.
  • Tregojuni atyre se ata nuk do të vdesin.
  • Tregojuni atyre se askush nuk është fajtor për vdekjen e foshnjës.
  • Kërkoni nga ata që të gjejnë mënyrat e tyre për ta kujtuar foshnjën. Fëmijët më të rritur mund të dëshirojnë të shkojnë në ceremoni përkujtimore apo në funeral. Fëmijët më të vegjël mund të vizatojnë një pikturë apo të bëjnë një kujtim të foshnjës si shenjë nga foshnja.
  • Tregojuni mësuesve të fëmijëve tuaj apo kujdestarëve të tjerë se çfarë ka ndodhur në mënyrë që ata të mund t'i mbështesin fëmijët tuaj, gjithashtu.

Udhëzues për baballarët që kanë përjetuar një humbje

Material i ofruar me mirësjellje nga First Candle

Kjo ka gjasa të jetë një nga ngjarjet më të vështira në jetën tuaj, por ju mund të ndjeheni se duhet të jeni të fortë për partnerin dhe për familjen tuaj. Shoqëria jonë është e prirur t'i vë meshkujt në një rol mbështetës kur është fjala për vdekjen e një fëmije, por edhe ju jeni të pikëlluar gjithashtu. Mënyra se si ju përballeni me pikëllimin tuaj do të jetë e rëndësishme gjatë përpjekjeve tuaja për t'u shëruar dhe për të ecur më tutje. Mënyra e pikëllimit nuk është e njëjtë tek askush. Nuk ka mënyrë të drejtë ose të gabuar për t'u pikëlluar. Merrni kohën që ju duhet për të parë se çfarë funksionon për ju. Në vijim janë sugjerimet nga baballarët e tjerë në zi që mund të jenë të dobishme për ju:

  • Përjetoni dhembjen tuaj. Gjeni një vend të qetë ku ju mund të jeni vetëm me mendimet dhe dhimbjën tuaj. Kjo do t’ju ndihmojë të vini në rend pyetjet "po sikur" dhe "pse" që jehojnë në kokën tuaj.
  • Qani. Të qarit është një reagim normal dhe i nevojshëm për pikëllimin, edhe për meshkujt. Të qarit mund t'ju bëjë të ndjeheni më mirë duke lehtësuar tensionin nga brendësia e trupit tuaj. Nëse ju nuk ndjeheni rehat të qani në prani të të tjerëve, gjeni një vend ku ju mund të jeni vetëm dhe të lironi emocionet tuaja.
  • Pranoni se kjo nuk është diçka që ju mund ta "bëni më mirë". Pikëllimi dhe shërimi i secilit do të marrë kohë dhe do të rritet e ulet në mënyra të paparashikueshme. Jini të durueshëm me veten dhe ata rreth jush.
  • Bisedoni për ndjenjat tuaja. Komunikoni me anëtarët e familjes tuaj apo me miqtë e besuar, tregojuni se ju duhet dikush për t'ju dëgjuar. Këtu përfshihet edhe gruaja juaj.
  • Shprehni zemërimin tuaj në mënyra pozitive. Për meshkujt, zemërimi është ndoshta reagimi më i zakonshëm emocional i vdekjës së foshnjës. Ushtrimi apo aktivitetet e tjera fizike janë zgjedhje të mira.
  • Mundohuni të mos përfshiheni më tepër se sa që duhet në sport, hobi, punë apo aktivitete sociale. Kjo vetëm do të fshehë ndjenjat tuaja. Jepini vetes hapësirë që të merreni me pikëllimin tuaj. Do të keni kohë të mjaftueshme për këto aktivitete, kur të keni arritur në një gjendje më të mirë të shërimit.
  • Shmangni përdorimin e alkoolit, drogës apo marrëdhëniet seksuale jashtë marrëdhënies suaj, me qëllim për të harruar dhimbjen. Këto janë të përkohshme; ju do të ktheheni në realitet shumë shpejt.

Për më shumë këshilla dhe informata ju mund të shkarkoni broshurën e First Candle’s “Surviving Stillbirth for Fathers” këtu.

Udhëzim për miqtë ose anëtarët e familjes së dikujt që ka përjetuar humbjen e një foshnjeje

Material i ofruar me mirësjellje nga First Candle

Nëse dikush nga personat e afërt ka përjetuar vdekjen e një foshnjeje, ekzistojnë gjëra që ju mund të bëni për ta gjatë periudhës së pikëllimit dhe ballafaqimit me vdekjën e foshnjës së tyre. Neglizhenca nga miqtë dhe familja, të cilët janë të pasigurt se çfarë duhet të thonë ose të bëjnë, vetëm se e shton dhimbjen dhe izolimin e ndjerë nga prindërit të cilët janë në zi. Në vijim ju ofrojmë disa sugjerime të cilat mund t'ju ndihmojnë:

Çfarë duhet të bëhet

Çfarë nuk duhet të bëhet

  • Rrini në kontakt. Shfaqni shqetësimin dhe kujdesin tuaj të sinqertë.
  • Jini në dispozicion për të dëgjuar, për të ndihmuar me fëmijët e tjerë, apo për çfarëdo që është e nevojshme në atë kohë. Ofroni ndihmë nga ana praktike, p.sh., me pastrimin e shtëpisë dhe vaktet ushqimore.
  • Shprehni keqardhjen tuaj për atë që i ka ndodhur foshnjës së tyre dhe për dhimbjen e tyre.
  • Lejoni që ata të shprehin sa më shumë pikëllimin që ata janë duke e ndjerë në këto momente dhe që janë të gatshëm ta shfaqin. Pranoni heshtjen; nëse familja nuk ndjehet se dëshiron të flasë, mos e nxisni bisedën. Ndiqni shembullin e tyre.
  • Inkurajoni ata që të jenë të durueshëm me vetveten, të mos presin shumë nga vetja dhe të mos imponojnë ndonjë "çka nëse" mbi vetveten.
  • Lejoni ata që të flasin për foshnjën e tyre.
  • Kushtojini rëndësi të veçantë vëllezërve dhe motrave të foshnjës së vdekur.
  • Sigurojini ata se kanë bërë gjithçka që kanë mundur, kujdesi mjekësor që kanë pasur ka qenë shumë i mirë, apo gjithçka tjetër që e dini që është e vërtetë dhe pozitive rreth kujdesit të treguar ndaj shtatzënisë apo foshnjës.
  • Inkurajoni ata që të kërkojnë ndihmë, qoftë nga ndonjë profesionist shëndetësor apo ndonjë prind tjetër që ka përjetuar këtë gjë.
  • Kujtoni familjen në datën e lindjes së foshnjës, në përvjetorin e vdekjes, në ditën e Nënës e në ditën e Babait, si dhe në raste të tjera.
  • Jini të durueshëm me ta. Përballja me vdekjen e foshnjës së tyre mund të zgjasë një kohë të gjatë. Qëndroni në kontakt.
  • Mos lejoni që ndjenja juaj e dobësisë t'ju mbajë larg kontaktit me familjen e foshnjës së vdekur.
  • Mos e shmangni takimin me familjen për shkak se ju nuk ndjeheni mirë.
  • Mos thoni se ju e dini se si ata ndjehen (nëse ju nuk keni humbur ndonjë fëmijë, ju me siguri nuk e dini se si ata ndjehen).
  • Mos pyesni për hollësi lidhur me vdekjen e foshnjës. Në qoftë se familja ofron informata, dëgjoni me mirëkuptim.
  • Mos u tregoni atyre se çfarë duhet të bëjnë apo se si duhet të ndjehen.
  • Mos impononi pikëpamjet tuaja fetare apo shpirtërore mbi ta.
  • Mos e ndryshoni temën kur ata përmendin fëmijën e tyre të vdekur.
  • Mos thoni se ata të paktën kanë një fëmijë tjetër; ose se mund të kenë më shumë fëmijë në të ardhmen.
  • Mos e fajësoni askënd për vdekjen e foshnjës. Mos bëni komente të cilat sugjerojnë se kujdesi në shtëpi, tek ofruesi i kujdesit ndaj fëmijëve, në dhomën e urgjencës, në spital ose kudo tjetër, ishte i papërshtatshëm.
  • Mos u mundoni të gjeni diçka pozitive rreth vdekjes së foshnjës. Shmangni klishetë dhe përgjigjet e lehta.
  • Mos e shmangni përmendjen e emrit të foshnjës nga frika se u kujtoni atyre dhimbjen.
  • Mos thoni "ju tashmë duhet të ndjeheni më mirë" apo diçka tjetër që nënkupton ndonjë gjykim për ndjenjat e tyre apo përcakton pritje kohore apo limiton procesin e shërimit të tyre.

Të kujtuarit e foshnjës tuaj

Kur të jeni gati, është e rëndësishme për ju dhe familjen tuaj që ta kujtoni foshnjën tuaj në mënyra të veçanta. Edhe në qoftë se ju nuk e keni pasur rastin për ta parë, prekur apo mbajtur atë apo edhe t'i vini një emër, ka gjëra që ju mund të bëni që ju ndihmojnë juve ta kujtoni foshnjën tuaj.

Mblidhni gjërat që ju kujtojnë juve foshnjën tuaj. Këto mund të jenë figurat me ultratinguj, gjurmët e këmbëve, byzylyku i spitalit, fotot, rrobat, batanijet apo lodrat. Vini ato në një kuti të veçantë ose në një album me copa të ngjitura. Bëni diçka të veçantë për të kujtuar fëmijën tuaj. Ju mund të dëshironi të:

  • Ndizni një qiri në ditë të veçanta dhe në festa.
  • Luteni.
  • Shkruani ndonjë poezi.
  • Pikturoni.
  • Mbillni një pemë apo një kopsht të vogël.
  • Bëni ndonjë bizhuteri, ndoshta me gurin e muajit të lindjes së foshnjës.
  • Dhuroni për një organizatë bamirëse apo jepni diçka për një fëmijë në nevojë i cili është i moshës në të cilën do të ishte fëmija juaj.
  • Përfshiheni në një projekt të veçantë të dedikuar për fëmijën tuaj, si p.sh., ngritja e fondeve për të ndërtuar një rrëshqitëse në një park në emër të fëmijës tuaj ose të punoni si vullnetarë për një bamirësi lokale.
  • Organizoni një ngjarje për ta nderuar foshnjën tuaj. Ky mund të jetë një shërbim përkujtimor ose funeral. Mund të bëhet në shtëpinë tuaj ose në vendin tuaj të adhurimit. Mund të jetë me vetëm disa persona apo me të gjithë miqtë dhe familjen. Kjo ngjarje mund të përfshijë varrosjen e fëmijës tuaj ose përhapjen e hirit të tij në një vend të veçantë. Një ngjarje e tillë mund t'ju japë një shans për t'i thënë lamtumirë foshnjës tuaj. Gjithashtu, një ngjarje e tillë ju jep kohë që të ndani vuajtjet e tua me familjen dhe miqtë.
  • Ndani një kohë të veçantë për ta kujtuar. Zgjidhni një datë që është kuptimplotë për ju - ditëlindjen e foshnjës suaj ose ditën që vdiq. Bëni diçka vetë ose mblidhni familjen dhe miqtë për ta kujtuar fëmijën tuaj.
Category: Vështirësitë

Ligjërata mbi temën Vështirësitë

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit