Fakte rreth gjidhënies

Pse të ushqyerit me gji është zgjedhja më e mirë?

Ju urojmë për vendimin që të ushqeni foshnjën tuaj me gji. Me këtë vendim, ju po i ofroni foshnjës tuaj fillimin më të mirë të mundshëm të jetës së saj. Por të ushqyerit me qumësht gjiri është shumë më tepër sesa vetëm një mënyrë e të ushqyerit. Kjo ju ndihmon juve të lidheni me foshnjën tuaj, duke ju lejuar që të kuptoni më lehtë  dëshirat e saj/tij, dhe poashtu rrit vetëbesimin tuaj si nënë. Që të keni përfitimet më të mira për ju dhe foshnjën tuaj, ushqeni atë vetëm me qumësht gjiri për së paku gjashtë muaj.

Qumështi i gjirit është më i shëndetshmi për foshnjat

  • Qumështi i gjirit i ka të GJITHA vitaminat, mineralet dhe elementet ushqyese që i nevojiten foshnjës. Qumështi me formulë nuk mund të ofrojë vitaminat që gjenden në qumësht të gjirit siç është hekuri, që foshnja të marrë të gjitha elementet e duhura ushqyese.
  • Qumështi i gjirit tretet më mirë sesa ai me formulë.
  • Foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri kanë më pak mundësi për diarre, kapsllëk dhe dhimbje barku sesa ato që nuk ushqehen me qumësht gjiri. 
  • Qumështi i gjirit përmban antitrupa për të luftuar infeksionet.
  • Foshnjat kanë më pak gjasa për obezitet, që të vuajnë nga diabeti apo ndonjë sëmundje tjetër. 
  • Foshnjat e ushqyera me qumësht gjiri kanë rrezik më të ulët që të vuajnë nga astma, alergjitë dhe disa lloje të kancerit. 
  • Qumështi i gjirit përmban përbërës të veçantë që ndihmojnë në zhvillimin e trurit.
  • Të ushqyerit me gji ul rrezikun që fëmija të ketë sindromin e vdekjes së papritur të fëmijës dhe vdekjen e fëmijës nga shkaqe tjera.

Të ushqyerit me gji është më shumë sesa thjesht një e ushqyer. Është mënyra më efektive që të qetësoni foshnjën kur është e frikësuar, e lodhur, e uritur apo e stërmunduar.

Të ushqyerit me gji është më e shëndetshmja për nënën

  • Të ushqyerit e foshnjës me gji ndihmon mitrën e nënës që të ngushtohet, zvogëlon rrezikun për gjakderdhje dhe rrezikun për të pasur hemorragji pas lindjes. 
  • Mund të ndihmojë nënën që të humbë peshë më shpejtë. 
  • Zvogëlon rrezikun e nënës për të pasur kancer në gji apo kancer vezor, dhe osteoporozë (dobësim të eshtrave) më vonë në jetë. 

Ndihmon nënën që të luftojë ndryshimet e disponimit pas lindjes dhe mund të parandalojë apo kufizojë efektet e depresionit të pas-lindjes.

Të ushqyerit me gji ju kursen para

  • Ju mund të kurseni në paratë nga blerja e formulës, shisheve, mjeteve ndihmëse dhe faturat mjekësore. Në Kosovë, çmimi për qumësht me formulë për një vit kushton mbi €1,000. Poashtu të ushqyerit me gji është shumë praktik pasi që nuk keni nevojë të gjeni ujë të pastër, të ngrohni qumështin apo të pastroni shishet!
  • Ju do të sëmureni shumë më rrallë.  

Është më e mirë për ambientin pasi do të ketë me pak mbeturina dhe mbetje plastike.

Përshatur nga Departamenti i Agrikulturës, Ushqimit dhe Shërbimeve Ushqimore të Shteteve të Bashkuara, Programi Special Suplementar për Gra, Fëmijë dhe Foshnje (WIC). (2002).

A mund ta shkatërrojë gjoksin dhe trupin tim të ushqyerit me gji?

Jo, ky është një mit dhe arsyeja është kjo:

  1. Shumica e grave thonë se të ushqyerit me gji iu ndihmon atyre të humbin peshë më shpejtë në bel, ijë dhe kofshë. Shumica e grave thonë se ato kanë humbur rreth 0.8kg në muaj gjatë gjashtë muajve të parë të të ushqyerit me gji.
  2. Të ushqyerit me gji nuk i bën gjinjtë tuaj të qëndrojnë më të varur, por shtatzënia juaj mund të bëjë që ato të rriten dhe të ndryshojnë formë pas lindjes. Gjatë kohës sa jeni shtatzënë, gjinjtë rriten dhe ligamentet që mbajnë ato mund të zgjerohen dhe është ky zgjerim që mund të bëjë që gjinjtë tuaj të rrinë të varur. Kjo do të ndodhë edhe nëse ju nuk ushqeni foshnjën tuaj me qumësht gjiri.

A mundem unë të ushqej foshnjën me gji?

Po, pothuajse çdo nënë mundet:

  • Madhësia e gjinjve nuk ka rëndësi; madhësia e gjinjve apo thithkave nuk ka ndonjë lidhje me atë se sa qumësht ju do të prodhoni apo sa efektiv do të jetë të ushqyerit me gji që e bëni ju.
  • Foshnja juaj posedon instinktin natyral që të ushqehet me gji.
  • Ju pa dyshim se do të keni qumësht të mjaftueshëm përderisa pini mjaft ujë dhe e ushqeni foshnjën shpesh. Prodhimi i qumështit tuaj do t’i përshtatet kërkesës së foshnjës – sa më shumë foshnja e kërkon, që nënkupton se sa më shumë e ushqeni me gji, aq më shumë qumësht gjiri do të prodhoni. Është normale që të brengoseni pasi që ju nuk mund ta dalloni sa qumësht merr foshnja juaj. Por në vazhdim ne ju tregojmë disa mënyra të thjeshta që të siguroheni që foshnja po merr mjaftueshëm qumësht gjiri.
  • Po, ju mund të hasni në probleme me gjidhënien, sidomos nëse keni pasur lindje me prerje cezariane. Por ka shumë mënyra që ta bëni këtë të funksionojë për ju. Ju mundeni t'i shikoni Udhëzimet për të ushqyerit me gji, e nëse keni ende nevojë për ndihmë, na kontaktoni.
  • Të ushqyerit me gji mund të mos jetë e sigurtë për foshnjën tuaj nëse keni ndonjë problem shëndetësor, merrni medikamente të caktuara apo keni probleme tjera, siç është konsumimi i drogës. Konsultohuni me mjekun tuaj nëse mendoni se gjendja në të cilën jeni mund të bëjë gjidhënien të pasigurtë për foshnjën tuaj.

Kur do të mund të prodhoj qumësht?

Në ditët e para ju do të prodhoni sasi të vogël të lëngut të quajtur kulloshtër. Ky qumësht i hershëm është i pasur me vitamina, minerale, proteina dhe elemente ushqyese për ruajtjen e imunitetit që ndihmojnë foshnjën tuaj të jetë e shëndetshme. Mund t’ju duket se nuk ka mjaftueshëm por mos u brengosni, ju po prodhoni sasinë e duhur dhe është ushqimi i vetëm që i nevojitet foshnjës. Provoni të ushqeni foshnjën me gji brenda një ore pas lindjes që të mësoni foshnjën me qumështin e gjirit. Ndërmjet ditës së tretë dhe të pestë, do të filloni të ndjeni gjinjtë tuaj që janë më të mbushur, duke ju dhënë shenja që ju tashmë keni prodhuar qumësht për të ushqyer foshnjën. Javët e para janë më të rëndësishmet për të ushqyerit me gji pasi kjo është periudha kur prodhimi juaj i qumështit do të fillojë të rregullohet. Kështu që tregojini bashkëshortit tuaj dhe familjarëve se sa e rëndësishme është që ju të keni mbështetjen dhe inkurajimin e tyre veçanërisht gjatë kësaj periudhe.

A mund ta ushqej foshnjën me gji nëse kam pasur lindje me prerje cezariane?

Po. Nganjëherë gratë që kanë pasur prerje cezariane apo lindje të vështirë vaginale kanë probleme me prodhimin e qumështit dhe/apo gjetjen e pozitës së rehatshme për gjidhënie. Më poshtë mund të gjeni disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë me të ushqyerit me qumësht gjiri:

  1. Mbani foshnjën lëkurë-në-lëkurë sa më shpejt që të jetë e mundur për sa më gjatë (së paku një orë) dhe sa më shpesh që mundeni.
  2. Mundohuni ta ushqeni foshnjën me gji brenda një ore pas lindjes.
  3. Mbani foshnjën pranë gjatë tërë kohës edhe nëse mund të mos jeni në disponim për një gjë të tillë.
  4. Provoni pozita të ndryshme që të mos prekni plagën tuaj, si p.sh. qëndroni shtrirë me foshnjën mbi kraharorin tuaj, shtrihuni anash apo përpiquni të qëndroni ulur dhe drejtë. Klikoni këtu për të parë disa fotografi; shumë gra thonë se të ushqyerit e foshnjës të shtrirë në jastëk dhe mbajtja anash janë pozitat më të përshtatshme për gjidhënie.
  5. Nëse e keni vështirë të bëni foshnjën të ushqehet me gji, mos u nervozoni apo të keni panikë, por kuptojeni që kjo është e përkohshme dhe ju dhe foshnja juaj mund ta bëni këtë.

Çfarë duhet të ha?

Pothuajse çfarëdo që të keni dëshirë:

  • Shpesh, njerëzit mund t’ju thonë që të mos hani ushqime pikante, apo bizele dhe lakra. Por në fakt, ushqimi që ju e hani shumë rrallë shkakton probleme. Foshnjat, në javët e para të jetës së tyre shpesh kanë gazra dhe janë të bezdisshëm, veçanërisht pasi që duhet të mësohen që më nuk do të ushqehen me anë të placentës (dhe poashtu me jetën në botën e jashtme) kështu që mos nxitoni që të fajësoni qumështin tuaj të gjirit.
  • Por nëse foshnja juaj është shumë e bezdisur çdo herë që ju hani një ushqim të caktuar, atëherë mundohuni ta evitoni atë lloj ushqimi. Prodhimet e qumështit (qumështi, djathi, jogurti, gjalpi) zakonisht janë ndër arsyet më të shpeshta të shfaqjës së problemeve, kështu që ju mund të tentoni të ndaloni konsumimin e tyre për një kohë për të parë nëse ka ndonjë përmirësim. Simptoma të këtyre problemeve mund të përfshijnë diarrenë, nervozizmin, gazrat, vjelljën e lehtë, kapsllëkun, jashtëqitjen me gjak apo me mukozë, rrjedhjën nga hunda, kollitjën dhe fryrjën e barkut. Në rastet e rralla kur ushqimi shkakton gazrat apo nervozizmin, ka shumë gjasa që kjo të ndodhë për shkak të proteinave që merren nga prodhimet e qumështit.
  • Kufizoni kafeinën (kafeja, çaji, pijet e gazuara) pasi mund ta bëjë foshnjën tuaj të shqetësohet dhe të mos mund të flejë. Mos pini alkool apo duhan, dhe pa marrë parasysh këto, ju duhet të vazhdoni ushqyerjen e foshnjës me gji.
  • Gjithmonë konsultohuni me mjekun e foshnjës suaj para se të merrni çfarëdo lloji të medikamenteve, madje edhe medikamentet që mund të merren pa recetë.
  • Vazhdoni të merrni vitaminat e para-lindjës apo multivitamina gjatë të ushqyerit të foshnjës me qumësht gjiri.

Çfarë më nevojitet për të ushqyer foshnjën time me gji?

Jo shumë. Vetëm vetëbesimi juaj se mund ta bëni! Poashtu mund t’ju nevojitet një këmishë më e gjatë që tërhiqet lehtë për t’ia mundësuar foshnjës ushqyerjën. Nuk keni nevojë për sytjena apo rroba të veçanta, por mos vishni sytjena me tela pasi që kjo mund t’ju shkaktojë dhimbje dhe probleme. Në muajt e parë ju mund të keni nevojë për fasuleta për të pastruar qumështin nga gjiri kur nuk jeni duke ushqyer foshnjën.

Për sa kohë duhet të vazhdoj ushqyerjen e foshnjës me gji?

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon ushqyerjen ekskluzive me qumësht gjiri për gjashtë muajt e parë, kështu që nëse është e mundur, mos i jepni foshnjës ujë apo qumësht formulë gjatë kësaj kohe. Ushqyerja e foshnjës me diçka tjetër përveç qumështit të gjirit ndërhyn në aftësinë e nënës për të prodhuar mjaft qumësht. OBSH rekomandon që foshnja të ushqehet me gji deri sa të bëjë dy vjet apo edhe më tepër. Çdo sasi e ushqyerjes me gji është e mirë për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës suaj. Edhe ushqyerja me gji për një kohë të shkurtër është e mirë për foshnjën tuaj.

A duhet të ndaloj gjidhënien nëse unë mbetem shtatzënë?

Jo, nuk ka asnjë arsye mjekësore për të ndaluar ushqyerjen e foshnjës me gji nëse ju mbeteni me barrë. Ju gjithashtu mund të vazhdoni gjidhënien nëse jeni e sëmurë, merrni mjete mbrojtëse kundër shtatzënisë apo shumë medikamente të tjera, ose të keni nevojë për ndonjë ndërhyrje kirurgjike, vetëm që duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për këtë.

A mund ta ushqej foshnjën time me qumësht gjiri në publik?

Po. Ju duhet të ushqeni me qumësht gjiri foshnjën tuaj kurdo që ajo është e uritur pa marrë parasysh vendin ku ndodheni, madje edhe në vende publike si kafenetë, zyrat dhe parqet. Ju po i përmbushni nevojat e foshnjës dhe nuk po bëni asgjë të gabuar. Ju duhet të jeni krenarë për përkushtimin ndaj foshnjës. Gjithashtu, pasi ju nuk keni nevojë për shishe dhe formulë, kjo nënkupton më pak gjëra në çantën tuaj. Disa këshilla për të ushqyerit e foshnjës me gji në publik përfshijnë:

  • Vishni rroba që ju lejojnë të keni qasje më lehtë në gjinjtë tuaj.
  • Vendosni një batanije në krahët tuaj, por disa foshnje nuk e duan këtë.
  • Provoni të ushqeni foshnjën me gji mbi një batanije.
  • Praktikoni këtë në shtëpi që të shihni se deri në çfarë mase ju ndiheni rehat.
  • Ushqeni foshnjën tuaj me gji para se ajo të bëhet e bezdisshme, ashtu që të keni kohë për të gjetur një pozitë apo vend të rehatshëm për ta ushqyer.

A është ushqyerja me qumësht gjiri e mirë për foshnjat me nevoja të veçanta?

Po. Disa foshnje lindin para kohe (para javës së 37-të shtatzënisë), ose me defekte të lindjes apo probleme të tjera shëndetësore. Ushqyerja me gji e një fëmije me nevoja të veçanta mund të ndihmojë që ajo të rritet dhe të mbrohet nga sëmundjet. Por ju do të mund të keni nevojë për ndihmë për ta ushqyer këtë foshnje, ne mund t’ju ndihmojmë me këtë kështu që kontaktoni Qendrën tuaj më të afërt Beba-ks.

Kur mund të filloj të ushqej foshnjën time me ushqime tjera?

Ushqeni foshnjën tuaj vetëm me qumësht gjiri për të paktën gjashtë muaj. Kjo do të thotë që ju të mos i jepni foshnjës ujë, formulë, lëngje tjera apo ushqime të forta – vetëm qumësht gjiri. Ushqyerja e foshnjës me çfarëdo tjetër përveç qumështit të gjirit, ndërhyn në aftësinë e nënës për të prodhuar qumësht të mjaftueshëm. Pas rreth gjashtë muajsh, foshnja juaj mund të jetë gati për t’u ushqyer me ushqime të forta, por qumështi i gjirit prapë do të mbetet burimi i saj kryesor i ushqimeve dhe vitaminave të nevojshme gjatë vitit të parë të jetës. Për të parë udhëzuesin e të ushqyerit të foshnjës, klikoni këtu. Çdo sasi e të ushqyerit me gji është e mirë për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës suaj. Edhe ushqyerja me gji për një kohë të shkurtër është e mirë për foshnjën tuaj.

 

Category: Fakte themelore rreth të të ushqyerit me gji

Ligjërata mbi temën Gjidhënia

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit